Gjykata liron të dyshuarit, kush i vrau dy vëllezërit në Malishevë?
“Më kanë lanë pa djem. M’i kanë vra të dy djemtë. Marri, bre Zoti e qitë fare gjyqtarin e prokurorin”, këto ishin fjalët e para të Tefë Malokut, babait të Shani e Bahri Malokut, të cilët në mesnatën e 9 marsit të vitit 2018, u vranë në oborrin e shtëpisë së tyre në fshatin Plloqicë të Komunës së Malishevës.
Këtë veprim Tafa e bëri të enjten pasi e dëgjoi vendimin e trupit gjykues në Gjakovë, të cilët e liruan Besim Malokun nga akuza për vrasjen e kushërinjve të tij, shkruan Gazeta Express.
Babai i dy djemve të vrarë, i ka quajtur “serbë” gjyqtarët kosovarë pas shqiptimit të vendimit duke thënë se janë ndikuar nga të dyshuarit për këtë vendim.
“Millosha. Mi kanë vra të dy djemtë, po a janë normalë këta. Këtu veç paret kanë lu rol. Dy djemtë me t’i vra e me i lëshu gjinen. Me ti vra djemtë në oborr e me i lëshu a ka ma zi. Kanë shti pare, një besë të Zotit po ta dha”, është deklaruar prindi i viktimave.
Por çka kishte pretenduar Prokuroria e Shtetit për gjithë këtë rast?
Pretendimet e Prokurorisë ishin se dorasit u futën për të vjedhur në shtëpinë e Malokëve, ndërsa pasi u vërejtën ata qëlluan pronarët e shtëpisë gjatë arratisjes.
Pas hetimeve për vrasjen Prokuroria ngriti aktakuzë me arsyetimet se motivi i vrasjes ishte tentativa për të vjedhur.
Viktimat Bahri dhe Shani Maloku, sipas Prokurorisë, në natën kritike po qëndronin në shtëpinë e tyre para se të vriteshin nga plumbat e njërit nga personat që kishin tentuar të kryenin vjedhje në atë shtëpi. Dy vëllezërit e akuzuar asnjë herë nuk e pranuan fajësinë për vrasjen, ndërsa pranuan se kishin armë pa leje.
Aktakuza shpjegonte se pasi që viktimat i kanë parë të akuzuarit, të njëjtit kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku plumbat kishin qëlluar në cak dhe dy vëllezërit mbetën të vdekur.
Versionet e familjarëve të të ndjerëve dhe të dyshuarve
Gazeta Express në vazhdimësi e ka përcjellë këtë rast. Në familjen e të dyshuarve, gruaja e njërit nga të dyshuarit Blerim Malokut 49-vjecar kishte thënë se bashkëshorti i saj në natën kritike kishte qenë në shtëpi, andaj ajo thotë se ai nuk ka pasur mundësi që ta kryejë këtë akt.
“Unë burrin e kam pas te shpia, jemi çu në mëngjes, e ka pi kafen. Veç ka dalë me shiku burri im çizme, kështu si unë, se mbajmë dele, ka dalë me i kqyrë fëmijët se përse u kthyn nga shkolla, ata kanë thënë që kanë ardhë shumë policë dhe kur ka dalë aty e kanë arrestu”, thoshte gruaja e Blerim Malokut.
E tragjedia në familjen Maloku ishte shoqëruar me mjaftë reagime publike pasi njëri nga vëllezërit ishte pjesëtarë i FSK-së, ndërsa në varrim morën krerët e shtetit.
Pas vendimit të sotëm të gjykatës, vrasja e vëllezërve Maloku hy në mesin e dosjeve ku prokuroria e shtetit nuk arriti të zbuloj dorasin e krimit ndërsa personat e arrestuar lirohen të pafajshëm.
Ndryshe shpallja e aktgjykimit të sotëm është kryer në masa të rrepta të sigurisë për shkak të tensioneve në mes dy familjeve tensione këto që ishin vërejtur edhe gjatë procesit gjyqësor.
E aktgjykimi lidhur me këtë rast ende nuk është bërë publik nga ana e organeve kompetente./GazetaExpress/