Gjykimi për vrasjen në Peqan të Suharekës, sërish kërkohet përjashtimi i prokurorit Genc Nixha
Sërish është kërkuar përjashtimi i prokurorit Genc Nixha, në gjykimin ndaj të akuzuarve për vrasje të rëndë, shtytje në vrasje dhe mos lajmërim të veprës penale, Murat Ademi, Reshat Ademi, Resmije Bytyqi dhe Fadil Fetiu.
Për këtë arsye, prokurori Nixha kërkoi shtyrjen e seancës e paraparë të mbahej të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ku pritej të dëgjohej dëshmitarja Qendresa Krasniqi, e propozuar nga i akuzuari Murat Ademi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Një orë para se të vija në këtë shqyrtim, jam njoftuar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren se sërish është kërkuar përjashtimi im nga ana e palës së dëmtuar, me të njëjtat arsye sikurse kur është kërkuar edhe më herët”, deklaroi prokurori Nixha.
Lidhur me këtë kërkesë, prokurori Nixha tha se ndjehet i zhgënjyer, posaçërisht kur një gjë e tillë, siç tha ai, është kërkuar nga pala e dëmtuar.
“Si profesionalist jam i zhgënjyer që përjashtimin tim e kërkon pala e dëmtuar, të cilën në aspektin ligjor dhe procedural në një farë dore interesat e tyre i mbroj edhe unë, andaj edhe unë sot kërkojë që kjo seancë të shtyhet ngase është hera e tretë që kërkohet një gjë e tillë”, deklaroi tutje prokurori.
Ai tha se do të shkojë te Kryeprokurori i Shtetit për të treguar arsyet e tij lidhur me përgjigjet në kërkesat e palës së dëmtuar, si dhe do të kërkojë jo vetëm përjashtimin e tij, por edhe të gjithë Prokurorisë Themelore në Prizren nga ky rast.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani deklaroi se shqyrtimin e radhës për këtë rast do ta caktojë pas marrjes së vendimit, fillimisht nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, e më pas edhe nga Kryeprokurori i Shtetit.
Ndryshe, i dëmtuari Avdi Bytyqi në dy seanca të kaluara ka kërkuar përjashtimin e prokurorit të rastit, Genc Nixha, me arsye se i njëjti nuk ia ka dhënë shkresat e lëndës.
Prokuroria Themelore në Prizren, i akuzon Murat dhe Reshat Ademin se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore, të ndjerin Abedin Bytyqi.
Resmije Bytyqin e akuzon për shtytje në kryerjen e vrasjes, ndërsa Fadil Fetiu akuzohet për mos lajmërim të veprës penale.
Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.
Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.
Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytytqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur. /Betimipërdrejtësi