Gjakova, qyteti i parë ku do të testohet databaza për dhunën në familje
Gjakova është bërë nikoqir i një tryeze diskutimi mes gjitha institucioneve lokale relevante, për testimin e databazës për dhunë në familje.
Zëvendësministri i Drejtësisë, njëherësh dhe Kordinatori Nacional për dhunë në familje, Naim Qelaj ka thënë se krijimi i një databaze për dhunën në familje edhe pse e vonshme, është shumë e rëndësishme. Sipas tij, ajo nuk luftohet duke e fshehur atë, por duke e raportuar tek institucionet përkatëse.
Gjithashtu, Qelaj dha arsyet pse është vendosur që Gjakovës t’i besohet ky pilotprojekt duke e vlerësuar mjaft shumë angazhimin e nivelit lokal atje për parandalimin e dhunës në familje. Ndër të tjera, shtoi se nga suksesi ose dështimi i këtij testimi në Gjakovë do të varet e ardhmja e kësaj databaze.
“Gjakova është një komunë me karakteristika të veçanta, jo për shkak të rasteve që kanë ndodh, por për shkak të angazhimit të krejt institucioneve dhe shoqërisë civile, si pionere e trajtimit të kësaj teme në Kosovë. Gjakova ka pasur koordinim të mirë në mes nivelit lokal si mekanizëm lokal dhe nivelit qendror dhe kjo ka bërë që testimi i këtij projekti me t’i besoje Gjakovës sepse nga suksesi ose dështimi i këtij testimi në Gjakovë do të varet edhe e ardhmja e kësaj databaze”, tha Qelaj, raporton KosovaPress.
Qelaj, po ashtu, theksoi se databaza është pjesë e kritereve që kanë dalë nga MSA-ja e Bashkimit Evropian dhe konventa e Stambollit që ju garanton të drejta dhe mbrojtje viktimave të dhunës në familje.
Pjesë e kësaj tryeze ishte edhe menaxheri i këtij projekti, Ridvan Bunjaku, i cili vlerësoi mjaft shumë këtë pilotprojekt, pasi sipas tij, i lehtëson më shumë punët e gjitha institucioneve përfshirëse për parandalimin e dhunës në familje.
“Në këtë databazë janë të pranishme vendi ku ka ndodhur incidenti, koha, niveli i rrezikshmërisë, viktimat, të dyshuarit si dhe disa veçori të tyre, si për shembull ‘ishte në ndikim të alkoolit’ e kështu me radhë. Akterët tjerë, ne i quajmë Policinë, Qendrën për Punë Sociale, mbrojtësin e viktimës, Strehimorën, Prokurorinë, Gjykatën. Akterët mund ta referojnë rastin tek njëri-tjetri, ku kjo databazë është si një pikë që e bashkon dhe ndihmon gjithë akterët”, theksoi Bunjaku.
Të pranishëm në këtë tryezë diskutimi ishin përfaqësues nga Qendra Sociale, Strehimorja, Policia, Prokuroria dhe Gjykata.
Dhuna në familje është një dukuri mjaft negative që po shfaqet në Kosovë, pak muaj më parë, pikërisht në Gjakovë një grua bashkë me vajzën e vet u qëlluan për vdekje nga burri.