26-11-2024

Gjykimi ndaj ish-kryetarit të Malishevës, dëshmitari thotë se për shkak të premtimeve të fushatës s’ishte ndërtuar palestra sportive

Asamblisti i Asamblesë Komunale të Komunës së Malishevës, Valon Krasniqi, në cilësinë e dëshmitarit, ka thënë se për shkak të premtimeve të fushatës, salla sportive nuk ishte ndërtuar, siç ishte premtuar.

Një deklarim të tillë, dëshmitari Krasniqi e ka bërë të mërkurën, në gjykimin ndaj ish-kryetarit të kësaj komune, Ragip Begaj, i cili po akuzohet se me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës lidhur me ndërtimin e palestrës sportive në fshatin Drenoc dhe ndërtimin e një aneksi në pronë private, raporton “Betimi për Drejtësi’.

Krasniqi tha se me vendimin e Kuvendit Komunal të marrë më 4 maj 2018, ishte aprovuar ndërtimi i palestrës sportive në shkollën “Visar Krasniqi”.

Ai tha se vendimi në fjalë është votuar me shumicë votash që ky aneks të ndërtohet, mirëpo sipas tij, kjo palestër nuk është ndërtuar dhe nuk është marrë asnjë hap në drejtim të ndërtimit të saj.

Sipas dëshmitarit,  kjo ka ndodhur për shkak të politikave dhe premtimeve të bëra gjatë fushatës.

“Sipas gjasave, gjatë fushatës zgjedhore është premtuar ndërtimi i palestrës në një shkollë tjetër”, tha ai, duke shtuar se kjo kishte qenë arsye pse nuk është ndërtuar palestra sportive në shkollën “Visar Krsaniqi”.

Në pyetjen e avokatit Emrush Kastrati se a kishte pasur të lejuar mjete për ndërtimin e sallës sportive në fshatin Drenoc, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.

Dëshmitari Krasniqi tha se ka qenë anëtar i Komitetit për Politikë dhe Financa që për detyrë kishte pasur harmonizimin e programit të punëve dhe pikat e rendit të ditës, dhe se sipas tij ai komitet nuk kishte pasur çështje financiare.

“Për ndarjen e mjeteve për implementim të buxhetit duhet të pyeten zyrtarët e financave dhe jo asamblisti, sepse unë nuk kam njohuri për këtë”, tha ai.

Ai shtoi se përgjegjës për mosimplementimin e projekteve është ekzekutivi.

Ndërsa, i pyetur nga gjykatësi Vesel Ismaili se pse tani është i akuzuar ish-kryetari i Komunës së Malishevës, dëshmitari tha se për këtë çështje duhet të përgjigjet ish-kryetari.

Në pyetjen e gjykatëses Suzana Çerkini se a kishin pasur ndonjëherë pikë në rendin e ditës për ndërrimin e tokës private me atë publike për interes publik, dëshmitari tha se mund të ketë pasur.

Ndërsa, i pyetur se a është në dijeni nëse duhet të zbatohen disa procedura para të bëhet ndërrimi i pronës, dëshmitari tha se nuk përgjigjet në këtë pyetje.

Gjatë kësaj seance u dëgjua  në cilësi të dëshmitarit edhe menaxheri i prokurimit në Komunën e Malishevës, Nuhi Shala.

Shala tha se ai ishte marrë me procedurën e prokurimit për ndërtimin e shkollës në fshatin Ponoc.

Lidhur me kontratën e aktivitetit të prokurimit në fjalë të nënshkruar në emër të tij, Shala tha se zyrtari i autorizuar i zyrës së prokurimit Besnik Krasniqi me autorizimin e kryetarit të Komunës kishte nënshkruar kontratën.

Kjo sipas tij kishte ndodhur pasi që ai kishte qenë i punësuar me kontratë mbi vepër, por pa të drejtën e nënshkrimit të kontratave.

“A ta merr mendja që është bërë ndonjë keqpërdorim lidhur me këtë kontratë”, pyeti gjykatësi Vesel Ismaili, për të cilën, dëshmitari tha se gjithçka ka qenë konform ligjit.

Më pas u dëgjua në cilësi të dëshmitarit edhe zyrtari i prokurimit Besnik Krasniqi, i cili deklaroi se këtë pozitë e kishte ushtruar me autorizim të kryetarit të Komunës, tani të akuzuarit Begaj.

Ai lidhur me procedurën e prokurimit për ndërtimin e shkollës në fshatin Panoc tha se kishte nënshkruar për menaxherin e prokurimit, dëshmitarin Nuhi Shala.

Krasniqi tha se me autorizim të kryetarit e kishte bërë nënshkrimin e kontratës për procedurën e prokurimit në fjalë.

Në pyetjen e gjykatëses Suzana Çerkini se a e kishte parë dosjen e tenderit para nënshkrimit, dëshmitari tha se e kishte parë dhe se dosja fillimisht kishte kaluar fazën e vlerësimit.

Gjatë kësaj seance ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari Alban Krasniqi, mirëpo i njëjti mungoi, për të cilin në bazë të fletëkthesës u konstatua se pala nuk banon në adresën ku i është dorëzuar ftesa.

Seanca e radhës është caktuar për 3 shkurt 2022, ku pritet të dëgjohen edhe tre dëshmitarë të tjerë të propozuar nga prokuroria.

Seanca e fundit në këtë rast është mbajtur më 24 janar, ku i akuzuari Begaj u deklarua i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.

Ndryshe, edhe gjatë seancës fillestare së mbajtur më 5 gusht 2021, Begaj kishte deklaruar se ndjehet i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 prill 2021, Ragip Begaj po ngarkohet se më 6 korrik 2018 e në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar, respektivisht si kryetar i Komunës së Malishevës, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Begaj, më 7 nëntor 2018, ka caktuar lokacionin për ndërtimin e shkollës në fshatin Panorc, ku i kishte premtuar të dëmtuarit që të hyjë në marrëveshje për shkëmbimin e tokës me qëllim të ndërtimit të kësaj shkolle.

Siç thuhet në aktakuzë, një pjesë e objektit të kësaj shkolle ishte planifikuar të ndërtohej në pronë private, në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal të 4 majit 2018, i cili vendim kishte për qëllim që të ndërtohej aneks i shkollës “Visar Krasniqi” në fshatin Drenoc të Malishevës, i cili aneks nuk ishte ndërtuar asnjëherë.

Po ashtu, i njëjti po ngarkohet se në tetor të vitit 2018 kishte nxjerrë aktvendim për bartjen e mjeteve financiare nga një program në tjetrin, në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Sipas aktakuzës, mjetet financiare nga kodi investime kapitale pa miratimin paraprak të MF-së i ka bartur në kodin mallra dhe shërbime e pastaj këto mjete i kishte përdorur për pagesën e detyrimeve financiare të komunës ndaj personave të tretë pa miratimin e Kuvendit Komunal.

Për këto veprime, Ragip Begaj po ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal lidhur me nenin 81, ku dënimi parashihet me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.