24-11-2024

Gani Geci thotë se problemet me Ruzhdi Shaqirin kishin qenë për shkaqe politike

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci ka thënë se me Ruzhdi Shaqirin nuk ka pasur probleme personale porse problemet me të kanë qenë për shkaqe politike.

Sipas Gecit, kjo ka ndodhur pasi Shaqiri dhe një grup i afërt me të e kanë përkrahur një grup ushtarak tjetër, kurse ai tha se e ka përkrahur formacionin ushtarak të Ahmet Krasniqit, ministër i mbrojtjes në atë kohë.

Një deklaratë të tillë, Geci e ka dhënë në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ku ai është duke u gjykuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që mbrojtësi i tij, avokati Ndrecë Dodaj e pyeti Gecin nëse para vitit 2001, përkatësisht para se të plagosej, kishte pasur probleme me Ruzhdi Shaqirin për shkak se siç tha, në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur për shkak të një konflikti, Geci u përgjigj duke thënë se me Shaqirin nuk ka pasur probleme personale.

“Ruzhdi Shaqiri ka qenë nip i fshatit “Llaushë”, djali i hallës së Sabit Gecit i cili ka qenë udhëheqës i këtyre grupeve, as më Sabitin as më Ruzhdin nuk kam pasur kurrfarë probleme personale kurrë, kur më kanë rrethuar mi marrë armët Ruzhdia me grupin e tij, vëllai i Ruzhdisë që është vra në luftë e që ka qenë një djalë i mirë ka dal në anën time dhe i ka thënë Ruzhdisë hup edhe atu Ruzhdia ka qenë kryesori por vëllai i tij na ka shpëtuar”, tha Geci.

Ai shtoi se të gjitha problemet kanë qenë për shkaqe politike.

“Krejt problemet kanë qenë politike se ata e kanë përkrahur një grup ushtarak tjetër, ndërsa unë e kam përkrahur formacionin ushtarak të Ahmet Krasniqit, ministrit të Mbrojtjes i cili është vrarë edhe ai në Shqipëri”, ka deklaruar Geci.

Ndryshe, Geci tha se mbetet prapa deklaratave që kishte dhënë për këtë rast në prokurori si dhe në shqyrtimet e mëhershme gjyqësore.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Dodaj lidhur me ditën kritike, Geci tha se në kohën kur kishte qenë në lokal nuk e kishte parë viktimën e as njerëzit që kishin me të.

“Unë kam qenë në pozicion që nuk kam mundur t’i shoh njerëzit që kanë qenë jashtë, unë ata nuk i kam pa, nuk i kam pa as kur kom dal që do të thotë kom kaluar pranë tavolinës së tyre dhe nuk i kam pa”, ka thënë Geci.

Geci tha se para se të lëshohej komunikata numër 59, më 19 gusht 1998, atij i është plagosur vëllai, nga siç tha, një grup përafërsisht i njëjtë. Ai tha se para se të plagosej Esati, i cili atëkohë kishte qenë 18 vjeçar, një grup nga Shtabi i Përgjithshëm e kishin rrethuar në fshatin Qirez atë dhe familjen e tij dhe tha se kanë tentuar që t’ia marrin armët për shkak se kishin qenë mbështetës të presidentit Ibrahim Rugova dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Kur nga avokati Dodaj u pyet për arsyen se pse ishte lëshuar komunikata, Geci tha se qëllimi i saj kishte qenë, pasi dy muaj pasi i ishte plagosur vëllai, kishin tentuar ta vrasin në fshatin “Kllodernic”, si mbështetës për shkak të politikës institucionale dhe pas këtij rasti tha se e kanë lëshuar komunikatën 59, e që do të thotë, sipas tij, se do duhet të ishte i vrarë nga secili ushtarë që do të takonte.

Kjo kishte vazhduar, sipas Gecit, deri në vitin 2020, kur Hashim Thaçi kishte kërkuar falje.

“Ke deklaruar se dy javë a dhjetë ditë e keni takuar të ndjerin dhe ke kërkuar me bo be, se a është pjesëmarrës i tentim vrasjes tuaj në vitin 2001, ku ju kanë vrarë edhe dy shokë në atë atentat, meqenëse raporti nuk ka qenë miqësorë ku ke qëllimi që me t’bo be?, ishte pyetja tjetër e avokatit Dodaj për Gecin.

Lidhur me këtë, Geci tha se ishte thirrur në telefon nga një gazetar i “Bota Sot”, Nehat Shaqiri i cili i kishte thënë se Ruzhdi Shaqiri po kërkon me fol me Gecin.

“Kjo ka ndodhur rreth një jave ose dhjetë ditë para se me ndodh rasti, nuk e di saktë sa por unë kam qenë në një bazën ka qenë vera dhe kam qenë më Sokol Musliun. Më ka thirr në telefon Nehat Shaqiri, gazetar i gaztës “Bota Sot”, dhe ai më ka thënë po don me fol më ty Ruzhdi Shaqiri, i cili paska qenë atë ditë në redaksi dhe ai më ka thënë ti po i shtinë gazetaret me shkru kundër Hashim Thaçit dhe kundër UÇK-ës”, tha Geci.

Ai vazhdoi duke thënë se i ishte përgjigjur duke i thënë se ato janë raporte të NATO-së porse kishte marrë akuza se është spiun i NATO-së dhe EULEX-it.

“Dhe unë i kam thënë se ato janë raporte të NATO-së, ai më ka thënë se ti je spiun i NATO-së dhe i EULEX-it, unë i kam thënë ti ki me bo be ku ke qenë më 19 tetor 2001, ai më ka thënë unë i marr 50 vjet burg e nuk të bëjë be, unë s’kam mujt ta incizoi se zakonisht i kam incizuar kriminelet dhe qëllimi im ka qenë të incizoi dhe të ja dërgoi prokurorisë. Kur e kena përfunduar bisedën jam nisur me shku dhe kam shkuar deri në fshatin “Terstenik” dhe më ka thirrur Sokoli më ka thënë kthehu se po du më ardh më ty. Kur jom kthyer, Sokoli më ka dëgjuar kur e kom përmend emrin urdhëro Nehat, ai ka menduar që po flas më vëllain tim Nehatin, dhe e ka thirr vëllain tim në telefon dhe vëllai im ka ardhur të Sokoli dhe kemi shkuar më taku Ruzhdin me bo be.”, tha Geci.

Sipas tij, krejt kjo ka ndodhur një javë ose dhjetë ditë para ditës kritike dhe qëllimi tha se ka qenë që të zgjidh këtë problem që ka zgjatur shumë.

Nga prokurori i rastit, Naim Beka, Geci u pyet për distancën trupore mes tij dhe viktimës në ditën kritike.

“Distanca ka qenë shumë afër, më pak se një metër ka qenë, po flas në kontestin e sotit sepse atëherë nuk kom ditë”, ishte përgjigja e Gecit.

“A ka pasur ndonjë moment të raporteve relaksuese ndërmjet ju të dyve”, pyeti prokurori Beka të akuzuarin.

“Jo më Ruzhdiun kurrë, me grupin e tij më Florim e ata asnjëherë nuk kam pasur ndonjë përshëndetje a diçka, ata i kanë kërcënuar edhe shokët e vet që kanë ndenjur më mu si Bahri Nikën etj, gjithashtu edhe Sabit Geci i ka thënë Sami Lushtakut pse po flet me mu”, tha Geci.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje të Gecit, prokurori Beka tha se nuk është i gatshëm të jap fjalën përfundimtare, për çka kërkoi që fjala përfundimtare të bëhet në një ditë tjetër.

Në këto rrethana, gjykatësi Radosllav Markoviq seancën e radhës e ka caktuar për 2 qershor 2021, në ora 11:00, kur edhe pritet të jepet fjala përfundimtare nga palët.

Ndryshe, në seancën e parë të rigjykimit, të mbajtur më 30 mars të këtij viti, prokurori Naim Beka kishte hequr dorë nga ndjekja penale për veprën e përdorimit të armës.

Sipas prokurorit Beka, vepra e lartpërmendur është konsumuar nga vepra penale e vrasjes, për çka edhe kishte hequr dorë nga pika e tretë e aktakuzës.

Pas kësaj, në atë seancë, Gani Geci kishte deklaruar se për pikën e dytë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, e pranon fajësinë.

Ndërsa për pikën e parë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të vrasjes, Geci kishte thënë se nuk ndihet fajtor.

“E pranoi fajësinë për mbajtje dhe posedim të armës. Armën e kam mbajtur për vetëmbrojtje, pasi kam pasur disa atentate. Ndërsa për veprën penale vrasje e rëndë nuk ndihem fajtor”, kishte deklaruar i pandehuri Geci në seancën e 30 marsit 2021.

Mirëpo, pranimi i fajësisë ishte refuzuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Radosllav Markoviq, pasi sipas tij, pranimi i fajësisë shqyrtohet kur të jepet në të gjitha pikat e dhëna si në aktakuzë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Geci e kishte pranuar se e ka kryer këtë vrasje, duke thënë se këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi kishte deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej.

Pas ankesave të ushtruara në shkallën e dytë, Gjykata e Apelit më 26 shtator 2017 kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin e veprës penale sipas aktakuzës së ndryshuar në “vrasje të rëndë”, pasi nuk ishte e qartë se për cilën vepër penale e ka shpallur fajtor.

Sipas vendimit, nga emërtimi ligjor i veprës penale sipas dispozitivit të aktgjykimit rezulton se i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale të “vrasjes”, kurse nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese, respektivisht, fakteve dhe rrethanave që përbëjnë figurën e veprës penale del se i akuzuari ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kundërthënie këto që sipas shkallës së dytë e bëjnë të pakuptueshëm dispozitivin e aktgjykimit.

“Këto kundërthënie dhe paqartësi janë aq të theksuara në aktgjykim sa e bëjnë atë të paqartë, konfuz dhe juridikisht të paqëndrueshëm dhe të cilat paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, që paraqesin bazë për anulimin e aktgjykimit, ngase janë të natyrës absolute dhe nuk mund të evitohen në këtë procedurë, sepse bëjnë të pamundur vlerësimin e drejtë të ligjshmërisë së aktgjykimit në fjalë”, thuhej në aktvendimin e Apelit.

Ndërkaq, me këtë aktvendim, ankesat e të dëmtuarës Halime Shaqiri dhe përfaqësuesit të autorizuar të saj, avokatit Sokol Dobruana, Apeli i kishte cilësuar si jolëndore.

Gani Geci akuzohet se Ruzhdin Shaqirin e kishte vrarë në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.