23-11-2024

Gjykimi ndaj bashkëshortit të prokurores nga Prizreni, Ervehe Gashi: Ja deklarata e dëshmitarit të sotëm

Dëshmitari Asllan Fanaj ka deklaruar se gjatë një takimi e kishte kuptuar se Rizan Hoxhaj kishte marr 6 mijë euro nga Dardan Hoxhaj, kinse për t’ia dhënë të akuzuarit Bajram Gashi që të ndikoj tek bashkëshortja e tij, prokurorja Ervehe Gashi.

Një deklarim të tillë Fanaj e ka bërë gjatë seancës së gjykimit ndaj të akuzuarit Bajram Gashi.

Gashi dhe Rizan Hoxhaj akuzohen se në vitin 2017, në zyrën e të akuzuarit Dardan Hoxhaj, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishin kërkuar nga Hoxhaj shumën prej 6 mijë euro duke i premtuar se nëse do t’ua paguante ato, i akuzuari Gashi do të ushtronte ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e bashkëshortes së tij, prokurores Ervehe Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo pas pranimit të fajësisë, të akuzuarit Rizan Hoxhaj dhe Dardan Hoxhaj ishin shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Prishtinë derisa të premten ka nisur gjykimi ndaj të akuzuarit Bajram Gashi, i cili kishte mohuar të gjitha akuzat ndaj tij.

Lexo edhe:

Shkollat e Prizrenit në pritje të drejtuesve të rinj

Fanaj tha se i akuzuari Gashi nuk ka premtuar se do të ndikoj tek bashkëshortja e tij për të mos ushtruar ankesë.

Ai tha se për këtë nuk ka kërkuar asnjë shpërblim, por as nuk ka premtuar që do të ushtroj ankesë duke thënë se nuk është në dorën e tij apo të prokurores.

“Në rast se e sheh të arsyeshme ka me bo ankesë në rast se nuk e sheh të arsyeshme nuk ka me bo ankesë…. Jo jo, absolut nuk ka kërku”.

Sipas dëshmitarit, Bajram Gashi nuk e kishte ditur se Rizan Hoxhaj kishte marr të holla nga Dardan Hoxhaj në emër të tij.

Gjatë kësaj seance Fanaj rrëfeu se me Dardan Hoxhaj ishte takuar pasi që ky i fundit e kishte ftuar për kafe lidhur me të hollat që ia kishte dhënë Rizan Hoxhajt.

“Më tha daj i kom dhan disa të holla Rizan Hoxhës me ndiku te profesori (Bajram Gashi) për një problem që kam me gjykatën dhe a mun me ma sqaru a i ka dhan diqka Bajramit a jo” tha dëshmitari teksa rrëfeu për bisedën e tij me Dritan Hoxhaj.

Dëshmitari deklaroi se pas takimit me Dritanin, e kishte telefonuar të akuzuarin Gashi mirëpo nuk kishte mundur ta kontaktonte, ku më pas kishte kuptuar se ai kishte qenë në Ulqin.

Pas disa ditës dëshmitari tha se i akuzuari Bajram Gashi kishte shkuar tek ai në lokali “Fanaj Petrol” dhe e kishte pyetur se kush është Dardani që ia kishte kërcënuar atij familjen.

“O Bajram edhe Dardani ka kërku me u taku me ty, se ja kish dhanë Rizan Hoxhes disa pare për me ndihmu. Tani unë iu luta Bajramit me caktu një takim me bisedu edhe për kërcënimin e familjes edhe të mjeteve”, rrëfeu dëshmitari Fanaj.

Pasi që ishin dakorduar, takimi kishte ndodhur në firmën e dëshmitarit  në atë takim kishin marr pjesë i akuzuari Gashi me djalin e tij, Sadik, Rizan, Dardan e Asdren Hoxhaj si dhe ish drejtori i burgut Mifail Ajazi.

“Rizani ka than po” kur është pyetur se a ka marr para nga Dardani, ndërsa kur u pyet se “a i ke dhan diçka Bajramit, ai tha skam pas çka mi dhan se unë kom marr borxh për me ble një makine të qumështit apo kosit”, shtoi dëshmitari.

Sipas dëshmitarit gjatë gjithë kohës kishte pasur ngritje të tensioneve, sidomos midis Rizanit dhe Dardanit, për sqarimin e mjeteve. “Rizani i tha Dardanit unë ti kom marr borxh e ti kom kthy mjetet”.

“Më pas doli që Dardani paska një incizim, na nuk e pam atë incizim, por aty e kuptuam që ka një incizim”, shtoi dëshmitari.

Sa i përket incizimeve dëshmitari tha se askush nuk i kishte parë ato, dhe që ata kishin kërkuar që ato të fshihen.

Për përmbajtjen e tyre, dëshmitari tha se aty thuhej se është për Rizan Hoxhaj duke i pranuar paratë nga Dardani.

“Unë kom kërku, Mifaili dhe të gjithë që kemi qenë si ndërmjetësues që incizimet të fshihen”, tha ai duke shtuar se ishin marr vesh për fshirjen e incizimeve.

Sipas dëshmitarit Dardani nuk i kishte treguar se Rixhan Hoxhaj ia kishte kthyer mjetet shuma e të cilave kishte qenë 6 mijë euro.

Dëshmitari tha se në atë takim u kuptua se Bajram Gashi nuk kishte lidhje me këto të holla e as me Rizanin. “Deri ka mesi i takimit Rizani ka thanë që i ka borxh Dardanit, po kur na than që ka incizim na si grup e pam që ktu është fajtor Rizani se i ka marr mjetet në emër të Bajramit” tha ai.

Më pas mbrojtësi i të akuzuarit kërkoi nga dëshmitari të di se a kishte ndikuar prokurori në përgjigjet e tij gjatë marrjes në pyetje.

“Kah mes i deklaratës prokuroi më ka thënë kush je ti, a je Anton Qeta për pajtime, këto gjana i zgjidhin institucionet dhe jo njerëzit si ti. Edhe në fund më ka than mirë të paska msu Bajram Gashi me fol”, tha dëshmitari kur u pyet nga avokati Gëzim Kolgeci  se a ishte ndikuar gjatë marrjes në pyetje në Prokurorinë Speciale.

Lidhur me këtë prokurorja Ilirjana Qollaku kërkoi nga dëshmitari të di nëse dëshminë e dhënë në Prokurori e kishte nënshkruar pa vërejtje, çka edhe e pohoi dëshmitari.

Për këtë gjykatësi Kujtim Krasniqi pyeti dëshmitarin se kjo deklaratë e prokurorit a kishte ndikuar që ai të ndryshoj diçka në lidhje me deklaratën e dhënë para prokurorit, dëshmitari u përgjigj se nuk ka ndikuar.

Sa i përket deklaratës së prokurori se “mirë të paska msu Bajrami” a ka ndodhur para apo pas nënshkrimit të procesit, dëshmitari tha para se ta nënshkruaj duke shtuar se e kishte nënshkruar pa vërejtje, ndonëse prokurori e kishte pyetur nëse ka vërejtje.

“Nga ana juaj si dëshmitar në këtë rast, a e keni konsideruar fjalët e prokurorit si ndikim, kërcenim apo çfarëdo forme tjetër që ju me ndryshu në deklaratë”, ishte pyetja e gjykatësit Krasniqi ku dëshmitari tha se nuk e ka marr si të tillë.

Më pas prokurorja filloi leximin e deklaratës duke kërkuar nga dëshmitari të konfirmoj saktësinë e deklaratës.

Lidhur me atë se kush ka qenë iniciator i takimit, dëshmitari tha se ai ka qenë insistues, pasi që familja e Bajramit është kërcënuar e njëkohësisht Dardani ka kërkuar një sqarim për mjetet që ia ka dhënë Rizanit.

“A keni ndonjë arsye që lidhur me këtë sot po e ndryshoni deklaratën që keni dhënë në prokurori”, ishte pyetja e prokurores ku dëshmitari tha se kur ishte ftuar në prokurori fillimisht nuk e kishte ditur se për çka bëhet fjalë, dhe se nuk kishte pasur mundësi që shpejtë të krijoj një kronologji lidhur me rastin.

Ai tha se ka kërkuar nga prokurori t’i parashtroj pyetje pasi që atij nuk i ishte kujtuar për të gjitha detajet.

Në pyetjen e gjykatëses Suzana Qerkini se për një ngjarje a e ka kujtesën më të freskët pas ngjarjes menjëherë apo më vonë, dëshmitari tha se më vonë më kujtohet se filloj ta kthej ngjarjen.

“Në krahasim me atë që kam than në prokurori sot jam më i kthjellët”, shtoi dëshmitari.

“Kur je takuar për herë të fundit me Bajramin” ishte pyetja e gjykatëses Suzana Qerkini ku dëshmitari tha se herën e fundit është takuar para 10 ditësh kur ai kishte të furnizohet me derivate dhe se nuk ka zhvilluar asnjë muhabet lidhur me këtë çështje.

Në pyetjen e gjykatësit Krasniqi se çka kishte kuptuar gjatë atij takimi, dëshmitari tha se për aq sa kishte kuptuar ai është se Rizani ka qenë një mashtrues që për marrjen e mjeteve ia ka marr mjetet Dardanit.

“A ke mujt me kuptu se Rizani e ka mashtru Dardanin duke shfrytëzuar emrin e Bajramit”,  ishte pyetja e gjykatësit të cilën e pohoi dëshmitari i cili shtoi se asnjëherë nuk i kishte parë bashkë Bajramin dhe Dardanin.

Gjatë kësaj seance u dëgjua në cilësi të dëshmitarit djali i të akuzuarit Gashi, Bardh Gashi.

Gjykatësi Vesel Ismajli e njoftoi dëshmitarin se për shkak të raportit familjar është i liruar nga dhënia e dëshmisë, mirëpo dëshmitari deklaroi se dëshiron të deklarohet. Më pas gjykatësi e njoftoi se dhënia e dëshmisë së rreme përbën vepër penale.

Gashi më pas vazhdoi me dhënien e dëshmisë duke deklaruar se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë në PSRK.

Dëshmitari konfirmoi se Dardan Hoxhaj dhe personi i quajtur Lulëzim Bytyqi kanë hyrë në shtëpinë e tij dhe e kanë kërcënuar. “Me të parë Lulin e kam ditë që ka diçka pasi që e kam dit që është person i problemeve” tha ai.

Ai tha se Dardani kishte filluar ta fyej dhe i kishte thënë se Rizan Hoxhaj (La Rizani) ia kishte marrë disa të holla. “Tregoj babës tan që jam kanë në shpi”’, deklaroi dëshmitari që i ka thënë Dardan Hoxha.

Dëshmitari tha se përmes rrjetit social “Facebook” Dardani i kishte thënë se është Dardan Hoxhaj dhe tregoi babait që isha tek ti.

Dëshmitari Gashi konfirmoi edhe pjesëmarrjen e tij tek lokali i dëshmitarit të dëgjuar paraprakisht, Asllan Fanaj, “Fanaj Petrol”.

Ai tha se ka qëndruar në atë takim rreth 10 minuta, pasi që sipas tij ai kishte shkuar i fundit dhe kishte dalur i pari.

Gashi tha se babai i tij i kishte kërkuar nga Sadik Hoxhaj të dij se cila është arsyeja se djali i tij kishte shkuar në shtëpinë e tyre, për çka sipas dëshmitarit  Sadik Hoxhaj i kishte kërkuar falje atij për shqetësimin që ia ka shkaktuar.

Dëshmitari po ashtu deklaroi se e kishte përndjekur me makinë, për çka edhe kishte denoncuar rastin në polici. Mirëpo sipas tij disa ditë më vonë e kishte kuptuar se nuk ka asnjë rast të hapur nga ai.

Për këtë ai tha se zyrtari policor, Fatmir Bacaliu e ka ftuar në zyrë dhe i ka thënë se rasti është me numër të fshehur, por që më pas ai tha se kishte kuptuar që hetuesit nuk kishin dorëzuar asgjë në prokurori.

Më pas ai rrëfeu se hetuesi Burim Gashi e kishte telefonuar dhe i kishte thënë “A qaq shumë koke tut që të ka njek ai gjeodeti, a”, për çka ai tha se e kishte ndjerë vetën të poshtëruar nga polici duke e ditur ai që është djali i prokurores së Krimeve të Rënda.

Pas dëgjimit të këtij dëshmitari seanca përfundoi dhe e radhës pritet të vazhdojë më 14 shkurt 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 13 prill 2021, Bajram Gashi, Rizan Hoxhaj po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, Dardan Hoxhaj po akuzohet për veprën penale “ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 2 të KPRK-së.

Siç thuhet në aktakuzë, Bajram Gashi dhe Rizan Hoxhaj gjatë muajit korrik 2017, me qëllim të përfitimit material për vete, në zyrën e të akuzuarit Dardan Hoxhaj në rrugën Ejup Statovci në Komunën e Prizrenit, në mënyrë të drejtpërdrejte kishin kërkuar nga Dardan Hoxhaj shumën prej 6000 euro duke i premtuar se nëse do t’ua paguante parat e kërkuara, i akuzuari Gashi do të ushtronte ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e bashkëshortes së tij, prokurores Ervehe Gashi e cila ishte prokurore e rastit që ishte duke u zhvilluar ndaj të akuzuarit Dardan në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe si rrjedhojë ai nuk do të akuzohej për të gjitha veprat penale qe ishte duke u hetuar.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Hoxhaj, i joshur nga premtimi i të akuzuarve, gjatë muajit korrik të vitit 2017 të akuzuarit Rizan Hoxhaj fillimisht ja dorëzon shumën prej 1000 euro, ndërsa më 22 gusht 2017 ja dorëzon edhe shumën prej 5000 euro, si shpërblim për të akuzuarit për ndihmën që i kishin premtuar se do t’ia ofronin.

Ndërsa, Dardan Hoxhaj po akuzohet nga prokuroria se gjatë muajit korrik dhe gusht 2017 në mënyrë dhe formë të përshkuar si më lartë ia kishte dhënë parat në shumë prej 6000 euro të akuzuarit Rizan Hoxhaj për t’ia dërguar të akuzuarit Bajram Gashit njëherit bashkëshortit të prokurores Ervehe Gashi e cila ishte prokuroja e rastit në procedurën penale që po zhvillohej kundër tij, në mënyrë që të ushtronin ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e prokurores dhe i akuzuari Dardan Hoxhaj të mos akuzohej për të gjitha veprat penale që po hetohej. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.