24-11-2024

Gjykata hedh poshtë një ankesë të Komunës ndaj qeverisjes së kaluar

Gjykata e Prizrenit i ka kthyer përgjigje negative Komunës së Prizrenit, duke mohuar të ketë keqpërdorim në rastin e një lënde ndaj ish-qeverisjes së kaluar lokale, që ka bëjë me aplikacionin për “Furnizim me software digjital për shërbim të qytetarëve”,  shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Për rastin ka njoftuar Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, i cili në llogarinë e tij personale në ‘facebook’ ka shpreh habinë për një vendim të tillë.

Në një shkrim të titulluar “Kështu është shpenzuar paraja publike në Komunën e Prizrenit në qeverisjen e kaluar”, Haskuka ka shkruar se qeverisja e kaluar ka kontraktuar një kompani për “Furnizim me software digjital për shërbim të qytetarëve në Komunën e Prizrenit”. Me këtë komuna ka pranuar aplikacionin “SmartCity Prizren”, ndërsa kontrata e dhënë ka qenë 24,735 Euro.

“Sipas kontratës aplikacioni do të duhej të funksiononte në telefonat Android, IOS, dhe në ueb platformë, por fatkeqësisht në asnjërën prej tyre nuk punon. Gjersa në IOS (I phone) dhe ëeb nuk ekziston fare aplikacioni, ne mund ta shkarkojmë aplikacionin vetëm për Android. Por edhe kur e instalojmë, ai nuk funksionon pothuajse fare dhe nuk ka asnjë shërbim për qytetarët”, ka shkruar ai.

Sipas tij, komisioni nuk e ka bërë pranimin teknik, por drejtori i qeverisjes së kaluar ka nënshkruar faturën dhe për këtë Komunës i janë marrë të hollat me përmbarues.

“Pra qytetarëve të Prizrenit u janë marrë 28,000 Euro me përmbarues për një shërbim që nuk funksionon. Rasti është dërguar organeve të gjyqësisë, që për habi janë përgjigjur se nuk ka elemente keqpërdorimi të detyrës!? Gjykoni vetë se si funksionon ky shtet!”, ka shkruar Haskuka.

Ndryshe projekti ka qenë i Drejtorisë për Administratë, të cilën atëherë e ka udhëhequr Ilir Baldedaj. Në maj, kryetari Haskuka dhe drejtori i tashëm i këtij sektori Osman Hajdari, në një konferencë shtypi thanë se në këtë rast ka shkelje dhe se lënda do të dërgohet në Prokurori./GazetaePrizrenit.net/

Fotografia e Mytaher Haskuka

Asnjë koment

Comments are closed.