Gjykata nuk gjen shpifje në rastin e Gazmend Muhaxherit ndaj Ramush Haradinajt
Gjykata Themelore në Pejë e ka refuzuar si të pabazuar padinë e kryeministrit Ramush Haradinaj, ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Një gjë e tillë është vendosur të mërkurën nga gjykatësja Ganimete Puka, e cila ka thënë se arsyetimin e këtij aktgjykimi do ta nxjerr edhe me shkrim dhe i njëjti do tu dorëzohet palëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në shpallje të aktgjykimin nuk morën pjesë as kësaj radhe, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, po ashtu as përfaqësuesit e tyre.
Ndryshe, Ramush Haradinaj kishte ushtruar padi me 3 nëntor 2015, ndaj Gazmend Muhaxherit me pretendimin se ky i fundit kishte shpifur ndaj tij në një intervistë të dhënë për gazetën austriake “Der Standard”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në asnjë seancë të mbajtur palët ndërgjyqëse Haradinaj dhe Muhaxheri, nuk kanë marrë pjesë, duke iu shmangur përballjes me njëri-tjetrin, e të cilët janë përfaqësuar vetëm nga avokatët e tyre.
Në seancën e mbajtur me 30 nëntor 2018, i autorizuari i Haradinajt, avokati Arianit Koci, kishte kërkuar nga gjykata që t‘i aprovohet padia dhe që sipas tij gjatë administrimit të provave është dëshmuar se i padituri ka dhënë një deklaratë të pavërtetë.
Ai kishte deklaruar se i padituri nuk ka ofruar dëshmi materiale për të mbështetur deklaratat se “Ramush Haradinaj bënë para me benzinë dhe lojëra të fatit”, dhe se ” i njëjti është përgjegjës për përleshjet pas luftës”.
Ndryshe tij, si të pabazuar e ka quajtur këtë padi, i autorizuari i të paditurit Gazmend Muhaxheri, avokati Besnik Berisha.
Në fjalën e tij përfundimtare, ai kishte thënë se me provat e administruara në këtë shqyrtim nuk është plotësuar asnjë nga kushtet ligjore për ta trajtuar artikullin në “Der standard”, në përmbajtje fyese dhe denigruese për paditësin.
Sipas padisë së ushtruar më 3 nëntor 2015, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj si paditës, pretendon se është fyer dhe i është cenuar personaliteti dhe prestigji i tij, nga i padituri Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, në intervistën e dhënë në gazetën austriake “De Standard”.
Sipas pretendimeve të padisë, i padituri Muhaxheri gjatë një interviste të dhënë në të përditshmen austriake “Der Standard”, me një gjuhë denigruese për Haradinajn ka shpifur duke e ndërlidhur të njëjtin më biznese të pompave të benzinës dhe me lojërat e fatit, po ashtu edhe me disa përleshje që kane ndodhur pas luftës në Kosovë. /BetimipërDrejtësi