Gjatë pandemisë intensifikohen rastet e dhunës familjare, 41 raste vetëm në Prizren
Organizata “Ec ma ndryshe”, nga të gjeturat e një hulumtimin, mbi rastet e raportuara të dhunës në familje, duke përfshirë komunën e Prizrenit, Suharekës, Dragashit dhe Mamushës, gjatë periudhës kohore 14 mars e deri me 18 maj 2020, ka raportuar gjithsej 51 raste të dhunës në familje.
Rastet e dhunës në familje janë raportuar të kenë patur rritje në Kosovë gjatë periudhës së pandemisë globale COVID-19. Dhuna në familje, e manifestuar jo vetëm në keqtrajtim fizik por edhe me pasoja psikologjike të viktimave, ka prekur sidomos fëmijët, gratë dhe të moshuarit.
Të gjeturat e EC në hulumtimin statistikor mbi rastet e raportuara të dhunës në familje, duke përfshirë Komunën e Prizrenit, Suharekës, Dragashit dhe Mamushës, flasin për një fakt mjaft shqetësues sa i përket dhunës në familje gjatë periudhës së masave parandaluese ndaj COVID-19.
Sipas nenit 248 të Kodit Penal të Kosovës dhuna në familje konsiderohet krim dhe mund të manifestohet në trajtë të keqtrajtimit fizik, keqtrajtimit psikologjik, keqtrajtimit seksual dhe keqtrajtimit ekonomik. Rastet në rritje paraqesin kërcënim direkt të mirëqenies së shoqërisë Kosovare.
Prandaj EC inkurajon të gjithë që ballafaqohen me raste të dhunës në familje apo janë dëshmitarë relevant të saj që të raportojnë para organeve të rendit dhe ligjit. Ndërsa bën thirrje për angazhim institucional në luftimin e kësaj dukurie me rrezik në rritje.