23-11-2024

Gjakovë, 2 vjet e 9 muaj burg për vjedhje në tyrbe

Gjykata Themelore në Gjakovë i ka shqiptuar dënimin me 2 vjet e 9 muaj burg Ardjan Agës, i akuzuar për vjedhje të rëndë.

Gjyqtari Mentor Bajraktari e shpalli fajtor Agën me dënim unik prej 2 vjet e 9 muaj duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.

Ndërsa të dëmtuarit, Selim Bajrami, Albion Bajrami dhe Raze Shehu i udhëzoi në kontest civil.

I akuzuari Ardjan Aga, para prokurorit Ramiz Buzhala, kishte pranuar fajësinë për akuzat që i viheshin në barrë.

Sipas aktakuzës, në shtator të këtij viti, Ardjan Aga ka kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë.

Aktakuza thotë se i akuzuari duke përdorur forcën ka thyer derën e hyrjes së tyrbes së “Babës Dane”, ka thyer xhamin dhe ka hyrë brenda, me qëllim të vjedhjes duke e dëmtuar të dëmtuarin Selim Bajramin me shumën prej 150 euro.

Aktakuza gjithashtu thotë se në të njëjtën tyrbe, kishte tentuar por nuk kishte arritur t’i vjedhë para të dëmtuarit Albion Bajrami, të cilin e kishte goditur me kaçavidë dhe kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Sipas aktakuzës, Aga pastaj në fshatin Duzhnje, në tyrben e “Shejh Ramës” kishte vjedhur paratë e grumbulluara nga besimtarët si ‘nezra’, duke e dëmtuar kujdestaren e tyrbes Raze Shaban Shehu./kallxo.com

Asnjë koment

Comments are closed.