Gjykimi për vrasjen e vëllezërve në Malishevë, ridëgjohet eksperti mjekoligjor
Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dje është dëgjuar eksperti mjekoligjor, Arsim Gërxhaliu, në gjykimin ndaj të akuzuarit për vrasje të dyfishtë, Besim Maloku.
Sipas aktakuzës së ngritur me 30 nëntor 2018, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se më 9 mars 2018, rreth orës 01:00 në fshatin Plloqicë të Malishevës me dashje ka privuar nga jeta vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku.
Në këtë rast, i akuzuar është edhe Blerim Maloku, por ai në seancën fillestare të mbajtur më 17 dhjetor të vitit 2018, e kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, kurse i akuzuari për vrasje të rëndë, Besim Maloku, ishte deklaruar i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kjo është hera e dytë që eksperti Gërxhaliu po paraqitet para gjykatës, kjo pasi që shpallja e aktgjykimit ishte paraparë të bëhej më 9 shtator 2019, por ky gjykim është rihapur nga trupi gjykues, me arsyetimin se duhen sqarime shtesë lidhur me ekspertizat e balistikës dhe asaj mjekoligjore.
Eksperti Gërxhaliu tha se bazuar në plagët vdekjeprurëse, të cilat i kanë marrë viktimat nga predhat e armës shihet qartë se kemi të bëjmë me një armë që ka një nivelicitet të lartë.
I pyetur se nga plagët e marra te të dy viktimat se a mund të konstatohet se a është përdorur një armë apo armë të ndryshme, eksperti Gërxhaliu tha se ajo që mund ta thotë është se në bazë të nivelit të dëmtimeve të dyja plagët janë të nivelicitetit të lartë, duke shtuar se kanali i dëmtimit është pothuajse i njëjtë në të dy rastet.
Ndërsa, i pyetur nga avokatja e palës së dëmtuar, Fehmije Gashi se a mund të dihet të paktën se këto plagë a janë shkaktuar me armë të vogla apo të mëdha, eksperti tha se besueshmëria shkon se në këtë rast janë përdorur armë të mëdha.
Seanca më pas ka vazhduar me vërejtjet e palëve lidhur me dëgjimin e përgjimeve të cilat ishin dëgjuar në seancën e kaluar.
Përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Besnike Maloku tha se ka vërejtje në CD-të e dëgjuara në seancën e kaluar, duke shtuar se në shumë pjesë nuk përshtaten thëniet e të akuzuarve me transkriptin që i është bërë atyre përgjimeve.
“Konkret kam vërejtur tek minuta e 11:40 ku thotë Blerimi në bisedë “kuku m’doket janë kogja tu dyshu diçka, ku më pas vazhdon besimi duke thënë “janë ka na provokojnë”, pastaj te minuta e 11:57 blerimi thotë “unë u tuta se e kanë gjet ato”, tani thotë “kallashin llavaçken kur e njeva ato thash kuku nana jem kemi me hjek për 100”, deklaroi ajo.
Seanca më pas ka vazhduar me ankesën e mbrojtësi të të akuzuarit Besim Maloku, avokatit Ndrecë Dodaj, i cili paralajmëroi se do ta revokojë autorizimin në këtë rast, pasi që, sipas tij procedura është duke u zvarritur dhe se i mbrojturi i tij është duke u mbajtur në paraburgim kot.
Ai shtoi se gjykata i ka provat para vetës dhe vetëm i duhet të jap vlerësimin e saj përfundimtar.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gëzim Pozhegu, seancën e radhës e ka caktuar që të mbahet më 11 nëntor, në ora 13:00.
Sipas aktakuzës së ngritur me 30 nëntor 2018, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se më 9 mars 2018, rreth orës 01:00 në fshatin Plloqicë të Malishevës me dashje ka privuar nga jeta vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku.
Ai akuzohet se gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Gjemajl dhe Afrim Maloku, në atë mënyrë që i akuzuari Besim Maloku së bashku me vëllain e tij, Blerim Maloku, kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besim Maloku ka pasur me vete pushkë automatike “AK-47”, të kalibrit 7.62 x 39mm.
Sipas aktakuzës, tani të ndjerët Shani dhe Bahri Maloku, kanë qenë duke luajtur me letra së bashku edhe me Hysni, Afrim dhe Uliks Maloku.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Alban Maloku është nisur në shtëpinë e viktimave dhe kur ka hyrë në oborr të shtëpisë ka vërejtur të akuzuarit dhe i njëjti ka bërtitur dhe në atë moment kanë dal të gjithë personat që ishin duke luajtur me letra dhe kanë vrapuar për të zënë të akuzuarit dhe në rrugën e lagjes duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka shtënë me pushkë automatike në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku dhe të njëjtit i ka privuar nga jeta dhe pastaj së bashku me të akuzuarin Blerim Maloku kanë ikur nga vendi ngjarjes.
Me këtë veprim, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se ka kryer veprat penale të “vrasjes së rëndë”, nga neni 179 par.1 nënpar.1.5, 1.6 dhe 1.11 të KPRK-së dhe “mbajtje në posedim të paautorizuar të armës” nga neni 374 par.1 i KPRK-së.
Ndërsa, i akuzuari Blerim Maloku, akuzohet për veprën penale të mbajtjes në posedim të paautorizuar të armës nga neni 374 par.1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi