Gjykimi ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren, kërkohen sqarime shtesë për ekspertizën
Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, i akuzuari Nexhmedin Musliu dhe mbrojtësit e tij deklaruan se ekspertiza e ndërtimtarisë ka mangësi dhe se duhet që të ftohet eksperti për të dhënë sqarime shtesë në rastin ku ish-inspektori i ndërtimit, Nexhmedin Musliu, akuzohet për korrupsion.
Në seancën e kaluar është aprovuar propozimi që të caktohet një ekspertizë e ndërtimtarisë për vlerësimin e dëmit që i është bërë Komunës së Prizrenit.
Ndërsa në seancën e së enjtes, fillimisht kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi konstatoi se në bazë të urdhëresës së lëshuar më 9 mars 2022 për sigurimin e ekspertizës të ndërtimtarisë, janë siguruar dy ekspertiza, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas saj, është ekspertiza në pjesën e parë të 18 marsit 2022, ku eksperti Liman Mustafa ka shpjeguar se është përpunuar në bazë të shkresave të lëndës si dhe plotësimi i ekspertizës i 24 marsit 2022.
Prokurorja Ervehe Gashi si dhe përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, avokati Blerim Mazreku deklaruan se nuk kanë vërejtje në ekspertizën e punuar.
Ndërsa, mbrojtësit e të akuzuarit Nexhmedin Musliu, avokatët Blend dhe Gent Gjini kishin vërejtje në ekspertizën e punuar dhe propozuan që të dëgjohet në cilësi të ekspertit, inxhinieri Liman Mustafa, pasi që ekspertiza ka shumë mangësi dhe se duhet një sqarim shtesë i saj.
Në këto rrethana, seanca e shqyrtimit gjyqësor u caktua më 11 dhe 17 maj 2022.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 25 shtator 2019, Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ai akuzohet se prej 21 nëntorit 2016 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar-inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarrë veprime, i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mospagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.