29-11-2024

Gjykimi ndaj bashkëshortit të prokurores prizrenase Ervehe Gashi, ja deklarata e saj

Prokurorja Ervehe Gashi, në cilësi të dëshmitares të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë tha se vendimi i Gjykatës së Apelit asnjëherë nuk kishte shkuar në zyrën e saj, dhe se i njëjti ishte gjetur te një tjetër prokuror i cili sipas saj, kishte qenë i dëmtuar në këtë çështje penale.

Një deklarim të tillë, dëshmitarja Gashi e ka thënë në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, Gashi dhe Rizan Hoxhaj, në vitin 2017, në zyrën e të akuzuarit Dardan Hoxhaj, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishin kërkuar nga Hoxhaj shumën prej 6 mijë euro, duke i premtuar se nëse do t’ua paguante ato, i akuzuari Gashi do të ushtronte ndikim mbi vendimmarrjen e bashkëshortes së tij, prokurores Ervehe Gashi.

Mirëpo, pas pranimit të fajësisë, të akuzuarit Rizan Hoxhaj dhe Dardan Hoxhaj ishin shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, derisa më pas ka nisur gjykimi ndaj të akuzuarit Bajram Gashi, i cili kishte mohuar të gjitha akuzat ndaj tij.

Paraprakisht në këtë seancë Prokurorja Ervehe Gashi, e cila në seancën e sotme ishte në cilësinë e dëshmitares është njoftuar nga kryetari i trupi gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli, se meqenëse të akuzuarin e ka bashkëshort mund të lirohet nga dëshmia e saj, por që e njëjta tha se edhe përkundër faktit se bënë pjesë në grupin e dëshmitarëve të privilegjuar do të dëshmoj në këtë çështje penale.

Ajo ka thënë se për herë të parë për rastin penal me të cilin ngarkohet bashkëshorti i saj Bajram Gashi kishte dëgjuar pasi i njëjti kishte marrë ftesën e parë për intervistim nga Prokuroria Speciale.

Tutje, prokurorja Gashi në cilësi të dëshmitares ka sqaruar se fillimisht në vitin 2017 një koleg i saj kishte filluar hetimin kundër të pandehurve Dardan dhe Sadik Hoxha për shkak të disa veprave penale, mirëpo pasi që i njëjti kishte dhënë dorëheqje prej pozitës së prokurorit, kjo lëndë i ishte ndarë asaj.

Ajo tha se pas pranimit të lëndës, në bazë të kallëzimit penal plotësues të policisë kishte zgjeruar hetimin ndaj Dardan Hoxhës edhe për disa vepra tjera penale të natyrës së njëjtë si dhe për veprën penale të kallëzimit të rremë penal.

Sipas saj, para vitit 2017, zyra e kryeprokurorisë së Prokurorisë Themelore në Prizren, zyra e kryeprokurorit të shtetit, zyra e prokurorisë së EULEX-it dhe përfaqësues të mediave kishin pranuar një kallëzim penal kundër tre kolegëve të saj prokurorë dhe gjyqtar ku dyshohej në bazë të kallëzimit penal se ata kishin manipuluar me prova, kishin liruar persona prej përgjegjësisë penale duke marrë në pronësi paluajtshmëri si toka të cilat janë në territorin e Prizrenit.

Ajo tha se për këtë çështje, në bazë të hetimit të bërë dhe në bazë të marrjes së video-incizimit dhe provave të siguruara, nga postat nga ku janë dërguar këto kallëzime penale se kush kishte qenë dërgues i këtyre provave ishte vërtetuar se të njëjtat i kishte dërguar i pandehuri në atë kohë Dardan Hoxha me ç’rast ishin sekuestruar mjetet e punës në zyrën e tij dhe nga kompjuterët e tij ishin nxjerrë edhe provat tjera materiale duke u pezulluar të gjitha veprimet ndaj kolegëve të saj.

“Këtë hetim e kam përfundu dhe kam ngrit aktakuzë ndaj 2 personave. E pakënaqur me vendim të Gjykatës Themelore kam ushtruar ankesë dhe këtu vlen të ceket që vendimi i Gjykatës së Apelit kurrë nuk ka ardh në zyrën time. Kjo është vërtetuar pastaj pas përfundimit të procesit disiplinor ndaj meje që ai aktgjykim nuk ka ardhur në zyrën time por është gjetur te një prokuror tjetër i cili ka qenë i dëmtuar në këtë çështje penale” tha dëshmitarja Gashi.

Ajo shtoi se pasi që aktgjykimin e kishte pranuar 3 muaj pas plotfuqishmërisë kishte humbur të drejtën për paraqitjen e kërkesës të mbrojtjes së ligjshmërisë.

“Për këtë dëshmon edhe vendimi i panelit disiplinor të Këshillit Prokurorial të Kosovës me të cilin më ka liruar nga përgjegjësia nga të gjitha pikat që i ka bo autoriteti parashtrues”, tha ajo.

Tutje ajo shtoi se e kishte pyetur kolegun e tij se për çfarë arsye aktgjykimi kishte shkuar në zyrën e tij pasi që ai e kishte pranuar atë nëpërmjet librit të tij ngarkues dhe shkarkues por që i njëjti i kishte thënë se ai ka menduar që kishte pranuar aktgjykim në cilësinë e të dëmtuarit.

Sipas saj, njëra ndër arsyet që ajo kishte shkuar në komision disiplinor kishte qenë edhe ajo që kishte komunikuar në formë të shkruar me kryetarin e Gjykatës Themelore në Prizren duke kërkuar nga ai që t’ia siguronte kopjen e aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.

“Unë kam kërku prej shërbimit tim në prokurori nëpërmjet sekretares juridike të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore e cila me udhëzimin e kryeprokurorit ka kërkuar në pranim dhe në librat e pranimit dhe ka ardh me përgjigje se nuk është aktgjykimi. Sot ky i akuzuar pra Dardan Hoxha është në vuajtje të dënimit lidhur me çështjen penale për të cilën unë kam ngritur aktakuzën”, tha Gashi.

E pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Gashi, avokati Gëzim Kolgeci nëse gjatë kohës sa ishte marrë me çështjen penale ndaj Sadik dhe Dardan Hoxhes a kishte pasur tentime për të ndikuar në këtë lëndë nga kushdo, ajo tha se po kishte pasur.

Prokurorja Gashi në cilësi të dëshmitares ka sqaruar se në maj ose në prill të vitit 2017 duke u kthyer në shtëpi, bashkëshortja e djalit të saj Bardhit i kishte thënë “mam në ballkon po të pret një shoqe”.

Ajo ka sqaruar se në ballkon të shtëpisë kishte parë një grua me dy fëmijë të vegjël mes moshës 3 dhe 6 vjeçare, e cila i kishte thënë se “Unë jam gruaja e Sadikut që ma ke shti burrin në burg dhe babën e qetyne dy fëmive në burg”.

“Unë i thash zoj liroma shtëpinë, falënderoju zotit që ke ardh me këta dy fëmi e spo du me i traumatizu më tepër se i kisha thirr policinë, qohu menjëherë prej tavolinës, ajo u ngrit dhe tha ani ani shkoj un të Admiri e kishte fjalën për kryeprokurorin, aq shpejt ndodhi rasti sa nuk është duke mu kujtuar se çfarë tha për Admirin, a tha që e ka kushëririn e tij a çka nuk më kujtohet”, shtoi ajo.

Tutje, dëshmitarja Gashi tha se të nesërmen këtë rast e kishte lajmëruar te kryeprokurori e që pas një kohe kishte parashtruar kërkesë për përjashtimin e saj nga kjo çështje penale por që asnjëherë nuk kishte marrë përgjigje me shkrim nga kryeprokurori për përjashtim, aprovim apo refuzim.

“Veç më është thënë që kryeprokurori i shtetit ka thënë se tash jemi në përfundim të ngritjes se aktakuzës dhe është vonë për përjashtim. Përveç kësaj absolutisht nga askush tjetër nuk ka pasur ndikim”, tha Gashi.

E pyetur nga avokati Kolgeci se a i kishte përmendur ndonjëherë bashkëshorti i saj Bajram Gushi, çështjen ndaj Sadik dhe Dardan Hoxhës, dëshmitarja Gashi the asnjëherë nuk e kishte bërë një gjë të tillë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Kolgeci se a kishte dal në dark me Rizan Hoxhen dhe bashkëshortin e saj më 23 dhjetor 2017 pasi që në shkresat e lëndës Prokuroria Speciale kishte prezantuar një faturë përmes të cilës pretendohej se në atë darkë kishin biseduar për çështjen e Sadiku dhe Dardan Hoxhën, dëshmitarja Gashi mohoi të ketë dalur, duke thënë se Rizan Hoxhen nuk e kishte takuar që nga viti 2011.

E pyetur se për çfarë arsye e kishin mbajtur të pa informuar lidhur me këto ndodhi bashkëshorti i saj Bajrami dhe djali i saj Bardhi të cilin e kishte kërcënuar Dardan Hoxha, dëshmitarja tha se për rastin kishte kuptuar shumë vonë, pasi që sipas saj, bashkëshorti dhe djali i saj kishin dashur ta mbanin larg shqetësimeve.

Tutje, dëshmitarja Gashi lidhur me incizimet si prova të Prokurorisë, ka thënë se ato video dhe audio-incizime kanë pasur ndërprerje dhe se aty kishte parë edhe një sekuencë me ngjyrë të zezë duke dëgjuar një person duke biseduar në telefon.

“Tek video-incizimet shihet që Rizani është duke i marrë një sasi parash dhe duke i futur në zarf dhe pastaj telefonon dhe bisedon në telefon e në momentin kur fillon biseda gjoja se me telefonin e Rizanit është një sekuencë e zezë – monologu i Rizanit i cili flet me dikë përmes telefonit” tha ajo.

Tutje dëshmitarja tha se këtë e kishte vërejtur falë njohurive të saj si prokurore sepse kishte pasur shumë raste me hetime me këtë lloj audio dhe video-incizime.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Iliriana Tafa-Çollaku se a konsultohen me kryeprokurorin për parashtrim të ankesës në momentin kur pranojnë një aktgjykim të shkallës së parë, dëshmitarja Gashi tha se aktgjykimet së pari kontrollohen nga kryeprokurori, i cili i nënshkruan dhe i ndan ato.

“Praktika është e tillë që kur kemi të bëjmë më aktgjykime liruese, ankesa është e obligueshme, ndërsa kur janë në pyetje aktgjykimet dënuese zakonisht kryeprokurori udhëzon të bëhet ankesë por është në diskrecionin e prokurorit, a don me ushtru ankesë apo jo, kjo është procedura, ka pasur raste kur kam ushtruar ankesë edhe pse ska pas udhëzim prej kryeprokurorit ose e kundërta”, tha ajo.

E pyetur nga prokurorja speciale se për rastin konkret ndaj Sadik dhe Dardan Hoxhes a kishte pasur udhëzim nga kryeprokurori për ushtrim ankese, dëshmitarja tha se po në rastin konkret “në qoshe të aktgjykimit në faqen e parë të anës së djathtë ka qenë e shënuar fjala ankesë” .

Tutje, prokurorja Ervehe Gashi në cilësi të dëshmitares ka thënë se kishte edhe rast tjetër që Dardan Hoxha kishte shqetësuar djalin e saj Bardhin duke e përcjellë të njëjtin me veturë për të cilin rast ajo tha se kishin raportuar në polici por që të njëjtin kishin thënë se nuk e kishin iniciuar rastin.

Duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, dëshmitarja Gashi ka thënë se Rizanin e kishte njohur pasi që ishte martuar me Bajram Gashin dhe që mes tyre nuk kishte pasur ndonjë raport shumë të ngushtë,

“Raporti  i familjes sonë me Rizanin jo fortë ndonjë raport, ndërsa me Bajramin ka ndodh që 10 herë e ka thirrë në ditë me vet qka bone por pastaj ka ndodh që 3-4 muj u zhduk e nuk u lajmëru fare. Nuk është rasti sikur me shoqëritë tjera që i kemi familjar”, tha dëshmitarja Gashi.

E pyetur se a ishte në dijeni që Rizani i kishte marr një herë 1000 euro e pastaj edhe 5000 euro nga Dardani për t’ia dorëzuar Bajramit me qëllim që përmes të tij të ndikonte te ajo për lëndën që e kishte pasur Dardani, dëshmitarja tha se këtë e kishte kuptuar pasi që ishte ngritur aktakuza ndaj bashkëshortit të saj Bajram Gashit.

“Aty janë dy sene ose Rizanit ja ka kojt me bo diçka ose e ka keqpërdor emrin e Bajramit dhe sot e kësaj dike unë nuk e kam të qartë këtë punë”, shtoi ajo.

Tutje ajo ka sqaruar se e kishte pyetur bashkëshortin e saj Bajramin se pse kishte shkuar të takohehej me ata persona te “Fana Petrol”, e që i njëjti sipas saj i kishte thënë “kam shkuar atje mu taku veç për shkak se më ka ardh në shtëpi me kapadai dhe ma ka kanos djalin dhe i ka thon djalit nanën edhe baben i ki pisa, kom dasht mi kallxu djalit se as nanën as djalin nuk e ki pisa”.

Sipas saj, bashkëshorti dhe djali i saj i kishin thënë se aty kishin shkuar vetëm për shkak të kanosjes që i ishte bërë Bardhit nga Dardan Hoxha.

E pyetur nga trupi gjykues se a është në dijeni që Rizan Hoxha kishte pranuar fajësinë në bashkëkryerje me Bajram Gashin, ajo tha se është në dijeni që Rizani ka pranuar fajin por që e kishte pranuar në bashkëkryerje tha se po dëgjon tani.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje penale është caktuar më 3 qershor 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 13 prill 2021, Bajram Gashi, Rizan Hoxhaj po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, Dardan Hoxhaj po akuzohet për veprën penale “ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 2 të KPRK-së.

Siç thuhet në aktakuzë, Bajram Gashi dhe Rizan Hoxhaj gjatë muajit korrik 2017, me qëllim të përfitimit material për vete, në zyrën e të akuzuarit Dardan Hoxhaj në rrugën Ejup Statovci në Komunën e Prizrenit, në mënyrë të drejtpërdrejte kishin kërkuar nga Dardan Hoxhaj shumën prej 6000 euro duke i premtuar se nëse do t’ua paguante parat e kërkuara, i akuzuari Gashi do të ushtronte ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e bashkëshortes së tij, prokurores Ervehe Gashi e cila ishte prokurore e rastit që ishte duke u zhvilluar ndaj të akuzuarit Dardan në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe si rrjedhojë ai nuk do të akuzohej për të gjitha veprat penale qe ishte duke u hetuar.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Hoxhaj, i joshur nga premtimi i të akuzuarve, gjatë muajit korrik të vitit 2017 të akuzuarit Rizan Hoxhaj fillimisht ja dorëzon shumën prej 1000 euro, ndërsa më 22 gusht 2017 ja dorëzon edhe shumën prej 5000 euro, si shpërblim për të akuzuarit për ndihmën që i kishin premtuar se do t’ia ofronin.

Ndërsa, Dardan Hoxhaj po akuzohet nga prokuroria se gjatë muajit korrik dhe gusht 2017 në mënyrë dhe formë të përshkuar si më lartë ia kishte dhënë parat në shumë prej 6000 euro të akuzuarit Rizan Hoxhaj për t’ia dërguar të akuzuarit Bajram Gashit njëherit bashkëshortit të prokurores Ervehe Gashi e cila ishte prokuroja e rastit në procedurën penale që po zhvillohej kundër tij, në mënyrë që të ushtronin ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e prokurores dhe i akuzuari Dardan Hoxhaj të mos akuzohej për të gjitha veprat penale që po hetohej. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.