28-10-2025

Gjendet pa shenja jete një person në komunën e Malishevës, Policia nis hetimet për rastin

Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në mëngjes në fshatin Llapçevë të Malishevës, ku një burrë është gjetur pa shenja jete pranë një automjeti të ndalur në rrugë, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, rreth orës 07:00 të mëngjesit të 27 tetorit 2025, një zyrtar policor që po kalonte me veturën e tij në dalje të fshatit në drejtim të Malishevës ka vërejtur një automjet të ndalur në skaj të rrugës dhe disa metra më tutje një person të shtrirë në tokë.

Polici është ndalur menjëherë për të parë gjendjen e personit dhe ka konstatuar se ai kishte nevojë urgjente për ndihmë mjekësore. Menjëherë ka njoftuar Stacionin Policor të Malishevës, pas së cilës në vendngjarje kanë dalë patrulla policore dhe një ekip i QKMF-së së Malishevës.

Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, personi – i identifikuar si Hazir Avdijaj – ka ndërruar jetë në QKMF-Malishevë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është inicuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e hetimeve të Malishevës, forenzika dhe hetimet rajonale.

Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkaqeve të vdekjes.

Asnjë koment

Comments are closed.