24-11-2024

Gjykimi për mashtrim me viza pune gjermane në Prizren, njëri i akuzuar kërkon përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues

Bashkë me Hoxhën, për shpëlarje parash, mashtrim, falsifikim të dokumentit dhe shmangie nga tatimi, akuzohen edhe Besim Rexhaj dhe Veprim Rexhepi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë rast, Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, akuzohen se në bashkëkryerje kanë mashtruar një numër të madh të qytetarëve, nga të cilët kanë marrë para prej 2500-3000 euro, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, e më pas duke keqpërdorur në forma të ndryshme me fondet në fjalë.

Ndërsa, Veprim Rexhepi, akuzohet se me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata.

Kërkesën për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Xheladin Osmani, nga gjykimi i këtij rasti, i akuzuari Hoxha e ka bërë në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prizren.

Një kërkesë të tillë, i akuzuari Hoxha, e ka parashtruar pasi që në fillim të seancës së shqyrtimit kryesor, gjykatësi Osmani, ka larguar nga salla mbrojtësin e tij, avokatin Bashkim Nevzati, me arsyetimin për pengimin e procedurës penale, pasi ka penguar pyetjet e prokurorit, drejtuar dëshmitarit që është dëgjuar në këtë seancë.

“Pas largimit të avokatit Bashkim Nevzati, i cili më ka përfaqësuar në këtë çështje penale, unë ia revokoj autorizimin avokatit Durim Nevzati dhe se i mbrojturi im dëshiroj të jetë Bashkim Nevzati. Gjithashtu, paraqes kërkesën për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, arsyet do t’i paraqes në kërkesën me shkrim”, ka thënë i akuzuari Hoxha.

Një kërkesë të tillë nuk e ka kundërshtuar prokurori special Afrim Shefkiu, i cili ka thënë se është e drejtë e secilës palë që në cilëndo fazë të procedurës të kërkojë përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, anëtarëve apo të prokurorit të çështjes, mirëpo sipas tij, kjo kërkesë duhet të jetë mirë e arsyetuar.

Prokurori Afrim Shefkiu, ka deklaruar se për shkak të kërkesës për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, shqyrtimi kryesor nuk mund të vazhdojë, si dhe ka kërkuar që kryetari i Gjykatës të vendos me prioritet për këtë kërkesë me vendim përkatës.

Gjykatësi Osmani, pas dëgjimit të palëve ka marr vendim që shqyrtimi i kryesor të ndërpritet, dhe seanca të shtyhet deri në marrjen e vendimit të kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren.

Para se i akuzuari Hoxha të paraqiste një kërkesë të tillë, gjatë kësaj seance, në cilësi të dëshmitarit, është dëgjuar i dëmtuari Shpenzim Bytyqi, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Shefkiu, ka deklaruar se në shkollën DBBS kishte shkuar për aftësim profesional për ujësjellës dhe kanalizim.

“Në DBBS kam shkuar për ujësjellës, kam paguar 2500 euro, pagesat i kam bërë përmes bankës çdo tre muaj nga 650 euro”, ka deklaruar dëshmitari Bytyqi.

Ai ka thënë se pas përfundimit të kualifikimit profesional, shkolla DBBS, u kishte premtuar sigurimin e vizave të punës për në Gjermani, mirëpo sipas tij, kjo nuk kishte ndodhur.

“Po ndihem i dëmtuar dhe mashtruar. Kërkoj kthimin e mjeteve prej 2500 euro”, ka deklaruar Bytyqi.

Në pyetjen mbrojtësit të të akuzuarit, Flamur Hoxha, avokatit Durim Nevzati, se sa ka qenë kohëzgjatja e kontratës, dëshmitari ka deklaruar se kontrata ka qenë për një vit, ku sipas tij, për nëntë muaj do të përfundohej kursi profesional, ndërsa tre muaj të jenë praktikë.

Avokati Nevzati ka kërkuar nga dëshmitari të dijë se a ka njohuri se në kontratë është e paraparë marrëveshja e DBBS dhe partnerit të saj MNP për ndërmjetësimin e punësimit, të cilët janë agjencitë e vetme punësimi në Gjermani.

Mirëpo, në këtë rast, ka reaguar përfaqësuesi i të dëmtuarit, Sefer Morina duke thënë se klienti i tij me rastin e regjistrimit në këtë shkollë, paraprakisht në mënyrë verbale i janë shpjeguar kushtet lidhur me punësimin në Gjermani, e të cilat sipas tij, të dëmtuarit i kanë pranuar, ndërsa kontratat formale u janë dorëzuar vetëm si mbulesë e shkollës, e të njëjtat kontrata nuk i kanë përmbushur.

Gjykimi në këtë rast, pritet të vazhdojë pas shqyrtimit të kërkesës së të akuzuarit Flamur Hoxha, për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Xheladin Osmani.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ngritur më 20 gusht 2018, me të cilën Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, akuzohen se në periudhën 2016-2017, megjithëse e kanë ditur se të ardhurat burojnë nga aktivitete kriminale, kanë pranuar para nga qindra persona të dëmtuar, saktësisht 489 persona, me arsyetimin se do t’i punësojnë në Gjermani.

Sipas aktakuzës, Hoxha dhe Rexhaj, nga të dëmtuarit e njëjtë i kanë marrë nga 2500 – 3000 euro, të cilët fare nuk i kanë dërguar në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë e më pas të njëjtat fonde duke i transferuar tek persona tjerë, me këto veprime kanë përvetësuar shumën prej 1.220.175.00 euro, nga të cilat kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1.068.775.00 euro.

Me këtë, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, akuzohen se kanë kryer veprën penale “shpëlarje parash”, nga neni 308 i Kodit Penal të RKS, si dhe neni 32 parag 2. nën parag 2.1 dhe 2.2 i Ligjit mbi Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal të RKS.

Sipas aktakuzës, të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale të mashtrimit, nga neni 335, atë të falsifikimit të dokumenteve, nga neni 399, si dhe shmangie nga tatimi, nga neni 313 të Kodit Penal të RKS.

Kurse, Veprim Rexhepi, akuzohet se në periudhën 2016-2017, me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata.

Me këtë, ai akuzohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve nga neni 398 parag 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.