24-11-2024

Furrtarë në Serbi kërcënohen me dëbim, dërgohen në stacionin e policisë dy vëllezërit Osmankaj

“Arsye” për këtë, siç shkruan sot gazeta e Beogradi “veçernje novosti” ka qenë se “pronarët e furrës, vëllezërit Halit dhe Granit Osmankaj, në rrjete sociale kanë bërë simbolin e Flamurit Kombëtar, shqiponjën. Në njërën nga fotografitë ata kanë pozuar edhe me pushkë”, shkruan gazeta dhe shton se “vendësit e hidhëruar kanë kërkuar që vëllezërit menjëherë ta braktisin Dollovën”.

Pas kësaj Policia kishte arrestuar dy vëllezërit.

Gazeta, duke cituar një banor të këtij fshati, shkruan se “ky është incidenti i parë qe katër vjet qëkur këta vëllezër nga Kosova kishin marrë me qira një lokal në Dollovë. Banorët në veçanti i ka brengosur fotoja me armë pasi janë frikësuar për sigurinë e vet. Vëllezërit Osmankaj kishin ardhur në fshat, kishin filluar të shisnin bukë e pjekurina dhe ishin pritur mirë nga banorët”, ka thënë një banor transmeton Koha.net.

“Kjo është e tmerrshme. E shihni ç’i bëjnë popullit tonë në Kosovë, e tani kanë ardhur në porta të Beogradit dhe na provokojnë duke treguar simbolet e Shqipërisë së madhe. Të mërkurën i pamë fotot në Facebook dhe filluam t’ia dërgojmë njëri-tjetrit. Të gjithë jemi të rrezikuar dhe u morëm vesh që të vijmë para lokalit të tyre dhe t’i shtypim fotografitë në pllakate të mëdha, t’i ngjitim këtu ashtu që të gjithë nga fshati të marrin vesh se çfarë porosish na dërgojnë shqiptarët”, kanë thënë vendësit grumbulluar.

Ata kanë shtuar se nuk do të flenë të qetë përderisa vëllezërit Osmankaj të mos shpërngulen nga ky vend.

Pronari Nebojsha Stojanoviq që ua ka dhënë me qira vëllezërve lokalin Osmankaj për furrë, ka thënë se këtë nuk e kishte pritur:

“Nuk është njësoj, do të përpiqem me të gjitha mënyra që ta shkëpus kontratën dhe ata sa më shpejtë të largohen nga këtu! Janë fotografuar në shtëpinë time me pushkë, derisa fëmijët e mi flinin lart! Kurrë s’ua kemi thënë asnjë fjalë të keqe, të gjithë kemi blerë bukë te ta, iu paraqiteshim njëri-tjetrit. Paguanin me rregull qiranë e llogaritë, por kjo nuk mund të kalohet”.

Dje policët ruanin furrën dhe dy vëllezërit Osmankaj biseduan me inspektorët, pastaj ata u dërguan në polici.

Vendasit thonë se nuk do të largohen nga furra derisa sa të mos e shohin shpinën e tyre duke u larguar nga aty.

Asnjë koment

Comments are closed.