18-09-2025

Gjykata Speciale u vazhdon paraburgimin Veselit, Selimit dhe Krasniqit

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë vendosur që t’u vazhdojnë masën e paraburgimit Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët bashkë me Hashim Thaçin po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas tri vendimeve të ndara, të publikuara më 18 shtator 2025, Prokuroria ka argumentuar se ekziston rreziku që të akuzuarit të ikin nga drejtësia, të kryejnë krime të tjera dhe të pengojnë procedurat gjyqësore.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Charles Smith III ka vlerësuar se nuk ka prova të mjaftueshme që Veseli, Selimi dhe Krasniqi mund t’i shmangen drejtësisë në rast lirimi. Megjithatë, Gjykata ka theksuar se ekziston rreziku i pengimit të procesit dhe i kryerjes së krimeve të mëtejshme kundër personave të perceptuar si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë edhe dëshmitarët.

Për këtë arsye, Gjykata ka vendosur që paraburgimi i tyre të vazhdojë.

Ndërkohë, më 15 shtator ka nisur dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes. I pari që dëshmoi ishte James Rubin, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të shtetit, i cili u paraqit në seancë më 15, 16 dhe 17 shtator. Më pas, më 17 dhe 18 shtator dëshmoi Paul Williams.

Vetëm një ditë më parë, më 14 shtator, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare dhe mërgata.

Sipas njoftimit të DhSK-së, 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes, ndërsa parashtresat përfundimtare dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimat pritet të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

 

Asnjë koment

Comments are closed.