24-11-2024

Gjykimi për shpërthimin në Zhur ku vdiq një polic, dëgjohet edhe një dëshmitar

Pranë, Gjykatës Themelore në Prizren-Departamenti i Krimeve të Rënda ka vazhduar shqyrtimi kryesor ndaj Iran Badallajt dhe Arben Gashit , lidhur me rastin e shpërthimit të eksplozivit në Zhur të Prizrenit, ku kishte mbetur i vdekur pjesëtari i Policisë së Kosovës, Sami Thaqi, raporton Drejtësia Sot.

Badallaj dhe Gashi po akuzohen se kanë kryer veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares Hana Tafaj.

Në deklarimin e saj, Tafaj tha se Arben Gashi dhe Iran Badallaj gjithmonë kanë pasur raporte të mira dhe se nuk kanë pasur kurrë probleme ndërmjet vete.

Më pas ajo tha se ne ditën kur ka ndodhur ngjarja në Zhur, bashkëshorti i saj Arben Gashi e ka dërguar djalin deri tek kursi dhe është nisur për në Shqipëri.

Tutje, dëshmitarja sqaroi se arsyeja e shkuarjes në Shqipëri e të akuzuarit Gashi, ishte për ta gjetur një lokal dhe për ti punësuar të gjithë anëtarët e familjes..

Ndër të tjera, Tafaj tha se me të mbërritur në Shqipëri më ka telefonuar dhe unë i kam treguar për ngjarjen e ndodhur në Zhur.

Pas dëgjimit të dëshmitares, kryetarja e trupit gjykues gjyqtarja Ajser Skenderi, vendosi që seanca e sotme të shtyhet dhe ato të radhës u caktuan për datën 04, 05 dhe 20 prill 2022 me fillim nga ora 10:00

Vlenë të përmendet se i akuzuari tjetër në këtët rast penal Valbon Qollaku, në seancën e shqyrtimit të dytë ka pranur fajësinë për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse dhe është dënuar nga gjykata sipas ligjit.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Iran Badallaj dhe Arben Gashi akuzohen se në fillim të muajit janar 2020, në Prizren, janë furnizuar nga i pandehuri Valbon Çollaku me mjet eksploziv të cilin e kanë fshehur në shtëpinë e të pandehurit Iran Badallaj dhe si rezultat i këtyre veprimeve kundërligjore të tyre, me datën 28 janar 2020, gjatë bastisjes së kryer nga zyrtarët policorë në shtëpinë e të pandehurit Iran Badallaj, zyrtarët policorë janë vënë në kontakt me lëndën shpërthyese e cila është aktivizuar dhe nga shpërthimi ka mbetur i vrarë një zyrtarë policor dhe dy të tjerë janë lënduar rëndë.

Sipas prokurorisë, të njëjtit akuzohen se në shtëpinë e të pandehurit Iran Badallaj kanë poseduar kundërligjshëm eksplozivin e llojit “TNT” në peshë prej 809.1 gram dhe një detonator mekanik në të cilin ishte i vendosur një fitil ndezës me gjatësi 63 cm.

Ndërsa, i pandehuri tjetër Valbon Çollaku akuzohet se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo materiale plasëse me të cilat kishte prodhuar eksplozivin për të akuzuarit tjerë dhe të njëjtin ua kishte shitur atyre për 400 Euro, thuhet në njoftim e prokurorisë.

Drejtësia Sot

 

Asnjë koment

Comments are closed.