Gjuajtje me armë në aheng familjar në Prizren – Arrestohet i dyshuari
Përderisa jemi në sezonin e dasmave dhe në kohën e pushimeve verore, të shtënat me armë zjarri nuk po ndalen as në gazmendet e ndryshme familjare, duke u rrezikuar në këto ngjarje edhe jeta e qytetarëve, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu në rrugën ‘Alajdin Xhezairi’ në Prizren është shndërruar në skenë të veprës penale, pasi një person ka gjuajtur me armë zjarri në ajër, duke rrezikuar sigurinë publike.
Sinjali mëson se ngjarja është raportuar më 04 korrik 2025, rreth orës 20:30, përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”, ku qytetarët kanë informuar për të shtëna armësh gjatë një tubimi familjar.
Njësitet patrulluese kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje dhe kanë identifikuar të dyshuarin B. Memedali, rreth 30-vjeçar, i cili ka pranuar në vend se kishte qëlluar me armë dhe më pas ka dorëzuar armën vullnetarisht.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, ndaj tij është iniciuar procedurë penale për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga njësia për hetimin e krimeve në DRP Prizren.
Sinjali do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet për këtë rast dhe ngjarje të tjera të ngjashme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.