Gjykimi për rastin “Abi Qarshia”: I akuzuari thotë se vetëm asistoi, por nuk mori asnjë veprim për rrënim
I akuzuari Shqipëron Krasniqi ka thënë se nuk ka marrë asnjë veprim për rrënimin e aneks-objektit të “Abi Qarshisë” por vetëm se ka dorëzuar dokumentin e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor. Ai ka thënë se në Komunën e Prizrenit kishte punuar me kontratë mbi vepër derisa në rastin e “Abi Qarshisë” vetëm ka asistuar zyrtarët tjerë komunalë.
Me dhënien e mbrojtjes nga ana e të akuzuarit Shqipëron Krasniqi, të premten në Gjykatën Themelore në Prizren ka përfunduar mbrojtja e të akuzuarve në rastin e rrënimit të aneks- objektit të “Abi Çarshisë”.
Për këtë rast, Jetmire Vrenezi, Egzonë Morina-Thaçi, Islam Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqin, po akuzohen për korrupsion në rastin e rrënimit të aneks-objektit të “Abi Çarshisë”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Shqipëron Krasniqi në mbrojtjen e tij deklaroi se i qëndron pranë deklaratës së dhënë në Prokurori dhe tha se në Komunën e Prizrenit kishte filluar punë më 13.08.2019 me kontratë me vepër në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të Komunës ku ka pasur për kompetencë të mbrojë interesin e Komunës.
Ai tha se lidhur më lëndën e “Abi Çarshisë” nuk ishte i angazhuar në asnjë veprim dhe se ditën e daljes në terren kishte dal pasi që përfaqësuesi ligjor i Komunës, Arben Krasniqi e kishte informuar se duhet që të asistojë në terren në një lëndë pasi që ashtu ka kërkuar Drejtori i Inspektoriateve Islam Thaqi dhe se atë ditë i kishte dërguar investitorit njoftimin mbi refuzimin e kërkesës për fillimin e procedurës së legalizimit nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor dhe se këtë vendim ia kishte dorëzuar palës dhe avokatit të tyre.
I akuzuari Shqipëron Krasniqi deklaroi se ditën kritike më 19 Korrik 2019 ka qenë në vendin e ngjarjes tek objekti i “Abi Çarshisë” vetëm për ta dërguar njoftimin e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të cilin ia kishte dorëzuar avokatëve të “Abi Çarshisë”.
Ai shtoi se lidhur me rastin e “Abi Çarshisë” ai nuk ka ndërmarrë asnjë veprim dhe se nga ai është kërkuar që të dilet në terren për mbështetje, raporton “ Betimi për Drejtësi”.
Tutje i akuzuari Krasniqi deklaroi se njoftimin e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor e kishte lexuar rrugës gjersa ishte duke shkuar në objektin e “Abi Çarshisë” dhe se ai njoftim përmbante refuzimin e kërkesës për fillimin e procedurës për legalizim të lëshuar nga ajo drejtori.
Ai tha se është e vërtetë se ka qenë përfaqësues ligjor i Komunës së Prizrenit në atë kohë dhe se para se te hynte në një seancë gjyqësore kishte marrë një telefonatë për të asistuar te objekti i “ Abi Çarshisë” dhe se prej gjykatës e deri te shkuarja në vend të ngjarjes ka qenë intervali 15-20 minutësh.
Prokurori i shtetit Mehdi Sefa tutje në gjykim propozoi që të administrohet si provë fletëdorëzimi i njoftimit të DUPH e dt. 19.07.2019 me nr.04-351/02-010237 nga i cili fletëdorëzim rezulton se është dorëzuar nga nënshkruesi me mbiemrin Kolloni me datën 19 korrik 2019.
Kryetarja e trupit gjykues Kymete Kicaj aprovoi propozimin e Prokurorit të shteti Mehdi Sefa dhe është administruar prova- fletëdorëzimi me nr. 04-351/02-010237 ndërsa ka refuzuar propozimin që të dëgjohet si dëshmitar Fatmir Memaj.
Pasi që më nuk kishte propozime të tjera, procedura e provave ka përfunduar dhe shqyrtimi do të vazhdojë më fjalën përfundimtare të palëve që do të jepen në seancën e paraparë më 29 Prill në ora 10:00.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqit, Jetmire Venezit, Egzonë Morina-Thaqit, Arian Tarakut, Isë Bislimajt dhe Shqipëron Krasniqit, të cilët po i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë thuhet se më 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit ndaj “Abi” SHPK në Prizren.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.
Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.
Sipas prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69 mijë e729 euro.
Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.