26-12-2025

Gjendja me energji elektrike në Kosovë, sqarohet KOSTT-i

KOSTT ka dhënë informacione për situatën me energji elektrike në Kosovë. Në njoftim thuhet se gjatë orëve të pikut konsumi i energjisë elektrike ka tejkaluar rekordet e mëparshme të regjistruara, duke arritur deri në 1536 MW.

“Sistemi elektro-energjetik i Kosovës po përballet me ngarkesë të rritur, veçanërisht gjatë orëve të pikut. Ditët e fundit, konsumi i energjisë elektrike ka tejkaluar rekordet e mëparshme të regjistruara, duke arritur deri në 1536 Më, me prirje që në ditët në vijim të rritet edhe më shumë.

Për t’ju informuar me transparencë: gjatë dy ditëve të fundit, më 24 dhe 25 dhjetor, si rezultat i mbingarkesave dhe me qëllim të mbrojtjes së sistemit, KOSTT ka zbatuar kufizime të përkohshme dhe të kontrolluara të ngarkesës, në total prej vetem 1.3% deri në 1.8%, në raport me konsumin e pikut.

Këto kufizime kanë qenë të nevojshme vetëm në:
• Nënstacionin Rahovec, që ndikon edhe në zonën e Malishevës; dhe
• Nënstacionin Prizreni 1, ku është e lidhur edhe Komuna e Dragashit.
Theksojmë qartë: çdo reduktim tjetër që qytetarët mund ta ndjejnë në nivel të furnizimit, vjen nga operatori i shpërndarjes – KEDS, dhe nuk është i shkaktuar nga KOSTT.
Dëshirojmë të sqarojmë se pretendimet për kufizime nga ana e KOSTT-it në NS Suharekë dhe NS Lipjan, për mungesë të kapaciteteve transmetuese, nuk qëndrojnë.

Në të dy nënstacionet, KOSTT ka në dispozicion kapacitete të mjaftueshme, ndërsa deri më tani shfrytezimi maksimal i tyre ka qenë 72% në NS Suharekë dhe 88% në NS Lipjan.
Për këtë arsye, KOSTT ka kërkuar nga KEDS që ngarkesa ne këto dy Nenstacione të shpërndahet ne menyre proporcionale sipas kërkesave te konsumit.
Gjithsesi, ne lusim me mirëkuptim, te gjithë qytetaret dhe bizneset, që paisjet me konsum të lartë ti përdorin jashtë orëve të pikut, veçanërisht, pas mesnatës kur konsumi është dukshëm më i ulët. Kjo ndihmon drejtpërdrejt në ruajtjen e stabilitetit të sistemit për të gjithë” thuhet në njoftim./Indeksonline/

Asnjë koment

Comments are closed.