23-11-2024

Gjykimi për mashtrimin me viza pune në Gjermani të 489 qytetarëve nga Prizreni

Mbrojtja e Flamur Hoxhës, Besim Rexhajt dhe Veprim Rexhepit, të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për mashtrimin e 489 qytetarëve për punësim në Gjermani, sërish nuk i kanë paraqitur kundërshtimet e tyre lidhur me aktakuzën, pasi që sipas tyre ende nuk i kanë pranuar të gjitha provat nga Prokuroria Speciale.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale i ngarkon të akuzuarit Flamur Hoxha, Besim Rexhaj, se në vazhdimësi dhe bashkëkryerje kanë kryer veprën penale shpëlarje parash, veprën penale të mashtrimit, si dhe të njëjtit akuzohen se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve, shkruan Kallxo.com.

I akuzuari F. Hoxha ngarkohet edhe me veprën penale shmangie nga tatimi. Ndërsa i akuzuari tjetër V. Rexhepi sipas aktakuzës  ngarkohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

Përkundët se në seancën e kaluar, kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani, e kishte obliguar Prokurorinë Speciale, që në një afat të caktuar t`i pajisë me të gjitha provat e aktakuzës të tre mbrojtësit e të akuzuarve, Prokuroria Speciale këtë obligim nuk e kishte kryer deri në seancën e sotme.

Kjo sipas mbrojtësve, avokat Bashkim Nevzati dhe Pjetër Përgjoka, të cilët deklaruan se deri më sot nuk i kanë paraqitur kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës, pasi që Prokuroria Speciale nuk po e përmbush obligimin e saj, dhe ende nuk i ka dorëzuar një pjesë të provave të propozuar sipas aktakuzës.

Në seancën e datës 15 nëntor, prokurorja Merita Bina – Rugova, kishte deklaruar se Prokuroria Speciale është e gatshme të përmbushë obligimin e saj, andaj shkresat dhe provat që nuk u ishin dorëzuar mbrojtësve Prokuroria do t’i pajiste ashtu siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale.

Por, deri në shqyrtimin e sotëm sipas mbrojtësve Bashkim Nevzati, Miftar Qelaj, dhe Pjetër Përgjoka, ende nuk i kanë pranuar pjesën e provave të cilat  i kishin kërkuar në seancën e kaluar.

Prokurori special Afrim Shefiku, deklaroi se sipas shkresave që i njëjti posedon dhe i ka para vetes, vërtetohet se avokati Bashkim Nevzati, ka pranuar shkresat e lëndës, dhe atë 1 CD me dëshmi të skanuara, dhe një zarf me provat e aktakuzës.

Më tutje prokurori Shefkiu, theksoi se për shkresat që eventualisht i mungojnë mbrojtësve, Prokuroria Speciale është në gjendje që edhe një herë t`i fotokopjojnë dhe të jua dorëzojnë, sepse sipas prokurorit nuk ka asnjë arsye për  t`i fshehur provat, të cilat edhe do të administrohen gjatë shqyrtimeve gjyqësore.

Sipas deklarimeve të mbrojtësve, gjyqtari Xheladin Osmani, obligoi Prokurorinë Speciale që deri në shqyrtimin kryesor, t`i pajisë me të gjitha provat dhe shkresat e aktakuzës, të cilat mbrojtësit deklaruan që deri më tani nuk i posedojnë, ashtu që avokatët të përgatisin mbrojtjen e tyre efikase, ashtu siç edhe e parasheh ligji.

Gjithashtu me kërkesë të mbrojtësve, gjyqtari Xheladin Osmani, i kërkoi Prokurorisë Speciale që të paraqet emrat dhe adresat e dëshmitarëve, në mënyrë që të ftohen me radhë, që rrjedha e procedurës të jetë sa me efikase. Sepse sipas aktakuzës të dëmtuar janë 489 persona, e nëse të gjithë Prokuroria Speciale i paraqet si dëshmitarë, atëherë procedura e gjykimit do të merr një kohë shumë të gjatë, pasi që Prokuroria Speciale në propozimin e saj në aktakuzës nuk i ka cekur me emra dhe adresa se kush duhet të ftohen si dëshmitarë, por vetëm theksohet të ftohen të dëmtuarit – dëshmitarët, dhe dëshmitarët të cilët nuk janë të dëmtuar, e kjo sipas gjyqtarit Osmani për gjykatën është e paqartë se si të ftohen dëshmitarët sipas renditjes, pasi që nuk ka emra dhe adresa konkrete.

Në përfundim, gjyqtari Xheladin Osmani, tha që duke pasur përsysh volumin e madh të lëndës, dhe meqenëse lënda është rast i shënjestruar për liberalizim vizash, i njëjti në konsultim me kryetarin e gjykatës, janë dakorduar që në muajt e ardhshëm janar, shkurt, dhe mars të caktohen nga 4-5 ditë me radhë për mbajtjen e shqyrtimeve gjyqësore, në mënyrë që gjykimi të përfundohet në një kohë të arsyeshme.

Andaj, datat e radhës për shqyrtimet e ardhshme nuk u caktuan, dhe posa të formohet trupi gjykues edhe me dy gjyqtarë tjetër, mbrojtësit dhe prokuroria speciale do të njoftohen me data e shqyrtimeve të ardhshme./Kallo.com

Asnjë koment

Comments are closed.