30-11-2024

Gjykimi ndaj bashkëshortit të prokurores së Prizrenit: Sipas dëshmitarit i akuzuari i tha “pasha krejt kishat e xhamiat se prokurorja, s’do të bëjë ankesë në Apel”

Dëshmitari Dardan Hoxhaj, i cili ishte i bashkakuzuar me Bajram Gashin, bashkëshortin e prokurores Ervehe Gashi, ka thënë se ky i fundit i kishte thënë “pasha krejt kishat e xhamiat se bashkëshortja ime, prokurorja, nuk do të bëj ankesë në Gjykatën e Apelit”.

Sipas aktakuzës, Bajram Gashi dhe Rizan Hoxhaj, në vitin 2017, në zyrën e të akuzuarit Dardan Hoxhaj, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishin kërkuar nga Hoxhaj shumën prej 6 mijë euro duke i premtuar se nëse do t’ua paguante ato, i akuzuari Gashi do të ushtronte ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e bashkëshortes së tij, prokurores Ervehe Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në sesionin e pasdites, dëshmitari Dardan Hoxhaj ka deklaruar se në takimin në “Fana Petrol”, i akuzuari Bajram Gashi i kishte thënë se “po që se u qova unë prej ktuhi dhe dal prej këtij takimi, ti edhe tri vjet burg i ki ma shumë”.

Kurse, ai tha se këtë që ia kishte thënë Bajram Gashi e kanë dëgjuar të gjithë të pranishmit në takim. Ndërkaq, deklaroi se përgjigja e  tij kishte qenë “ a je prokuror ti, a gjyqtar a çka je”

Lidhur me ankesën për të cilën është biseduar në këtë takim, prokurorja Ilirjana Tafa Qollaku e ka pyetur se çka i ka thënë saktë Bajram Gashi.

“Po më kujtohet fort mirë se Bajrami thotë pasha krejt kishat e xhamiat se bashkëshortja ime, prokurorja, nuk do të bëj ankesë në Gjykatën e Apelit. Këtë po ja dha edhe besën, vetëm nëse kryeprokurori i bën presion e merr penallti. Thoshte që nëse nuk e dëgjon kryeprokurorin, prokurorja shkon në përgjegjësi penale”, u përgjigj Hoxha, duke thënë se të gjithë e kanë dëgjuar këtë.

Sipas tij, Asllan Fana, pasi ka ushtruar ankesë prokurorja ndaj aktgjykimin, kishte thënë “na rrejti”.

Pas përfundimit të takimit te “Fahna Petrol”, dëshmitari tha se nuk është takuar me të akuzuarin më. Kurse, me Rizan Hoxhaj konfirmoi se është takuar thuajse çdo ditë.

“Rizani çdo ditë thuajse vike në zyrën tonë pas takimit. Herë vike vet, herë e thirrsha une, e thirrsha, lypsha llogari”, ka thënë Hoxhaj.

Pas ushtrimit të ankesës,  tha se Rizan Hoxhaj i kishte thënë “s’ki me u dënu, ka me këqyr me ul”.

“Thojke Rizani na rrejti. Gjoja kishte ky i kishte thënë nuk ngoj gruja, nuk dëgjoj. Këto janë fjalët e Rizanit që thojke, nihen në audioincizime”, tha dëshmitari tutje.

Dëshmitari Hoxhaj konfirmoi se i kujtohet se Rizani ka përmendur një person me emrin Zeka.

“E keni dëgju kur thotë se unë me Zekën, vllaun tim kemi qenë te Bajrami, dhe Bajrami i tha se si e ke leju Dardanin me incizu dhe në atë moment jemi përplas dhe Zeka ka ndërhy. Rizani më thojke mu se Bajrami lyp plumb, je i ri po s’po du me të nxit ty. Këto i ki në audioincizime”, ka thënë dëshmitari.

Sipas tij, Rizan Hoxhaj ishte mundur të zbus çështjen, e thoshte se do të shikoj ta ndihmoj në Apel.

“Jo kshtu, jo ashtu, me rrena, për me zbut çështjen, për mos me lajmëru rastin. Thash qysh ashtu, le mu që më ngarkuat për diçka që e kam bo ni gabim, por e ngarkuat edhe babën tem, po ma faturut edhe një lëndë që s’kishte fare të bëj me mu. Ma faturoj prokurorja Ervehe Gashi. Kthehet rigjykim dhe për shkak të kësaj nuk mujta me i shfrytëzu beneficionet me shku në vikend dhe tash që u bo i plotfuqishëm apet i pafajshëm”, deklaroi Hoxhaj.

Ai tha se pas takimit te “Fana Petrol” Rizan Hoxhaj i kishte kthyer paratë pasi ishte dënuar dëshmitari.

“Unë vonë mora vesh. Ja ka gjujt paret, baba jem tu kalu rrugës, ja gjuan me një zarf, para kamve ja gjun, Rizani. Dhe më ka kallxu zeka, vllau i Rizanit se ja ka kthy paret babës tem. Unë i kam thënë babës tem, unë kam dhënë pare, unë i pranoj, ti s’ki pse merresh me këtë punë”, deklaroi Hoxhaj.

Sipas tij, Rizan Hoxha i kishte thënë se në burg nuk do të shkoj dhe një dënim me kusht do ta marr.

Ai tha se për publikimin e incizimeve vetëm e ka pritur vendimin e Gjykatës së Apelit pasi dyshonte pak a shumë në drejtësi pasi kishte të bënte me çështje të prokurorëve dhe për atë arsye e ka pritur vendimin e Apelit.

Tutje, tha se fillimisht prokurori Dren Paca i kishte thënë se do të jetë si dëshmitar bashkëpunues dhe më pas i kishte thënë se si i pandehur.

“Gjykata ma konfirmoj aktakuzën kështu që u dasht me pranu diçka, po hupi shumë beneficione brenda burgut, dhe u desht diçka me pranu”, tha dëshmitari Hoxhaj.

Tutje, tha se ka dëgjuar nëpër kafe shumë raste që i akuzuari ka vepruar njëjtë edhe me persona të tjerë.

“Ja ka kry punën, ai s’ka përfundu në burg. I lirë është”, tha ai duke iu referuar një rasti. Ndërkaq, tha se nuk e di si ja ka kryer punën a me parë apo pa para.

Në bisedat me Rizan Hoxhaj, ai tha se i kishte thënë se do të bëj kërkesë publike për inicimin e procedurës penale ndaj prokurores Ervehe Gashi dhe ndërmjetësuesit e saj, Bajram Gashi dhe Rizan Hoxhaj.

“Thot çka don me bo ti me kto, ti a don me dëmtu veten. Thash mu mu ka qel varra, edhe ju duheni me shku, qysh më keni mashtru, edhe ju keni me përfundu thash aty”, deklaroi Hoxhaj.

Prokurorja më pas i ka rikujtuar dëshmitarit një dialog nga një audioincizim, ku Rizan Hoxhaj gjatë kësaj bisede thotë “mu lajmërom, s’ka problem”. Kurse, dëshmitari i thotë “vet e ke dëshmu se Bajrami i ka marrë paret.

Kurse, dëshmitari konfirmoi këtë dhe tha se Rizan Hoxhaj i kishte thënë “ po në gjyq, a dëshmoj a jo, është diçka tjetër”

Tutje, ai rrëfeu se ka marrë kërcënime.

“Rizani e merr nipin e tij, nuk e di si e pat emrin, edhe më kërcënon, më thoshte “i publikon ti këto incizime, ki punë me mu”. Kjo ka qenë nuk e di para se me u shpall aktgjykimi i Apelit ishte. Unë thash “atë rrugë që e kam nis, kam me cu deri në fund”, deklaroi ai.

Sipas tij,  prej momentit që ka ushtruar kallëzim penal është i rrezikuar nga Bajram Gashi dhe familja e tij dhe Rizani e familja e tij, konkretisht nga Bajram Gashi.

“Bajrami e thirrke në telefon babën tem. Unë e thirrsha Rizanin, i thojsha çka u bo me këtë punë, kur e shihsha nuk shkojke 5 minuta e thirrke babën tem Bajrami. Nuk e di çka i ka thënë Bajrami babës tem, por baba më bonte presion duke më thënë “ a don me shkatërru familjen, a çka don me bo”, tha ai.

Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, e ka pyetur nga momenti kur ka filluar shqyrtimi gjyqësor ndaj Bajram Gashit,  a ka pasur ndonjë kanosje ndaj familjarëve të tij qoftë nga Bajrami apo familjarët e tij, kurse dëshmitari e mohoi këtë.

Tutje, gjykimi ka vazhduar me marrjen në pyetje nga avokati Gëzim Kolgeci.

“Deklaruat se asnjëherë nuk keni kontaktuar Rizanin lidhur me ndihmën për çështjen penale kundër jush dhe babait tuaj. Në seancën e shqyrtimit gjyqësor, babai juaj Sadiku dhe vëllai juaj Asdreni, kanë deklaruar se e kanë kuptuar më vonë se Dardani ka kërkuar ndihmë nga Rizani”, ka thënë avokati Kolgeci.

Ndërkaq, dëshmitari tha se kjo është e pavërtetë dhe se e vërteta është se Rizani ka shkuar te ai dhe i ka kërkuar para, kurse ai nuk i ka kërkuar ndihmë dhe nuk i ka thënë asnjëherë që të ja kryej ndonjë punë.

Tutje, ai deklaroi se Bajram Gashi nuk ka qenë në zyre të tij me Rizan Hoxhaj për të kërkuar para. Sipas tij, i akuzuari e kishte dërguar Rizan Hoxhaj.

Tutje, ai tha se  ka marrë premtim përmes babait të tij dhe Rizanit se do t’i ndihmoj Bajram Gashi për rastin, por se direkt Bajram Gashi nuk i ka thënë se do ta ndihmoj. Kurse, pastaj tha se në takimin te “Fana Petrol” i ka premtuar personalisht se prokurorja nuk do të bëj ankesë në Gjykatën e Apelit, me kusht që t’i fshij incizimet që ka poseduar dëshmitari.

Tutje, ai mohoi se e ka parë personalisht fizikisht, Rizan Hoxhaj duke i dhënë paratë Bajram Gashit në emër të ndihmës për çështjen penale ndaj tij dhe babait të tij.

Në vijim, ai u pyet nga mbrojtja nëse përveç fjalëve të Rizan Hoxhaj që paratë i janë dorëzuar, a ka ndonjë provë tjetër që argumenton këtë.

“Si provë është se babai im shkon te Bajrami, e merr Rizani babën tem dhe shkojnë te Bajrami dhe e vërtetojnë këtë fakt. Tjera prova nuk kam, përveç incizimeve që i kam bërë më vonë dhe janë në shkresa të lëndës”, u tha nga dëshmitari.

Gjithashtu, avokati Kolgeci tha se në incizimet që janë prova materiale në këtë çështje penale, ai ka shprehur në vazhdimësi dyshime në vërtetësi për fjalët e Rizan Hoxhaj dhe e ka pyetur nëse është e vërtetë kjo.

“I kam besu, masanej i shpreha dyshimet te aj. U shfaqen sepse gjatë gjykimit, tu e pa gjatë fazës së provave tu e pa që nuk ka, gjithmonë i thosha nuk o puna mirë, ai thoshte fundi do vjen mirë. I ceka këto.  I thash çka o kjo punë, ende o e njëjta, si kur kanë filluar hetimet edhe gjatë zhvillimit të fundit gjyqësor”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari tha se Rizan Hoxhaj i ka dërguar vet paratë te Bajram Gashi, por pas disa ditësh ka kërkuar që Rizani bashkë me babain e tij të shkoj te vila e Bajramit.  Ndërkaq, ditën kur ja ka dorëzuar Rizanit pesë mijë euro, ai tha se ky i fundit ka shkuar vet te vila e Bajramit dhe këtë e di pasi e ka përcjellur.

Në lidhje me darkën në restorantin “Fuad”, ku tha se prokurorja ka garantuar se puna do të kryhet dhe fundi po vjen i mirë, ai u  pyet se ku e bazon këtë pretendim dhe a e ka dëgjuar vet këtë.

Tutje, ai konfirmoi se fjalët që prokurorja ka thënë se puna do të kryhet ia ka thënë Rizan Hoxhaj, në momentin kur ia ka paguar faturën e darkës në shumë prej 85 eurosh pasi Rizan Hoxhaj i kishte thënë se aty kanë shkuar për të biseduar për çështjen e tij.

I pyetur se pse ka pritur më shumë se tre vite për të parashtruar kallëzimin penal, ai tha se e ka thënë qartë që nga fillimi se ka pritur vërtetimin nga Gjykata e Apelit.

“Dmth përmes këtyre incizimeve nuk keni tentu me bo naj ndikim a shantazh te Bajrami”, ka pyetur avokati, ndërkaq dëshmitari e mohoi këtë.

Tutje, avokati tha se pasi dëshmitari ka kuptuar se as i akuzuari e as prokurorja Ervehe Gashi nuk janë duke e ndihmuar, përmes Rizan Hoxhaj ka përcjell një kërcënim mjaft serioz.

“Po ju referohem fjalëve të juaja në takim që keni pasur me Rizanin, citoj “unë pa e njollos prokuroren nuk e lë, dhe pa e rraf Bajramin me e thy nuk e lë, pasha këta tre fëmijë që po bëj”, ka lexuar avokati, si dhe ka treguar se të njëjtat vërehen në video-incizimin 3.

Kurse, dëshmitari tha se nuk është e vërtetë se ka përdor këto fjalë, por përkundrazi ai ka qenë i kërcënuar nga Rizani duke i thënë se “nëse i dorëzon këto incizime ku do shkosh ti”.

Avokati Kolgeci pasi përfundoi marrjen në pyetje kërkoi nga gjykata që ky dëshmitar me dëshmitarin Asllan Fanaj të ballafaqohen për shkak të kundërthënieve dhe se kjo është në interes të drejtësisë.

Ndërkaq, kryetari i trupit gjykues, i kërkoi të përpiloj kërkesën me shkrim, për të cilën tha se më pas do të shqyrtohet.

Tutje, atij pyetje i ka drejtuar i akuzuari Gashi, i cili e pyeti se a njeh Ilir Baldedën dhe sa herë është takuar me të.

Kurse, dëshmitari tha se ky ka qenë ish-drejtor i administratës publike në komunë dhe se atë e ka shok dhe ka raporte të mira me të.

Kurse, Gashi e pyeti se sa herë është takuar me Baldedën në vitin 2021 para se të lajmërohej rasti. Ndërkaq, dëshmitari tha se nuk i kujtohet sa herë ka qenë, por se  çdo dy ditë apo javë ka shkuar në kafe te ai, ku kanë ndenjur me shokë.

Tutje,  dëshmitari tha  se Rizan Hoxhaj i kishte thënë “dërgoj ti incizimet, unë kam shumë shokë  e miq” dhe se ka përmendur Fillim Skoron, Valdete Dakën, Sylën Hoxhën e se Bajramit nuk mund t’i bëj asgjë pasi është i fortë dhe e ka gruan prokurore.

Anëtari  i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi e ka pyetur dëshmitarin se a i ka kërkuar para i pandehuri për favoret që i pretendon.  E dëshmitari tha se direkt nuk i ka kërkuar para, por sipas tij përmes Rizan Hoxhajt.

“Rizanin në fillim e ke quajtur sot mashtrues,  a mendon që është mashtrues Rizani”, ka pyetur Krasniqi, e dëshmitari tha se vonë e ka kuptuar që është mashtrues.

Tutje, gjykatësi Krasniqi e pyeti a ka mundësi që Rizan Hoxhaj si mashtrues që po e quan dëshmitari e ka keqpërdorur shoqërinë që ka pasur me Bajram Gashin për të marrë para pa e ditur Bajram Gashi.

“Me bisedën që kam bo me Rizanin, Rizani me bindje të plotë thoshte se i kam cu paratë te Bajrami dhe këta para thojke se asnjë cent nuk e ka marrë”, tha dëshmitari.

Tutje, ai tha se pas vendimit të Apelit ka bërë edhe kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, të cilën ja kishte refuzuar Gjykata Supreme, ku dënimi i kishte mbetur në fuqi.

Tutje ai u pyet cili ka qenë interesi i Bajram Gashit e prokurores për t’ia marrë paratë e mos ia kryer punën, e dëshmitari tha se këta e dinë këtë.

Ai vijoi të pretendoj se në shumë raste Bajram Gashi me Rizan Hoxhaj kanë bërë veprimtari të njëjtë si në rastin e tij, e se për këtë ka dëgjuar në kafe, por se nuk di raste konkrete.

Në fund ai tha se kurrë nuk ka qenë në polici dhe nuk është përballur me ligjin, mirëpo nga momenti që ka bërë kallëzim penal është i rrezikuar nga këto familje apo rrethit të tyre, Bajram Gashit dhe Rizan Hoxhaj e se po sa të del nga burgu nuk i mbetet vend të jetoj në Kosovë.

Ai u pyet se pse e thotë këtë dhe a ka bërë ndonjë denoncim për këtë dhe ju kërkua të tregoj nëse i është dhënë ndonjë mesazh nga familja e Bajram Gashit që e ka bërë të ndihet i rrezikuar.

“Shumë njerëz më thoshin ke hi keq”, ka thënë ai, kurse kur u pyet se a i ka thënë atij personalisht apo familjes së tij dikush se Bajrami i ka çuar fjalë, ai e mohoi këtë.

Ai tha se direkt nuk i ka dërguar fjalë Bajram Gashi, por indirekt po.

“Secili thojshin ke hi keq me Bajramin se i ke bo kallëzimin penal”, ka thënë Hoxhaj.

Kurse, në fund vëllai i Bajram Gashit iu drejtua dëshmitarit duke e pyetur “Pse e ke njek djalin e Bajramit ton ditën me kerr”

Seanca e ardhshme pritet të mbahet me 14 prill, ora 9:30.

Gjykimi për ushtrim ndikimi, dëshmitari pretendon se prokurorja Ervehe Gashi ishte në dijeni të ngjarjes, por s’e dinte për incizimet

Prishtinë- Dëshmitari Dardan Hoxhaj, i cili ishte i bashkakuzuar me Bajram Gashin, bashkëshortin e prokurores Ervehe Gashi, ka pretenduar se prokurorja ka qenë në dijeni për ngjarjen, por se nuk ishte në dijeni të incizimeve që ai kishte bërë.

“Ka qenë në shumë dijeni prokurorja  për këtë çështje, sepse me rastin e shpalljes së aktgjykimit kur unë fillova me folë në sallë, para se me ardhë gjyqtarët, prokurorja e lëshon sallën sepse unë thash unë do të shkoj në burg dhe pas meje do të vijnë dy apo tre. Kishte dijeni për këtë rast, por nuk kishte dijeni se i kam incizimet që i kam bërë duke dhënë paratë”, tha dëshmitari.

Sipas aktakuzës, Bajram Gashi dhe Rizan Hoxhaj, në vitin 2017, në zyrën e të akuzuarit Dardan Hoxhaj, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishin kërkuar nga Hoxhaj shumën prej 6 mijë euro duke i premtuar se nëse do t’ua paguante ato, i akuzuari Gashi do të ushtronte ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e bashkëshortes së tij, prokurores Ervehe Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.