27-11-2024

Gjykata e Prizrenit shpall vendimin ndaj ish-inspektorit të sanitarisë

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-inspektorit të sanitarisë në Prizren, Albrim Poniku,  i akuzuar për keqpërdorim të informatës zyrtare.

Poniku akuzohej se në cilësi të inspektorit të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, nga telefoni i tij i ka dërguar Besart Bytyqit, punëtor në market “Vrrini” një SMS, me përmbajtje “ej mshile se po vina ka ti” me ç’rast market “Vrrini” përfiton përparësi për mos t’u gjobitur për shkak të mosrespektimit të vendimit të Qeverisë.

Aktgjykimi u shpall të premten, nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Elezi, tha se të akuzuarin Poniku e liron nga akuza, ngase vepra e cila i vihet në barrë, nuk përbën vepër penale.

“Lirohet nga akuza pasi që vepra penale për të cilën i akuzuari akuzohet, nuk përbën vepër penale”, tha gjykatësja.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, i akuzuari Albrim Poniku, ngarkohej se më 3 shtator 2021 në cilësi të personit zyrtar, e keqpërdorë informatën zyrtare, me qëllim që për personin tjetër të përfitojë ndonjë përparësi që nuk i takon,

Sipas aktakuzës, Poniku në cilësi të inspektorit të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, në momentin kur kupton se janë duke shkuar të bëjnë inspektimin e market dhe qebaptoren “Vrrini”, e cila gjendet në afërsi të fshatit Vlashne, lidhur me respektimin e orareve të punës në situatë të pandemisë COVID-19 të përcaktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, njofton punëtorin e këtij marketi, informatë në të cilën është qasur si rezultat i detyrës së inspektorit, e cila informatë nuk ka qenë publike.

Tutje, sipas aktakuzës i akuzuari Poniku nga telefoni i tij i dërgon Besart Bytyqit punëtor në market “Vrrini” një SMS, me përmbajtje “ej mshile se po vina ka ti” me ç’rast market “Vrrini” përfiton përparësi për mos t’u gjobitur për shkak të mosrespektimit të vendimit të Qeverisë.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i informatës zyrtare” nga neni 416, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.