21-11-2024

Gati 5 mijë persona hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës në 2021

Pavarësisht se Kosova vazhdon të jetë një nga shtetet e reja të dala nga lufta, qytetarëve të saj shpesh herë iu vështirësohen punët në momentin e aplikimit për pajisje me dokumente shtetërore.

Shumë prej qytetarëve kanë mbetur ndër vite duke pritur për pajisje me shtetësi të Kosovës, anipse thuajse gjithë jetën e kanë kaluar këtu.

Por në kuadër të ligjeve të cilat ekzistojnë për marrjen e shtetësisë së Kosovës, shumë prej qytetarëve kanë vendosur edhe të heqin dorë prej saj.

Në kuadër të vitit që po lëmë pas, saktësisht në 11 mujorin e vitit 2021 janë gjithsej 4 mijë e 594 qytetarë të cilët janë liruar nga shtetësia e Republikës së Kosovës.
Kjo është bërë e ditur për lajmi.net nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Pra në vitin 2021 ishin rreth 1 mijë persona më tepër të cilët hoqën dorë nga shtetësia kosovare krahasuar me vitin 2020.

“Gjatë periudhës Janar – Nëntor 2021, nga Shtetësia e Republikës së Kosovës, janë liruar 4594 persona. Në vitin 2020 nga Shtetësia e Republikës së Kosovës, janë liruar 3633 persona”, u tha në përgjigjen e MPB-së.

Por për dallim nga shifrat e larta të atyre që u tërhoqën nga shtetësia, numër i vogël i qytetarëve fituan shtetësinë.

Në periudhën mujore janar-nëntor 2021 janë vetëm 362 persona të cilët fituan shtetësinë e Kosovës.

Këta 362 qytetarë tashmë janë zyrtarisht fitues të shtetësisë së Republikës së Kosovës në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme e cila bën edhe pajisjen me dokumentet shtetërore.

“Gjatë periudhës Janar – Nëntor 2021, Shtetësinë e Republikës së Kosovës, e kanë fituar 362 persona”.

E një nga problemet më të shpeshta të kosovarëve me të cilën janë përballuar në periudhën vjetore të cilën po e lëmë pas është pamundësia e pajisjes me letërnjoftim.

Qytetarëve iu desh të prisnin me muaj të tërë për të marrë letërnjoftimin.

E gjithë kjo për shkak të mungesës shpesh herë të materialeve, e në disa raste edhe të vonesave në tenderim.

Por në periudhën 11 mujore të këtij viti, janar-nëntor ishin gjithsej 201 mijë e 354 letërnjoftime të cilat u lëshuan nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Letërnjoftime të rregullta të lëshuara gjatë periudhës Janar – Nëntor 2021 janë gjithsej 201,354. Ndërsa, letërnjoftime për të huajt janë lëshuar 2,746”, u tha në përgjigjen e MPB-së.

E qytetarëve të cilët punojnë në Kosovë, apo kanë aktivitete të ndryshme në territorin e Kosovës u duhet të pajisen me lejeqëndrim.

Por me lejeqëndrim shpesh herë u duhet të pajisen edhe atyre që për vite të tëra jetuan në Kosovë, disa prej tyre të ardhur nga Lugina e Preshevës, nga Shqipëria apo vendet përreth.

Për dallim për qytetarët e Shqipërisë të cilëve tashmë iu është lehtësuar pajisja me lejeqëndrim, ata të Luginës vazhdojnë të kërkojnë për vite me radhë lejeqëndrime të cilat zgjasin hiç më tepër se vetëm 1 vit.

E në periudhën janar-nëntor 2021, lejeqëndrim në Republikën e Kosovës kanë fituar 4 mijë e dy persona.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme në vitin të cilin e lëmë pas janë lëshuar gjithsej 202 mijë e 426 pasaporta.

“Pasaporta të lëshuara gjatë periudhës Janar – Nëntor 2021 janë lëshuar gjithsej 202,426”.

Por sa i përket ndryshimit të procedurave ndër vite të pajisjes me lejeqëndrim, nga Ministria e Punëve të Brendshme është thënë se nuk ka pasur ndryshime dhe se fitimi i shtetësisë së Kosovës bëhet në kuadër të ligjit 04/L-215.

“Procedurat për Fitimin e Shtetësisë së Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar, Fitimin e Shtetësisë së Republikës së Kosovës, e fitojnë bazuar në Ligjin 04/L-215 për Shtetësinë e Kosovës dhe Udhëzimin Administrativ (MPB) Nr. 05/2020 për Kriteret dhe Procedurat e Fitimit të Shtetësisë së Republikës së Kosovës. Ndërsa sa i përket Fitimit të Leje qëndrimit në Republikën e Kosovës, jemi në pritje të ndryshimit të procedurës së dhënies së Leje qëndrimit vetëm për shtetasit nga Shqipëria”, u tha nga MPB.

Duhet theksuar se nga të gjitha vitet e kaluara në kuadër të Kosovës pati më tepër largim nga shtetësia, sesa fitim të shtetësisë së Kosovës. E në vitin 2019, nga shtetësia e Republikës së Kosovës hoqën dorë mbi 5 mijë e 350 persona.

Shumë prej qytetarëve të cilët hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës zgjodhën që të mbajnë shtetësinë në disa vende të huaja, të ngjashme si Gjermania, Zvicra apo vende të tjera të botës.

 

Asnjë koment

Comments are closed.