Gjykimi ndaj ish-kryetarit të Malishevës: Dëshmia e ish-asamblistit, disa projekte s’janë përfunduar
Ish-asamblisti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në Komunën e Malishevës, Alban Mazreku, në cilësi të dëshmitarit, në gjykimin ndaj ish-kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj, ka thënë se në raportin financiar disa projekte janë paraqit si të përfunduara, kurse në terren nuk janë përfunduar.
“Në buxhetin e vitit 2017 kanë qenë të parapara të ndërtohen: rruga kryesore në drejtim të rrugës së tranzitit, rruga prej xhamisë deri te varrezat e dëshmorëve, si dhe një ka qenë nga lagja “Veselaj” në drejtim të fshtatit Balaj, këto kanë qenë të raportuar në raportin financiar të investimeve kapitale ku kanë figuruar si të përfunduara, kurse në terren nuk kanë qenë të përfunduara”, ka thënë dëshmitari Mazreku.
Një deklarim të tillë, dëshmitari Alban Mazreku e ka dhënë në seancën e djeshme, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimi ndaj ish-kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj, i cili po akuzohet për korrupsion, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Naim Abazi, Mazreku ka deklaruar se kryetari i Komunës është i obliguar që të raportojë para asamblistëve të Komunës për shpenzimet e buxhetit të Komunës përkatëse.
Ai tha se në raportin vjetor të kryetarit të Komunës, është raportuar për shtrimin e disa rrugëve, por që të njëjtat nuk janë përfunduar asnjëherë, si dhe ka shtuar se paratë figurojnë si të shpenzuara për ato rrugë.
Tutje, ai ka thënë se raportet me të cilat mjeteve financiare iu është ndërruar destinimi prej një projekti në projektin tjetër, nuk i kanë parë asnjëherë përkundër kërkesave të tyre në mbledhjet e kuvendit komunal.
Ndërsa, lidhur me ndërtimin e sallës së sporteve në SH.F.M.U “Visar Krasniqi” në fshatin Drenoc, Komuna e Malishevës, ka thënë se e njëjta nuk është ndërtuar kurrë për arsye politike.
“Personalisht gjatë mandatin tim ai vendim i asamblesë komunale nuk është realizuar asnjëherë, nuk është ndërtuar për arsye politike, ndoshta për shkak kërkesës që ka pas kryesia e fshatit për me u ndërru destinacioni ku ne kemi kërkuar si asamblistë, kurse qeveria ka kërkuar në vendin tjetër, thjesht vendimi i asamblistëve nuk është realizuar asnjëherë”, ka thënë dëshmitari Alban Mazreku.
Kurse, ai ka thënë se një pjesë e shkollës fillore në fshatin Panorc është ndërtuar në pronë private, ndërsa pjesa tjetër në pronë publike, pa procedura ligjore dhe pa vendimin e asamblistëve.
Ndërsa, në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Begaj, avokatit Emrush Kastarti, dëshmitari Mazreku ka thënë se nuk ka njohuri nëse Begaj e ka keqpërdorur detyrën e tij, por ka shtuar se ligji e ka obliguar të njëjtin ta mbrojë buxhetin e Komunës.
Gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e drejtorit për Buxhet dhe Financa në Komunën e Malishevës, Valon Mazreku, i cili ka deklaruar se raporti financiar, i cili pasqyron të hyrat dhe të dalat, nuk kërkon miratim në kuvend komunal, por sipas tij vetëm pasqyrimin e saj për anëtarët e kuvendit komunal.
Ndërsa, lidhur me vendimin e ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Begaj për lëvizjen e mjeteve buxhetore nga një projekt në tjetrin, dëshmitari tha se është bërë për te mirën e Komunës, e sipas tij me qëllim që ato mjete të cilat nuk kanë mundur të ekzekutohen për arsye të ndryshme, janë destinuar për t’i paguar disa obligime brenda kontratave që kanë qenë.
Ai tha se vendosja për ndërtimin e sallës së sporteve në shkollën në fshatin Drenoc ishte bërë me arsye se shkolla kishte qenë në qendër të fshatit dhe për të qenë e qasshme për gjithë komunitetin në atë fshat, ndërsa ka shtuar se ajo sallë nuk është ndërtuar asnjëherë.
Tutje, ka thënë se nuk e di nëse shkolla në fshatin Panorc është ndërtuar në pronë publike apo private.
“Ajo shkollë është ndërtuar me kërkesë të banorëve, e cila tanimë është e ndërtuar, por nuk e di a është ndërtuar në pronë publike apo private, veç e di që është ndërtuar në fshatin Panorc dhe sa kam njohuri e njëjta shkollë ende nuk është funksionale, dhe konsideroj që për shkak të inventarit nuk është funksionale”, ka thënë dëshmitari Valon Mazreku.
“Nga ai vendim nuk është dëmtuar paraja publike, unë konsideroj se është mbrojtë paraja publike duke pas parasysh që në momentin që nuk paguhen obligimet e Komunës me kohë, marrin kosto shtesë përmes procedurave përmbarimore dhe normal ky vendim nuk e ka dëmtuar buxhetin, por konsideroj se e ka ruajtur buxhetin e Komunës”, ka deklaruar dëshmitari Valon Mazreku.
Tutje, ai ka thënë se asnjë zyrtar publik nuk ka përfituar nga investimet publike.
“Unë mendoj se asnjë zyrtar publik nuk ka përfituar në mënyrë të parregullt nga investimet publike, përveç pagave që janë si të punësuar, aq më pak kryetari Begaj, ku ky një jetë të tërë ia ka kushtuar Malishevës, e të vetmit ata që kanë përfituar janë ata që i gëzojnë ato investime, pra qytetarët”, ka deklaruar ai.
Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani me vendim i ka aprovuar propozimet e mbrojtjes që seancën e radhës, në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Muharrem Morina, si dhe të ftohet eksperti financiar Agim Sheqiri për të elaboruar ekspertizën e tij.
Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 2 mars 2022.
Sipas aktakuzës së ngritur më 7 prill 2021, Ragip Begaj po ngarkohet se më 6 korrik 2018 e në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar, respektivisht si kryetar i Komunës së Malishevës, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Begaj, më 7 nëntor 2018, ka caktuar lokacionin për ndërtimin e shkollës në fshatin Panorc, ku i kishte premtuar të dëmtuarit që të hyjë në marrëveshje për shkëmbimin e tokës me qëllim të ndërtimit të kësaj shkolle.
Siç thuhet në aktakuzë, një pjesë e objektit të kësaj shkolle ishte planifikuar të ndërtohej në pronë private, në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal të 4 majit 2018, i cili vendim kishte për qëllim që të ndërtohej aneks i shkollës “Visar Krasniqi” në fshatin Drenoc të Malishevës, i cili aneks nuk ishte ndërtuar asnjëherë.
Po ashtu, i njëjti po ngarkohet se në tetor të vitit 2018 kishte nxjerrë aktvendim për bartjen e mjeteve financiare nga një program në tjetrin, në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Sipas aktakuzës, mjetet financiare nga kodi investime kapitale pa miratimin paraprak të MF-së i ka bartur në kodin mallra dhe shërbime e pastaj këto mjete i kishte përdorur për pagesën e detyrimeve financiare të komunës ndaj personave të tretë pa miratimin e Kuvendit Komunal.
Për këto veprime, Ragip Begaj po ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal lidhur me nenin 81, ku dënimi parashihet me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.