24-11-2024

Gjykata Speciale do të dënojë edhe me burgim të përjetshëm

Rreth treqind persona janë ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim në Hagë, të cilët do t’iu përgjigjen prokurorisë rreth dyshimeve për krime në kohën e luftës dhe pas saj, në Kosovë.

Aktakuzat e para pritet të ndodhin në vitin e ardhshëm, kurse dënimi për gjithë të akuzuarit do të jetë edhe me burgim të përjetshëm. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online drejtori Ekzekutiv i Fondit për të Drejtat Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj.

“Askush nuk mund të paragjykoj në këtë moment se kur do t’i shohim akatakuzat e para. Ka pasur spekulimi që ky fundvit do të jetë koha kur do t’i shohim aktakuzat e para. Askush nuk mund të paragjykoj duke marrë parasysh që një numër i madh i njerëzve janë ftuar për deklarata qoftë si të dyshuar qoft si dëshmitar. Vitin e ardhshëm mund të presim aktakuzat e para”.

“Lartësia e dënimeve do të shërbehen me politikat e dënimeve që janë sjell edhe në Kosove edhe Tribunali Ndërkombëtar për Ish Jugosllavi. Maksimumi do të jetë i përjetshëm, por në raste veç e veç mundemi me parë se cilat do të jenë”, tha ai.

Lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale në Kosovë, Blakaj thotë se nuk është i përcaktuar, derisa tha se mandati 5 vjeçar mund të zgjatet për aq kohë sa prokuroria ka argumente në ngritjen e rasteve.
“Mandati kohor i dhomave të specializuar nuk është i përcaktuar në mënyrë të saktë dhe precize me ligj.

Mandati do të jetë 5 vite me mundësi zgjatje mirëpo sipas gjitha gjasave dhomat e specializuara munden vetit me ja vazhdua mandatin për aq sa është e nevojshme, për aq sa prokuroria ka prova dhe mund të ngrit raste. Nuk presim që pas 5 viteve të përfundoj punë e dhomave të specializuara”.

Ndër të tjera Blakaj i tha Ekonomia Online se aneksi i veteranëve për ndjekjen penale të serbëve dhe të dyshuarve të tjerë për krime të luftës mund edhe të mos funksionojë.
Andaj kërkoj ai që autoritetet e Kosovës të insistojnë që krimet e luftës të diskutohen në dialogun Kosovë-Serbi.

“Nuk e di se a do të merren parasysh kërkesat e veteraneve që kjo gjatë t’i trajtojë gjitha lëndët që kanë ndodhur gjatë luftës. Por gjithmonë ekzistojnë gjykate e rregullta dhe nëse faktori politik gjatë procesit të dialogut me Serbinë do të insistojnë që të vendoset një bashkëpunim juridik mes Serbisë dhe Kosovës për krimet e luftës.

Atëherë gjykatat e rregullta mund ti procedojnë të gjitha rastet edhe kur forcat serbe kanë kryer krime ndaj civilëve shqiptar. Në këtë pikë autoritetet e Kosovës do duhej të insistonin gjatë dialogut”, ka thënë ai.

Specialja ka mandat për krimet e pretenduara ndaj njerëzimit, për krimet e luftës dhe veprat tjera penale që ndërlidhen me pretendimet nga raporti i Dick Martyt, e të cilat pretendohet që janë kryer në periudhën prej janarit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Asnjë koment

Comments are closed.