26-11-2024

Gjithçka çfarë ndodhi dje në aksionin e madh të policisë: Sekuestrohen 22 vetura luksoze, mijëra euro, armë…

Prokuroria Themelore në Ferizaj, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës- Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, Njësinë e Hetimeve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Njësinë e Hetimeve të Doganës së Kosovës, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive, lokaleve përcjellëse dhe auto salloneve- zyrave të ndërmarrjeve, të enjten ka realizuar një aksion i cili ka rrjedh në kuadër të hetimeve lidhur me rastin “Brezovica”.

Gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur një numër i madh i autosalloneve, shtëpive dhe lokaleve përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës, Ferizajt, Vushtrrisë, Lipjanit, komunës së Vitisë, ku me ç’rast janë arrestuar 15 persona të dyshuar.

Të dyshuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 par.1 lidhur me par 3 të KPRK-së dhe “Detyrimi” nga neni 328 par.2 të KPRK-së.

Sot policia ka dhënë detaje se çfarë është konfiskuar gjatë këtij aksioni.
“Njësitet policore të DHKR-së, në bashkëpunim e koordinim me Gjykatën e Prokurorinë Themelore në Ferizaj, njësitet e ATK-së, dhe njësitet e Doganës së Kosovës, kanë kryer kontrolle-bastisje në 21 shtëpi banimi dhe 11 objekte biznesi në lokacione të ndryshme si: Prishtinë, Ferizaj, Gjilan dhe Vushtrri. Gjatë bastisjes, fillimisht janë arrestuar 14 të dyshuar meshkuj kosovarë dhe më pas është arrestuar edhe 1 i dyshuar tjetër, nën dyshimin se janë të përfshirë në kryerjen e veprave të cekura, ndërsa si dëshmi janë sekuestruar: 8 armë të ndryshme me 76 fishekë kalibër i ndryshëm, 2 shufra metalike, DVR, 22 vetura, 2 motoçikleta, 83,995 euro, 16 USB dhe dokumente të ndryshme”, thuhet në njoftimin e policisë./IndeksOnline/

Asnjë koment

Comments are closed.