Gjobiten dy institucione për moslejim të qasjes në dokumentet zyrtare
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) këtë vit ka shqiptuar dy gjoba ndaj institucioneve për moslejim të qasjes në dokumentet publike, ka bërë të ditur për Ekonomia Online, komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku.
Ajo tha se vitin e kaluar kanë qenë katër të tilla dhe se gjobat shqiptohen varësisht nga shkelja që bëhet.
Sipas saj, publikimi i të dhënave pa autorizim kap shifrën deri në 40 mijë euro.
“Katër gjoba i kemi shqiptuar gjatë vitit 2022 për institucionet publike, të cilat nuk kanë dhënë qasje në dokumente publike. Ndërsa sivjet kemi një numër më të vogël. Deri tash janë shqiptuar dy gjoba sa kam njohuri tani për tani”, tha Sogojeva-Dermaku.
“Gjobat për mosdhënie të qasjes fillon prej 3 mijë deri në 10 mijë apo edhe 13 mijë, nëse nuk kemi përgjigje nga ana e institucionit. Ndërsa për sa i përket gjobave për mbrojtjen e të dhënave ato variojnë nga 2 mijë deri në 4 mijë për marketingun e drejtpërdrejtë; për mosrespektim të kritereve ligjore për vendosjen e kamerave gjobat janë 4 mijë deri në 8 mijë; dërsa gjobat për keqpërdorim të dhënave dhe publikim të të dhënave pa autorizim, fillojnë nga 20 mijë euro deri në 40 mijë, apo edhe me 4% të qarkullimit vjetor të kompanisë”, tha ajo.
Një tjetër shqetësim për AIP-in, është edhe marketingu i drejtpërdrejtë nga kompanitë e ndryshme që bëhet ndaj qytetarëve. Sipas saj numri më i madh i ankesave është rreth dërgimit të sms-ve nga kompanitë e ndryshme.
“Po deri më tani e para ne e kemi rastin më të madh të ankesave rreth kësaj shkeljeje që bëhet për shkak të mosndërgjegjësimit, ndoshta edhe të vetë qytetarëve, por edhe të kompanive gjithsesi. Qysh vitin e kaluar është nxjerrë udhëzuesi për marketingun e drejtpërdrejtë. Ky dërgim i SMS-ve apo thirrje telefonike, në gjuhën e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave njihet si marketing i drejtpërdrejtë, prandaj edhe ne e kemi shpërndarë këtë udhëzues. E kemi të publikuar këtë udhëzues dhe shpresojmë që kompanitë ta respektojnë. to kompani të cilat nuk e respektojnë normalisht që ne tashmë kemi trajtuar shumë raste dhe kemi nxjerrë shumë mendime për ndalimin e përpunimit përmes marketingut të drejtpërdrejtë”, tha Sogojeva- Dermaku.