24-11-2024

GAP: Kryetari i Prizrenit s’i ka përmbushur 9 premtime

Nga gjithsej 49 premtimet elektorale që janë evidentuar nga Instituti GAP në kuadër të fushatës para-elektorale të vitit 2017, 3 premtime të tjera rezultojnë si pjesërisht të përmbushura, derisa në 25 sosh, gjatë periudhës janar-dhjetor 2018, ka pasur nisma për përmbushjen e tyre, përcjell sot Koha Ditore.

Sipas publikimit të GAP-it, zvogëlimi i numrit të drejtorive komunale, hapja e laboratorëve të fizikës, kimisë dhe biologjisë nëpër shkolla; bashkëfinancimi deri 10% për biznese që tërheqin grante ndërkombëtare; subvencionimi i pjesëmarrjes së bizneseve në panaire ndërkombëtare; brendimi i Prizrenit si vend turistik; krijimi i shërbimit të rregullt mobil shëndetësor; krijimi i qendrës së kujdesit ditor për pensionistë; transporti publik falas për çdo pensionist dhe përfundimi i procesit të legalizimeve, janë premtimet e papërmbushura të Qeverisë Haskuka.

Ndërsa transparenca radikale në prokurim; punësime me pjesëmarrje të komunitetit gjatë zgjedhjes së drejtorëve të shkollave; vizita sistematike mjekësore nëpër shkolla; rritja e subvencioneve në bujqësi dhe blegtori; hapja e qendrës për ndërmarrësi dhe inovacion; inicimi i rregullimit të çështjes pronësore për kinemanë “Lumëbardhi”; sinjalizim nëpër rrugë i monumenteve të rëndësishme dhe hoteleve; pajisja me mjete të nevojshme të punës të QKMF-së; lirimi i trotuareve nga automjetet; krijimi i më shumë hapësirave te gjelbra dhe rekreative për çdo lagje dhe fshat; krijimi i qendrave për ushqim dhe veshmbathje për personat në nevojë dhe ndalja e të gjitha ndërtimeve pa leje janë renditur nga GAP-i si premtime të përmbushura nga Ekzekutivi i Prizrenit.

“Përmes vlerësimit të premtimeve zgjedhore, Instituti GAP ka për qëllim që t’i mbajë të përgjegjshëm kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna”, ka bërë të ditur ky institut.

Asnjë koment

Comments are closed.