24-11-2024

Gjykimi për vrasjen mizore të 2016-ës në Suharekë, dëshmitari thotë se s’ka qenë i informuar për rrëmbimin nga shtëpia e të akuzuarit

Dëshmitari Agim Fetiu, ka mohuar se më 6 tetor 2016 nga i akuzuari Fadil Fetiu është njoftuar se dikush është rrëmbyer nga shtëpia e tij.

Këtë deklaratë, Fetiu e ka dhënë të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku Murat dhe Reshat Ademi, po akuzohen se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore tani të ndjerin A.B, kurse Resmije Bytyqi akuzohet për shtytje në kryerjen e vrasjes, ndërsa Fadil Fetiu për veprën penale të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jo, po të më kish lajmëru atë ditë, ai person do të ishte gjallë”, ka thënë dëshmitari Fetiu.

Dëshmitari Fetiu ka thënë se qëndron në tërësi pranë deklaratës së dhënë më 21 janar 2021 dhe raportin e përpiluar si zyrtar policor.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të akuzuarit, avokat Florin Vërtopi, dëshmitari Fetiu ka pohuar se para shtëpisë së të akuzuarit Fetiu i është dukur që ka parë një veturë të tipit “Pikap”.

I njëjti ka thënë se për rastin e zhdukjes së të ndjerit A.B. ka kuptuar prej kolegëve të tij, e që këtë nuk e ka cekur në raportin e tij sepse nuk e kishte parë të nevojshme.

Tutje, Fetiu ka thënë se më 8 tetor 2016 është kontaktuar nga Naim Grulaj dhe se të njëjtit i kishte dhënë numrin e telefonit të të akuzuarit Fetiu.

I pyetur nga i akuzuari Murat Ademi nëse më 6 tetor 2016, e kishte njohur të njëjtin, dëshmitari Fetiu e ka mohuar një gjë të tillë.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokat Blerim Mazreku ka thënë se në raportin policor për një person të zhdukur nuk ka pasur inciale të personave, pasi që sipas tij, nuk kishte persona të dyshuar.

Vërejtje në deklaratën e dëshmitarit Fetiu ka paraqitur avokati Vërtopi dhe i akuzuari Murat Ademi.

Ndryshe, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sejrani, ka thënë se në këtë seancë nuk marrin pjesë dëshmitarët Naim Grulaj dhe Armend Bytyqi, që sipas fletëkthesave të njëjtit gjenden jashtë vendit.

Kurse, lidhur me mungesën e ekspertit mjeko-ligjor, Flamur Blakaj, Sejrani tha se i njëjti ka njoftuar gjykatën përmes e-mail se ka probleme shëndetësore.

Gjykatësi Sejrani seancën e sotme e ka ndërprerë, kurse e radhës për këtë rast do të mbahet më 5 qershor 2023.

Gjykata e Apelit, këtë rast më 29 gusht 2022 e ka kthyer në rigjykim duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin aktgjykim kjo gjykatë i kishte shpallur fajtorë Murat Ademin, Resmije Bytyqin, Fadil Fetiun, ndërsa Reshat Ademin e kishte liruar nga akuza.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Murat dhe Reshat Ademi, më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore tani të ndjerin A.B, kurse Resmije Bytyqi akuzohet për shtytje në kryerjen e vrasjes.

Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për moslajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, ishte ndryshuar aktakuza ndaj Fetiut, ashtu që të njëjtin prokuroria e ngarkon me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur, ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dy e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.