Gjykimi ndaj inkasantëve të “Hidroregjionit Jugor”: Prokuroria kërkon dënim sipas ligjit, mbrojtja lirimin e Gallopenit
Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, janë dhënë fjalët përfundimtare ndaj të akuzuarit për veprën penale përvetësimi në detyrë, Hafir Gallopeni.
Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Ervehe Gashi deklaroi se dëmi i shkaktuar në bazë të ekspertizës së tre ekspertëve financiar në këtë rast është mbi 19 mijë e 593.33 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu prokurorja Gashi deklaroi se nga dëshmitë e dëshmitarëve dhe analizimit të provave gjatë procesit gjyqësorë është vërtetuar në tërësi gjendja faktike, e përshkruar si në dispozit të aktakuzës.
Tutje, prokurorja deklaroi se i akuzuari ka vepruar me dashje të drejtpërdrejt dhe ka realizuar përfitim të dobisë pasurore, duke përmbushur elementet esencilae të veprës penale për të cilën akuzohet, andaj i propozoi trupit gjykues që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ta dënoi sipas ligjit. Ndërsa fjalën përfundimtare në formë të shkruar ia dërgoi trupit gjykues.
Fjalën e prokurores e mbështeti edhe pala e dëmtuar, Hidroregjioni Jugor, përfaqësuesi i saj Kadri Zogaj,i cili deklaroi se parashtrojnë kërkesë pasuore juridike në vlerë prej 19 mijë e 593.33 euro.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Asman Hoxha, i cili po ashtu fjalën përfundimtare e dërgoi para trupit gjykues në formë të shkruar, deklaroi se gjatë gjithë procesit ka konstatuar se edhe nëse gjendet ndonjë provë në lidhje me këtë rast, atëherë do kemi të bëjmë me ndonjë vepër tjetër penale, e jo me veprën me të cilën akuzohet këtu i mbrojturi im.
Tutje, avokati tha se nga administrimi i provave, prokuroria nuk ka arritur të argumentoi se pala e dëmtuar, është vërtetë palë e dëmtuar, duke mos sjell asnjë dokument se e dëshmon se në çfarë forme Hidroregjioni Jugor është dëmtuar nga Hafir Gallapeni.
“Po ashtu asnjë dëshmitarë nuk ka deklaruar se dyshojnë se Hafir Gallopeni ka kryer ndonjë veprim të parregullt apo të kundërligjshëm” tha ai.
Në fund, mbrojtësi deklaroi se klienti i tij nuk është fajtor, andaj kërkoi që ai të shpallet i pafajshëm.
Fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij e mbështeti edhe i akuzuari Hafir Gallopeni.
Në fund, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi, njoftoi palët se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 22 tetor në ora 09:30.
Ndryshe, më 3 mars të vitit 2016, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Hafir Gallopeni, Faik Berisha, Isen Ramanaj dhe Dardan Gashi, për veprën penale “përvetësimi në detyrë”.
Ata akuzohen se në cilësi të inkasantëve në kompaninë e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, përgjatë periudhës mars 2013 – maj 2015, nuk e kanë dorëzuar të gjithë shumën e inkasuar nga konsumatorët, duke i shkaktuar kompanisë në fjalë dëm në vlerë rreth 26 mijë euro.
Mirëpo, të akuzuarit Faik Berisha, Isen Ramanaj dhe Dardan Gashi, pas ngritjes së aktakuzës, kanë arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, me organin e akuzës, ndërsa i akuzuari Hafir Gallopeni, nuk ka arritur një marrëveshje të tillë, andaj për të njëjtin procesi gjyqësor ka vazhduar ndaras. /BetimipërDrejtësi