26-11-2024

Gjykimi për rastin “Abi çarshia”: Ja çfarë deklaroi ish-inspektorja tjetër komunale

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, ka dhënë mbrojtjen e akuzuara Egzona Morina Thaçi, ish-inspektore e ndërtimit në Prizren, ku po akuzohet së bashku me pesë të tjerë lidhur me rrënimin e objekt aneksit shtesë të “Abi Çarshisë”, në Prizren.

Egzonë Morina-Thaçi së bashku me Islam Thaqin, Jetmire Vrenezin, Arian Tarakun, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqin, akuzohen për korrupsion në rastin e rrënimit të aneks-objektit të “Abi Çarshisë”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E akuzuara Egzona Morina Thaçi deklaroi se me profesion është arkitekte dhe se sa i përket lëndës së “Abi Çarshisë” ishte ngarkuar në janar 2019 deri më 19.07.2019 dhe se gjatë kësaj periudhe për këtë rast kishte marr aktvendim për ndalim punimesh të datës 10.04.2019 si dhe aktvendim për ndalim vullnetar të datës 27.06.2019.

Ajo shtoi se gjatë kohës sa ka qenë inspektore për sa i përket këtij rasti nuk ka pasur rrënim në objektin e “Abi Çarshisë”. Tutje tha se procesverbali i datës 15.07.2019 ka qenë akti i fundit që ajo ka ndërmarrë në objektin e “Abi Çarshisë” e që në këtë procesverbal ka qenë i shënuar njoftimi që pas kësaj pason aktvendimi për rrënim me dhunë nga ana e Drejtorisë së Inspektoriateve.

Tutje ajo deklaroi se deri më 15.07.2019 ka pasur përgjegjësi për këtë lëndë e pas kësaj lëndën e ka marr inspektorja Jetmire Vrenezi pasi që në atë kohë ajo ka pasur periudhën provuese në Kuvend Komunal dhe se për të mos mbetur lënda pa vazhdimësi sa i përket procedurave ligjore, drejtoria ka caktuar një inspektore tjetër.

Tutje e akuzuara Morina Thaqi deklaroi se deri më datën 15 korrik 2019 nuk ka qenë e njoftuar se “Abi Çarshia“ ka aplikuar për leje për legalizim të objektit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu ajo deklaroi se meqenëse nuk është juriste me profesion, disa herë i është drejtuar zyrës ligjore të Komunës duke i kërkuar sqarime për procedurat ligjore për sa i përket lëndës së “Abi Çarshisë” pasi që sipas saj, prej datës kur është marr aktvendimi për rrënim vullnetar, ajo nuk ka ndërmarrë asnjë veprim tjetër ligjor për shkak se kishte pasur frikë për shkak të ndoshta si institucion nuk janë në rregull me procedurat ligjore pasi që nuk është e nevojshme që të merren urdhëra të ngutshme që pasojnë me përgjegjësi.

Ajo shtoi se  përgjigja e kësaj zyre ka qenë se jemi në rregull me dispozitat ligjore për sa i përket procedurave me këtë rast.

Ndërsa tha se në ditën kritike kishte marr pjesë në rrënim, pasi që e kanë praktikë të punës që i gjithë stafi i inspektorëve të dalin në terren për asistim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqit, Jetmire Venezit, Egzonë Morina-Thaqit, Arian Tarakut, Isë Bislimajt dhe Shqipëron Krasniqit, të cilët po i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se më 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit ndaj “Abi” SHPK në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69 mijë e 729 euro.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Lexo edhe:

Gjykimi për rastin “Abi Çarshia“: Ja çfarë deklaroi ish-inspektorja

Asnjë koment

Comments are closed.