Gjykimi ndaj deputetit Adem Hoxha, kërkohet përjashtimi i gjykatëses
Me pretendimet se gjykatësja e rastit, Sabaheta Kurteshi, mund të tregohet e njëanshme gjatë procedurës dhe marrjes së vendimit, i dëmtuari Berzat Berzati, ka kërkuar përjashtimin e saj nga procesi gjyqësor, në të cilin i akuzuar është deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha, njëherësh kryetar i Partisë së Bashkuar Gorane (JPG).
Në këtë rast, deputeti Hoxha akuzohet për dy vepra penale, atë të sulmit dhe të kanosjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kërkesën për përjashtimin e gjykatëses Kurteshi, i dëmtuari Berzati e ka bërë në seancën e së mërkurës që është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash.
Madje, i dëmtuari ka kërkuar që ky rast të gjykohet nga Gjykata Themelore në Prizren.
“Kam vërejtur se bashkëshorti juaj shoqërohet me këtu të pandehurin, i kam parë dy herë duke pirë çaj së bashku dhe dyshoj për konflikt të interesit. I pandehuri është i këtij vendi, ka ndikim politik këtu, për këtë arsyeje dua përjashtimin tuaj si gjyqtare dhe përjashtimin e kësaj gjykate. Dua që këtë lëndë ta gjykoj Gjykata në Prizren”, ka deklaruar i dëmtuari në seancën e së mërkurës, duke thënë se ndihet i pakënaqur me vonesat në këtë çështje.
Kërkesën për përjashtimin e gjykatëses Kurteshi, e ka kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarit Hoxha, avokati Hajrip Krasniqi.
“Gjykata deri më tani ka vepruar sipas dispozitave të procedurës penale dhe në mënyrë të përgjegjshme ashtu që paraprakisht gjyqtari i mëparshëm është tërhequr nga gjykimi i kësaj çështje. Shkak për tërheqje ka qenë pikërisht për të mos lenë dyshim eventual, për anshmëri të mundshme, prejse kjo lëndë ju është caktuar juve si gjyqtare, është udhëhequr plotësisht sipas dispozitave të Kodit Penal”, ka thënë avokati Krasniqi.
Ai ka thënë se deklarimet e të dëmtuarit, kanë si qëllim komprometimin e figurës së klientit të tij.
Krasniqi ka thënë se kjo gjykatë nuk i plotëson dëshirat personale të palëve, por vepron sipas dispozitave në fuqi.
“Duke pasur parasysh faktin se kemi të bëjmë me një qytezë të vogël, është shumë e kuptueshme se njerëzit mund të njihen mes vete apo edhe të qëllojnë rastësisht në vende të njëjta dhe të takohen, pa pasur involvim në çështje të cilat kanë të bëjnë me anëtaret e tjerë të familjes së tyre”, ka thënë avokati Krasniqi.
Ndërkohë, gjykatësja Kurteshi e ka ndërprerë shqyrtimin e së mërkurës, e cila ka kërkuar nga pala e dëmtuar që këtë kërkesë ta bëjë edhe në formë të shkruar.
Në shqyrtimin e së mërkurës, prezent ishin edhe prokurorja Mehreme Hoxha si dhe dëshmitarët Selman Osmani, Abdullah Haliloviç dhe Enes Sherifi. Gjithashtu, i pranishëm ka qenë edhe vet i akuzuari Hoxha.
Seanca e radhës është shtyrë për kohë të pacaktuar.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 20 shkurt 2018 nga Prokurori Themelore në Prizren, Adem Hoxha akuzohet se më 26 nëntor 2017, në selinë e Partisë së Bashkuar Gorane (JPG), në Dragash, me dashje përdor forcë ndaj personit tjetër, pa pëlqimin e atij personi.
Në aktakuzë thuhet se ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë, që derisa të dëmtuarit Berzat Berzati dhe Fatir Berzati, kishin shkuar në selinë e partisë, ku fillimisht e kishin përshëndetur kryetarin e partisë, tani të pandehurin Adem Hoxha, ku ky i fundit i është drejtuar me fjalët “ti nuk meriton të më përshëndetësh mua”.
Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë bisedës i pandehuri Adem Hoxha është ngritur nga ulësja dhe i është drejtuar tashmë të dëmtuarit Berzat Berzati “ti del në rrugë, sepse nuk je anëtar i partisë dhe nuk ke të drejt të qëndrosh aty”.
Sipas aktakuzës, i dëmtuari Berzati duke dal jashtë, goditet me shqelma mbrapa nga i pandehuri dhe më pas ai e godet me grushte dhe shuplaka në fytyrë edhe të dëmtuarin Fatir Berzati.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale të sulmit, nga neni 187 paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.
Bazuar në aktakuzë, me datën, kohën dhe vendin e përshkruar si më lartë, i pandehuri Hoxha, seriozisht kanos të dëmtuarin Fatir dhe Berzat Berzati, me fjalë vepra apo gjeste se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe.
Sipas aktakuzës, kanosja bëhet në atë mënyrë që u drejtohet me fjalët “ty dhe vëllain tënd kam me ju zhduk, ju keni me qenë shembull për të tjerët, familja ime është e rrezikshme” dhe kishte vazhduar me tutje me fjalët “ti dhe vëllau yt do ta mbani në mend se kush është Adem Hoxha, he ja u q***n***, r***”, gjë që, sipas prokurorisë, tek të dëmtuarit ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë.
Më këtë, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale të kanosjes, nga neni 185 paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës./betimiperdrejtesi