Zyrtari policor Avdyl Sekiraqa, në cilësinë e dëshmitarit, ka thënë se me anë të thirrjes telefonike është vërtetuar se i akuzuari, oficeri korrektues Bajram Rexhaj, kishte pranuar t’i marrë gjësendet dhe t’i dërgonte në hapësirat e burgut.
Këtë deklarim dëshmitari e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren në rastin ku Bajram Rexhaj akuzohet më 16 mars 2022 kishte pranuar ryshfet 50 euro me qëllim që të fusë gjëra të ndaluara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në konsultim me shefin e hetimeve dhe unë si bartës i lëndës kemi vendosur ta telefonojmë dhe ta zbatojmë urdhëresën për simulim, me të cilën thirrje është vërtetuar se Bajram Rexhaj ka pranuar të takohet dhe t’i merr ato gjësende dhe t’i dërgojë në hapësirat e burgut”, ka thënë dëshmitari Sekiraqa.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Besnik Berisha, dëshmitari ka pohuar se ka qenë përgjegjës i hetimit të zhvilluar ndaj të akuzuarit Rexhaj.
Dëshmitari Sekiraqa ka treguar se urdhëresat për disa masa të fshehta të hetimit kanë qenë të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prizren, nga një gjykatës i kësaj gjykate dhe se personalisht i ka marrë të njëjtat.
Tutje, ai tha se përmes telefonit të akuzuarit Rexhaj i është prezentuar si shok apo një kushërir i një të burgosuri për t’i dërguar të njëjtit kartelat e telefonit dhe parfumin.
Po ashtu, ai tha se gjatë asaj bisede nuk i ka përmend të hollat, e që arsyeja pse është shkruar në raport lidhur me ryshfetin është bazuar në përgjimet e telefonit.
Sekiraqa tha se në rastin konkret nuk ka pasur intervistim të ndonjë personi për dhënie ryshfeti, me arsyetimin se nuk kanë dashur të prishin hetimin.
Në pyetjen e avokatit Berisha, se a është në dijeni që urdhëresa për simulin nuk e lejon personin që merr pjesë në simulim të ketë rol aktiv, dëshmitarit Sekiraqa tha se është në dijeni por që në këtë rast nuk ka ndodhur stimulim.
Dëshmitari tha se pas marrjes së urdhëresës janë konsultuar me prokurorin dhe se veprimet që i kanë ndërmarrë nuk bien ndesh me asnjë nen të procedurës penale.
I njëjti ka thënë se i akuzuari Bajrami e ka bërë refuzimin për të dërguar telefon në burgun e Prizrenit dhe se refuzimi ka qenë vetëm për telefon, kurse për sendet e tjera jo.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani seancën e sotme e ka ndërprerë, kurse seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 8 qershor 2023./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.