24-11-2024

Gjykimi për rastin e vizave në Prizren: Për 15 muaj mbahet vetëm një seancë

Gjykata Themelore e Prizrenit edhe këtë vit nuk arriti që të jep epilog rastit ku po akuzohen Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, për mashtrim të mbi 500 qytetarëve me viza pune gjermane.

Hoxhaj dhe Rexhaj po gjykohen si bashkëkryerës të veprave penale “Shpëlarje parash” dhe Hoxha për veprën penale “Shmangie nga tatimi”.

Sipas aktakuzës, të ngritur nga Prokuroria Speciale të akuzuarit e lartcekur kanë përvetësuar shumën prej 1,220,175.00 euro dhe nga kjo kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1,068,775.00 euro.

Kujtojmë se Gjykata e Prizrenit njëherë kishte dhënë aktgjykim përfundimtar ndaj të akuzuarve, ku me çrrast të lartcekurit i kishte shpallur fajtor dhe i kishte dënuar sipas ligjit. Flamur Hoxha ishte dënuar me burg efektiv prej 6 viteve dhe dënim me gjobë në shumë prej 21.000 euro.

Ndërsa Besim Rexhaj ishte dënuar me dënim me burg efektiv prej 4 viteve dhe dënim me gjobë në shumën prej 12.000 euro. Po ashtu, të dënuarit ishin urdhëruar edhe për kompensimin e dëmtuarve, ashtu që i akuzuari Flamur Hoxha duhet ta bëj kompensimin e 272 të dëmtuarve, ndërsa i akuzuari Besim Rexhaj duhet ta bëj kompensimin e 228 të dëmtuarve.

Mirëpo pas ankesave të parashtruara çështja në fjalë për dy pikat e akuzës, përkatësisht për veprën penale – shpëlarje parash për të cilën nga shkalla e parë ishin shpallur fajtorë, Gjykata e Apelit e kishte anuluar këtë pikë dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Gjithashtu në rigjykim shkalla e dytë e kishte kthyer edhe pikën e aktakuzës për veprën penale shmangie nga tatimi, ku Flamur Hoxha ishte shpallur fajtor.

Gjykata e shkallës së dytë e kishte udhëzuar gjykatën e shkallës së parë që të vërtetojë shumën e saktë të përfitimit të kundërligjshëm, të vërtetojë shumën e shpëlarjes dhe të vërtetojë se si është kryer shpëlarja e parasë në mënyrë të saktë e jo të përgjithësuar, kurse gjatë rigjykimit duhet gjithashtu të vërtetohet se kujt i janë transferuar paratë dhe në çfarë shuma, të vërtetohet koha e përftimit të aseteve të cilat i ka konfiskuar gjykata e shkallës së parë (siç janë, banesa, vetura e garazhe) dhe vlerën e saktë të tyre. Por përkundër asaj se ky rast dhe se si rasti në fjalë do të duhej të trajtohej me prioritet për faktin se i njëjti është njëri ndër 80 rastet e shenjëstruara për liberalizim të vizave, kjo lëndë nga gjyqtari çështjes ka dështuar të trajtohet dhe të përfundon me një epilog përfundimtar përgjatë këtij viti.

Drejtësia Sot, raporton se në këtë rast gjyqësor për 15 muaj nuk është zhvilluar asnjë seancë produktive dhe efektive. Kjo për faktin se 13 seancat sa ishin caktuar të mbaheshin vetëm një ka arritur të zhvillohet, në të cilën është proceduar me dëgjimin e ekspertit financiar.

Kurse dymbëdhjetë seancat tjera kanë dështuar të mbahen gjatë këtij viti për arsye objektive dhe subjektive.

Drejtësia Sot, njofton se seancat në këtë proces gjyqësor kanë dështuar për arsye të ndryshme duke filluar nga mungesa e të akuzuarit, anëtarëve të trupit gjykues dhe palëve tjera në procedurë.

Po ashtu disa seanca kanë dështuar edhe për probleme teknike të paraqitura në gjykim dhe për faktin se lënda ka qenë duke u shqyrtuar nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Ndonëse Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës (KPPRK), në nenin 406 të tij përcakton procedurën e rigjykimit në Gjykatën Themelore sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit, kjo dispozitë ligjore nuk përcakton ndonjë afat kohor për fillimin zhvillimin dhe përfundimin e një çështje të kthyer në rigjykim. Por nëse analizojmë dispozitën e nenit 314, paragrafi 1.2., të KPPRK-së rezulton se shqyrtimi gjyqësor i cili mbahet para trupit gjykues në përbërje prej 3 anëtarësh duhet të përfundohet brenda 120 ditësh.

Këtë afat ligjvënësi e ka paraparë për qëllim të azhurnimit të rrjedhës së shqyrtimit në mënyrë që gjykimi të përfundojë brenda një afati të arsyeshëm. Në këtë kontekst, konsiderojmë se zvarritja e këtij rasti mund të shpie edhe deri tek mos respektimi i parimit të gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në afat të arsyeshëm, i përcaktuar në dispozitat e nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KEDNJ), nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 5 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Kështu, neni 6 i KEDNJ-së thotë se: “Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij”.

Pra, qëllimi i zbatimit të këtij neni është sigurimi i një gjykimi profesional nga një gjykatë e pavarur, e cila obligohet që të ndërmerr veprimet e duhura që procesi gjyqësor të kryhet në një kohë të arsyeshme.

Parimi i gjykimit të drejtë e në kohë të arsyeshme paraqitet si një ndër postulatet kryesore mbi të cilat zhvillohet procedura gjyqësore.

Një gjë të tillë e përcakton edhe Kushtetuta e Kosovës, e cila në nenin 31 par.2 të saj përcakton se “Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.

Si përfundim, duke vënë në pah që ky rast ka dështuar trajtohet përgjatë këtij viti, Drejtësia Sot shpreh shqetësim e saj se si do te vazhdohet të procedohet me këtë lëndë përgjatë vitit 2022.

Prandaj, ftojmë gjyqtarin e çështjes që rasti konkret të trajtohet me prioritet dhe seriozitet maksimal përgjatë vitit të ri kalendarik, ashtu që të respektohen dispozitat përkatëse ligjore në mënyrë që të mos ketë zvarritje të këtij rasti të shenjëstruar.

Po ashtu, rekomandojmë që në këtë cikël të rigjykimit të mënjanohen të gjitha shkeljet e pretenduara e posaçërisht të kihen parasysh udhëzimet e shkallës së dytë në mënyrë që në fund të merret një vendim sa më meritor për këtë çështje penale dhe të mos ketë një cikël të tretë të rigjykimit.

Drejtësia sot

Asnjë koment

Comments are closed.