Lojtarët e ekipit kombëtar të Danimarkës do ta vizitojnë Kosovën këtë javë, për ndeshjen miqësore me “Dardanët”, e cila do të zhvillohet të enjten, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Për shkak të kësaj ndeshjeje, gazeta daneze tipsbladet ka shkruar për gjendjen e futbollit në Kosovë, duke i treguar lexuesve të saj se çfarë mund të presin për ndeshjen kundër Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Njëra ndër elementet që kjo gazetë e thekson është që Kosova është pranuar vetëm para 3 vjetëve në shtëpitë e futbollit FIFA dhe UEFA e për këtë arsye mungon profesionalizmi në këtë sport.
Më poshtë mund ta lexoni artikullin e plotë të publikuar nga gazeta daneze:
Age Hareides (trajneri i Danimarkës) i pëlqen të thotë se ekipi i ka tij nuk ka humbur që 24 ndeshje, mirëpo ai duhet t’i bëjë disa manovrime për këtë pretendim, ndër të cilat e lë në harresë edhe eliminim nga Kupa e Botës, në ndeshjen kundër Kroacisë, të cilën e humbën në penallti.
Në anën tjetër, Kosova nuk ka nevojë për manovrime të tilla për ta treguar një ecuri të mirë të fitoreve. Ekipi i tyre nuk ka pësuar disfatë që nga tetori i vitit 2017 dhe i ka luajtur dhjetë ndeshje që nga atëherë.
Këto ndeshje kanë qenë kundër skuadrave si Shqipëria, Malta, Axerbajxhani dhe Ishujt Faroe, mirëpo siç thuhet në Britani të Madhe: “Ti mund t’i mposhtësh vetëm ata që i ke përballë”, “Nuk mund të mposhtësh skuadra kundër të cilëve nuk luan”.
Kosova u pranua në FIFA dhe UEFA në vitin 2016 dhe është anëtari më i ri në këto dy shtëpi futbolli, bashkë me Gjibraltarin. Në të njëjtën kohë, ata janë vendi më i ri i Evropës, pasi e shpallën pavarësinë në vitin 2008. Serbia, prej së cilës Kosova e shpalli pavarësinë, ende refuzon ta njohë Kosovën si shtet.
Kjo ka bërë që ekipi kombëtar ende të mos e ketë organizimin më të mirë të mundshëm. Lojtari mund të tregojnë histori për lopë në fusha për stërvitje, rrjeta të shpuara të portave dhe në përgjithësi për mungesë profesionalizmi.
Por, ekipi i tyre përbëhet nga një numër i madh i lojtarëve të cilët janë rritur në Evropën Perëndimore, si Besar Halimi i Brondbyt, i cili kishte lindur në Gjermani.
Shumica e lojtarëve të Kosovës janë rritur jashtë kufijve të vendit, shpesh si fëmijë të prindërve që kishin ikur nga Kosova për shkak të shtypjes në Jugosllavi, në fund të viteve të 90-a. Vetëm dy lojtarë në skuadrën aktuale të Kosovës nuk e kishin mundësinë e përfaqësimit të ndonjë vendi tjetër.
Lojtarët në ekipin kombëtar të Danimarkës kanë më shumë përvojë, luajnë në klube më të mëdha dhe kanë qenë duke luajtur së bashku në ekipin kombëtar për një kohë më të gjatë. Përveç kësaj, Federata e Futbollit e Danimarkës është organizatë më profesioniste sesa Federata e Futbollit e Kosovës.
Megjithatë, Kosova mund ta dëshmojë veten përmes lojtarëve të mirë teknikisht dhe ekipi i tyre duket se vetëm po përmirësohet me kalimin e kohës. /Gazeta Express/