26-11-2024

Gjykimi për shpërthimin në Zhur, dëshmitari tregon se kush ia solli mjetin për materialin shpërthyes

Në Gjykatën Themelore në Prizren, në gjykimin ndaj të akuzuarve Iran Badalli dhe Arben Gashi, këtë të martë është dëgjuar dëshmitari Valbon Çollaku, i cili ka thënë se të akuzuarit i kanë sjellë tetrapak për përgatitje të materialit eksplodues.

“Atë ditë nuk e kam pasur tetrapakin, por kanë ardhur Arbeni dhe Irani ma kanë sjellur”, ka thënë dëshmitari Çollaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e përfaqësues së palës së dëmtuar Merita Qunaj, avokatit Blerim Mazreku se si funksionojnë eksplozivët dhe kapsulat, dëshmitari ka thënë se eksplozivët janë me pleh kimik, nitrat amoni, kurse kapsulat bëjnë shkrepjen për ndezjen e eksplozivit.

Lexo edhe:

Prizren: Ndaj këtyre zyrtarëve dhe drejtorëve ka bërë kallëzim penal Vetëvendosje! (Video)

Po ashtu, ai tha se pa vendosjen e kapsulave eksplozivi nuk shpërthen, por sipas tij kjo mund të ndodh në rast të temperaturave larta dhe se të njëjtit i nevojiten 2000 gradë temperaturë për shpërthim.

Dëshmitari Çollaku, ka sqaruar mënyrën e ndezjes së kapsulave elektrike dhe kapsulave me fitil, ka thënë se ditën kur të akuzuarve ua kishte dhënë eksplozivin, iu kishte treguar se si funksionon ajo.

Në pyetjen tjetër të avokatit Mazreku se a është takuar me Rami Badallin pasi ua kishte dhënë të akuzuarve eksplozivin, dëshmitari tha se e ka takuar vetëm një herë por që nuk e di se a ka ndodhur para apo pas shpërthimit të eksplozivit në fshatin Zhur.

Tutje, dëshmitari shtoi se nga i akuzuari Gashi e ka marrë edhe kaparin e parë edhe të dytin për blerjen e mjetit shpërthyes.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Badalli, avokatit Valdrin Gashi se a iu kanë dhënë ndonjë arsye tjetër të akuzuarit për blerjen e mjeteve shpërthyese përveç se të thyejnë gur, dëshmitari u përgjigj se përveç thyerjes së gurëve për tjetër gjë nuk i kanë treguar.

Ndryshe, në këtë seancë nuk ishte prezent i dëmtuari Artur Mrasori dhe përfaqësuesi i tij, avokati Besnik Berisha, i cili kishte njoftuar gjykatën që nuk mund të ishte prezent pasi që nuk kishte marrë ftesë në mënyrë të rregullt për mbajtjen e seancës dhe se gjendet jashtë shtetit.

 Mirëpo, për këtë kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi tha se gjykata ka prova që zyra e avokatit Berisha e ka pranuar ftesën e gjykatës.

Pas kësaj, prokurori Metush Biraj ka propozuar që seanca të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit Çollaku dhe pas kësaj seanca të ndërpritet.

Kurse avokati Mazreku ka thënë se seanca duhet të ndërpritet që t’i mundësohet avokatit Berisha parashtrimi i pyetjeve ndaj dëshmitarit Çollaku.

Në këto rrethana, seanca e sotme është ndërprerë, ndërsa të radhës janë caktuar të mbahen më 25 tetor dhe 1 nëntor 2022.

Sipas aktakuzës, dy të pandehurit Iran Badalli dhe Arben Gashi, në fillim të muajit janar 2020  në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari Valbon Çollaku, e pastaj të njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve ne dhomën e katit të II të shtëpisë të të akuzuarit Iran Badalli ne fshatin Zhur Komuna e Prizrenit dhe pas një kontrolli të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më 28 janar 2020, rreth orës 20:00, në kontakt me këtë mjet, i njëjti ka eksploduar, ku ka gjetur vdekjen zyrtari policor Sami Thaçi, kurse policët tjerë të Njësitit gjegjës – të dëmtuarit Artur Mrasor, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Byrtyqi kanë ka pësuar lëndime të rënda trupore si dhe fëmija S.B po ashtu ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime, sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, paragrafi 5, 4 dhe 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa në dispozitivit II të aktakuzës, thuhet se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar përafërsisht si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT me peshë prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.

Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi 

 Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.