25-03-2026

Gjykata Supreme ua njeh pensionistëve kontributpagues edhe diplomat e pas janarit 1991

Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm një nen të udhëzimit administrativ që i detyronte pensionistët kontributpagues të paraqisnin dëshmi të shkollimit të fituar para 1 janarit 1991, për të përfituar nga kriteri i kualifikimit.

Sipas njoftimit të Gjykatës të mërkurën, kjo do të thotë se pensionistëve kontributpagues tani do t’u njihen edhe diplomat e fituara pas kësaj date.

“Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 5 të nenit 5 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2015 (MPMS), i cili rregullon kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontribut-pagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve,” thuhet në njoftim.

Gjykata vlerëson se dispozita e kontestuar, e cila kërkonte që dëshmitë për kualifikim arsimor të jenë të fituara para 01.01.1991, nuk ka bazë ligjore dhe përbën tejkalim të autorizimit të dhënë me ligj. Sipas arsyetimit të aktgjykimit, ligji për skemat pensionale nuk e lidh të drejtën në pension me kohën e fitimit të kualifikimit arsimor, por me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore.

“Dispozita e shfuqizuar është arbitrare, pa ndonjë qëllim të qartë legjitim dhe joproporcional, pasi përjashton një kategori të tërë pensionistësh kontribut-pagues që kanë përmbushur kushtet ligjore, vetëm për shkak të kohës së fitimit të kualifikimit të tyre arsimor,” theksohet në njoftim.

Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi cenon parimin e barazisë para ligjit dhe sigurinë juridike, duke krijuar dallim mes pensionistëve që janë në rrethana të njëjta sa i përket kontributeve dhe stazhit pensional.

“Dispozita e shfuqizuar është në kundërshtim me Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe cenon parimet themelore të rendit juridik, duke vendosur një kufizim të pabazuar dhe diskriminues për përfituesit e pensionit kontribut-pagues,” përfundon njoftimi i Gjykatës Supreme.

Asnjë koment

Comments are closed.