24-11-2024

Gjykimi për keqpërdorime rreth ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur, ja çfarë deklaroi e akuzuara

 Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, e akuzuara Hatixhe Përzhella ka thënë se si organ mbikëqyrës i kishin bërë vërejtje operatorit ekonomik “ERH Kotori” për punime jocilësore.

Në këtë rast, Përzhella bashkë me Almir Saiti, Muhamet Bajrami dhe Drenushë Behluli- Mehmeti po akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Janë 3 pozicione të cilat janë kryer, por nuk kanë qenë të cilësisë së duhur e këto janë blloqet horizontale dhe vertikale si dhe dërrasat e bungut kanë qenë në kontratës ndërsa OE i ka qitur të materiali druri i ahut dhe nuk është paguar komplet ky pozicion…është tërhequr vërejtja e operatorit i cili zotua se do t’i përmirësojë cilësinë deri në pranimin teknik të objektit”, ka thënë Përzhella.

Ajo tha se operatorit ekonomik “ERH Kotori” i janë ndaluar rreth 2 mijë e 176 euro për punime jocilësore.

Në pyetjen e avokatit Berisha se si është kryer pagesa për këtë operator ekonomik, Përzhella ka thënë se kontrata kishte vlerën prej 69 mijë e 809 euro, ndërsa i janë paguar rreth 67 mijë e 633 euro.

Tutje, Përzhella ka thënë se ka punuar dhe ende punon si zyrtare e lartë për infrastrukturë rrugore në Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Prizren.

Ajo ka thënë se më 19 korrik 2013 është emëruar si organ mbikëqyrës për fazën e tretë të punimeve për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur.

Përzhella ka thënë se menaxher i projektit për fazën e tretë kishte qenë Almir Saiti, kurse operatori ekonomik që ka kryer punimet kishte qenë “ERH Kotori”.

Sipas saj, operatori ekonomik “ERH Kotori” kishte nënshkruar kontratë për kryerjen e punimeve më 1 korrik 2013, dhe që njëjtat janë përfunduar sipas planit dinamik i cili parasheh kryerjen e punimeve për 50 ditë pune.

Po ashtu, ajo ka thënë se detyra si organ mbikëqyrës në bazë të ligjit dhe udhëzimeve administrative përfundon me formimin e komisionit për pranim teknik.

Në këtë seancë, ka dhënë mbrojtjen e saj edhe e akuzuara Behluli- Mehmeti, e cila ka thënë se si organ mbikëqyrës detyrat e saj sipas kontratës kishin qenë riparimet e dëmeve që ishin bërë nga fazat tjera, zërimi i sallës dhe trafostacioni i rrymës.

Behluli- Mehmeti ka thënë se menaxheri i kontratës dhe menaxheri i projektit janë të obliguar me nënshkrua faturat në rastin dhe se në rastin e saj nuk ka pasur të emëruar as menaxher i kontratës as menaxher i projektit sipas kushteve të veçanta të kontratës është dashur të paguhet operatori ekonomik.

Në fund, ajo ka thënë se në këtë rast nuk kanë dalë asnjëherë inspektorat.

“Kur kryhen punimet dhe bëhen kërkesat përsëri me dalë inspektorat me ba protokollin, pritet 15 ditë dhe nëse nuk dalin dhe nuk e bëjnë protokol ne jemi të obligum me pagu pagesën e fundit”, ka thënë ajo.

Seanca e radhës në këtë rast është caktuar të mbahet më 27 dhjetor 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 16 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Almir Saitit, Refki Muzbegut, Muhamet Bajramit, Hatixhe Përzhellës dhe Drenusha Behluli-Mehmetit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Almir Saiti akuzohet se gjatë periudhës 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i caktuar si menaxher-drejtor i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324 mijë e 623 euro e 82 centë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Saiti edhe pse është vërtetuar se pozicionet nuk janë punuar si duhet ashtu siç kanë qenë të parapara sipas kontratës edhe për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” nga fshati Metvec, Komuna e Prizrenit, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573 mijë e 154 euro e 90 centë, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Refki Muzbegu akuzohej se gjatë periudhës 22 tetor 2009 e deri më 30 qershor 2011, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324 mijë e 623 euro e 82 centë, të përshkruara më hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Në aktakuzë thuhet se edhe pse është vërtetuar se punimet nuk ishin kryer si duhet dhe siç kanë qenë të parapara sipas kontratës dhe për faktin se pranimi teknik për këtë objekt nuk është bërë  deri me datën e dorëzimit të ekspertizës më 1 mars 2019, i njëjti ka lejuar pagesat.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Muhamet Bajrami akuzohet se gjatë periudhës 24 dhjetor 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573 mijë e 154 euro e 90 centë, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Kurse, Hatixhe Përzhella akuzohet se prej periudhës dhjetor 2013 e deri më 27 maj 2014, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Shërbime Publike në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Kosova Erh-Kotori” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në tre raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 67 mijë e 633 euro, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Sipas prokurorisë për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe Drenusha Behluli-Mehmeti, ku ajo akuzohet se prej periudhës 3 nëntor 2017 e deri më 12 dhjetor 2017, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, për mbikëqyrjen e projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “NNT TONI” nga Malisheva, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në dy raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 64 mijë e 609 euro e 23 centë, të përshkruar hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragraf 1 të KPRK-së.

Ndërsa, i akuzuari Refki Muzbeg është liruar nga akuzat për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale. /BetimipërDrejtësi 

 

Asnjë koment

Comments are closed.