26-02-2026

Gjykimi ndaj zyrtarëve policorë, shikohen video-incizimet ku pretendohet se pranohej ryshfeti në kufirin Kosovë – Shqipëri

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj 23 zyrtarëve policorë të akuzuar për korrupsion, të enjten janë shikuar video-incizimet të marra nga masat e fshehta hetimore të Prokurorisë.

Të akuzuar në këtë rast janë: Ahmet Kasumaj, Ahmet Shabanaj, Agim Hadërgjonaj, Besim Lokaj, Demë Lokaj, Fatmir Sadiku, Fazli Gjonbalaj, Gani Ahmeti, Gëzim Hoxhaj, Gzim Shabani, Gëzim Turkaj, Haki Dobraj, Hamëz Puka, Hysen Hasani, Isa Dobraj, Ismet Tahiraj, Lush Himaj, Mergim Bekaj, Rasim Tolaj, Skender Meta, Xhemë Hadërgjonaj, Xhevdet Haklaj dhe Valon Hoxhaj, të gjithë zyrtarë policorë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Video-incizimet kishin të bëjnë me të akuzuarin Ahmet Shabanaj, ku fillimisht mbrojtësi i tij, avokati Naim Rudari kërkoi që të njëjtat të mos shikohen e as të konsiderohen të shikuara, pasi që ato i kishte kundërshtuar, por që nëse vendoset të shikohen- atëherë të mbylllet seanca për publikun.

Po ashtu, edhe avokatët e të akuzuarve tjerë kishin propozuar që video-incizimet nga masat e fshehta hetimore të shpallen si të kundërligjshme.

Këto propozime, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Syla i refuzoi, dhe seanca vazhdoi me shikimin e video-incizimeve. Për të akuzuarit tjerë, video-incizimet u konsideruan të lexuara.

ëto propozime, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Syla i refuzoi, dhe seanca vazhdoi me shikimin e video-incizimeve. Për të akuzuarit tjerë, video-incizimet u konsideruan të lexuara.

https://betimiperdrejtesi.com/wp-content/uploads/2026/02/att.WX6E4EMP61zvPdc_SoWFyrhOotOM5v-M-x2xLk2A5IY.mp4?_=1  

Pas kësaj, avokati Rudari tha se në këto incizime nuk tregohet as data e koha e caktuar, duke theksuar se i mbrojturi i tij nuk shihet se ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Me këto prova nuk provohet asgjë, vetëm se i mbrojturi im e ka bërë punën si zyrtar policor dhe asgjë më shumë”, ka thënë avokati Rudari.

Seanca pritej të vazhdonte me administrimin e provave tjera, mirëpo prokurori i rastit Ilir Morina, kërkoi kohë shtesë për të bërë veçimin e video-incizimeve për secilin të akuzuar

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 26 dhjetor 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj 23 zyrtarëve policorë, të cilët ngarkohen për korrupsion të kryer në pikën kufitarë Qafë-Morinë.

Në aktakuzë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se në periudhën kohore, gusht 2021 e deri në janar 2022, në pikën kufitare “Qafë Morinë”, në regjionin e Gjakovës, të lartcekurit në cilësinë e personave zyrtarë, atë të policit për mbikëqyrje të kufirit, me dashje dhe në vazhdimësi, individualisht dhe në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë ngarkohen se kishin pranuar ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, me qëllim që t’iu mundësohet të hyjnë në territorin e Kosovës.

E gjithë kjo sipas aktakuzës, në shkelje të Ligjit për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, Ligjit për Policinë e Kosovës dhe vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Andaj, sipas dosjes së PSRK-së, gjithë zyrtarët policorë po akuzohen qoftë individualisht apo edhe në bashkëkryerje me njëri-tjetrin për veprën penale “Marrje ryshfeti”. Kurse, të akuzuarit Agim Hadërgjonaj, Mergim Bekaj, Ismet Tahiraj, Ahmet Kasumaj, Isa Dobraj dhe Fatmir Sadiku ngarkohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Tutje, në aktakuzë në kuadër të provave janë listuar edhe video-incizime për të dëshmuar veprimet e të akuzuarve.

Gjithashtu, në disa raste në aktakuzë specifikohen edhe komunikimet që të akuzuarit i bëjnë me qytetarët, duke ua mundësuar kështu kalimin e kufirit të njëjtëve pa i vlerësuar se a i plotësojnë kushtet.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit thuhet se kanë marrë para nga qytetarë shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë në shuma të papërcaktuara dhe krejt kjo derisa të njëjtit ishin duke punuar në cilësinë e zyrtarëve policorë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.