Gjimnazi në Suharekë e arsyeton favorizimin e kushëririt të Bali Muharremajt: Grada shkencore nuk ka rëndësi
Gazeta Insajderi kishte raportuar ditë më parë për dyshimet mbi nepotizëm në Komunën e Suharekës,ku Dr. sc. Astrit Sahitaj, një profesor me 25 vite përvojë dhe veteran i UÇK-së, u largua nga shkolla e tij bazë, Gjimnazi “Jeta e Re”, për t’u dërguar në fshatra të largëta. Në vend të tij, orët në qytet i mori Shpat Muharremaj, i afërm i kryetarit Bali Muharremaj. Pas interesimit të gazetës, drejtoria e shkollës ka dhënë një arsyetim skandaloz, duke thënë se titujt akademikë nuk vlejnë para “harmonizimit të orarit”.
Në përgjigjen e tyre, ky institucion ka tentuar të mbrojë vendimin për sistemimin e Shpat Muharremajt, duke e cilësuar transferimin e profesorit Sahitaj si një “procedurë të zakonshme”.

“Transferimi apo plotësimi i normës në një institucion tjetër nuk lidhet me gradën shkencore të mësimdhënësit, por me fondin real të orëve të disponueshme në shkollë. Për shkak të reduktimit të paraleleve, shkolla nuk ka pasur mjaftueshëm orë për t’i siguruar normë të plotë brenda institucionit”, thuhet në përgjigjen e shkollës për Insajderin.
Drejtoria pranoi se pas 12 janarit, orët e historisë i kaluan Shpat Muharremajt. Me arsyetimin se shkolla tjetër ku ai punon e që është fillore është “afër” Gjimnazit.

“Për shkak të kësaj afërsie ka qenë më e lehtë të harmonizohet orari në këto shkolla. Kjo ndarje ka qenë e përkohshme, që të sigurohet mbarëvajtja e procesit mësimor”, deklaruan nga Gjimnazi, duke insistuar se pretendimet për favorizim nuk qëndrojnë.
Por, derisa shkolla u kujdes për komoditetin e Shpat Muharremajt, harroi mundimin e Dr. sc. Astrit Sahitajt.
Për institucionin, “harmonizimi” ishte më i rëndësishëm se fakti që një Doktor Shkence detyrohet të ndërrojë dy linja autobusi për të shkuar në fshatra.
“Më shkelën dinjitetin, orët e mia ia dhanë dikujt që është pas meje”

I ballafaquar me këto arsyetime të shkollës, profesori Astrit Sahitaj, ka hedhur poshtë pretendimet e tyre.
Ai thotë se pas 25 viteve përvojë, po detyrohet të ndërrojë dy autobusë për të shkuar në punë, ndërsa dikush me lidhje familjare me pushtetin po “rehatohet” në qendër.
“Pavarësisht përvojës sime profesionale, avancimeve akademike dhe licencës për mësimdhënie, gjatë këtij viti shkollor nuk më është plotësuar norma në Gjimnaz. Jam detyruar të mbuloj orë në shkolla të tjera, shpesh duke udhëtuar në distanca të gjata dhe duke ndërruar dy linja autobusi për të arritur në vendin e punës”, tha Sahitaj për Insajderin.
Sahitaj ka ngritur dyshime serioze se autorizimi i datës 14 janar 2026, përmes të cilit 11 orë të lëndës së historisë i kaluan Shpat Muharremajt, është një shkelje e pastër e meritokracisë.

“Ky vendim ka ngritur dyshime serioze për shkelje të parimit të meritokracisë dhe për konflikt të mundshëm interesi, pasi bëhet fjalë për një person që ka lidhje familjare me kryetarin e komunës. Unë nuk kërkoj privilegje, por zbatimin e ligjit dhe respektimin e kritereve profesionale”, shtoi ai.
Përveç anës profesionale, profesori Sahitaj ka treguar se ky vendim ka rënduar tej mase gjendjen e tij familjare, pasi aktualisht është kujdestari i vetëm i nënës së tij, e cila vuan nga kanceri.
“Situata për mua është bërë edhe më e rëndë për shkak të rrethanave familjare, pasi aktualisht kam nën përkujdesje nënën time, e cila ka nevojë për përkujdesje të vazhdueshme. Familja ime ka vuajtur padrejtësitë e regjimeve të kaluara dhe besoj se institucionet duhet të mbrojnë meritën dhe profesionalizmin”, u shpreh ai.
Për më tepër, ai i ka përcjellë redaksisë edhe vërtetimin e veteranit të luftës, duke treguar se kjo situatë po e detyron të kërkojë pensionimin e parakohshëm për t’i qëndruar pranë nënës së sëmurë.
“Kam nxjerrë vërtetimin e veteranit që të kaloj në pensionim të parakohshëm, sepse edhe nënën e kam me kancer tash e tri vite dhe unë jam ai që përkujdesem për të. Vendosja qëllimisht larg Gjimnazit, në fshatin më të skajshëm, ma vështirëson shumë punën dhe ma bën të pamundur të jem pranë saj për reagime emergjente”, deklaroi Sahitaj për Insajderin.
Ndërkohë, Sahitaj ka ndjekur rrugët zyrtare për të kërkuar drejtësi, ankesa e tij po zvarritet nëpër zyrtat e administratës komunale pa asnjë zgjidhje.
