12-12-2025

Gjykimin për kr*ime lufte në Panorc të Malishevës, dëshmitari deklaron se i akuzuari Lazoviq ishte mobilizuar nga Ushtria Serbe

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte në Panorc të Malishevës, Sergjan Lazoviq, është dëgjuar dëshmitari i mbrojtjes Millenko Milluneviq, i cili tha se Lazoviq ka qenë i mobilizuar nga Ushtria Serbe.

Fillimisht, dëshmitari Milluneviq deklaroi se i akuzuari Lazoviq ishte punëtor i tij derisa ai shiste drunj për ngrohje dhe merrej me përpunimin e tij.

Dëshmitari e përshkroi Lazoviqin si person të ndershëm. Ndërkaq, për vete tha se diku 5-6 muaj para luftës në Kosovë kishte shitur drunj për ngrohje në shkolla, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Si punëtor i thjeshtë, punëtor i ri dhe shumë i ndershëm, për atë edhe ka punu një kohë të gjatë. Në vitin 1995 ka filluar dhe çdo vit ka punuar gjatë sezonës deri në vitin 2002”, tha dëshmitari.

Ndërsa i pyetur nëse Lazoviq ka munguar ndonjëherë në punë për ndonjë periudhë të gjatë, Milluneviq e pohoi këtë, duke thënë se kishte qëndruar dy-tre muaj pa u paraqitur në punë.

Në anën tjetër, lidhur me mobilizimin e të akuzuarit në Ushtrinë Serbe, dëshmitari nuk e bëri të qartë nëse ishte vullnetar apo me ftesë, që sipas tij, kishte ndodhur 5-6 muaj para bombardimeve, kur kishte qenë situatë e keqe.

“Unë e di që ka qenë në territorin e Leposaviqit në fshatin Vuq. Ka qenë i mobilizuar nga Ushtria Serbe. Unë kam thënë para bombardimeve 5-6 muaj më herët e ka nderprerë punën. Para bombardimeve kur ka qenë koha, situatë e keqe”, tha dëshmitari.

Mbrojtja e të akuzuarit Lazoviq, avokatët Feride Xani, Predrag Milkoviq dhe Nebojsha Vllajiq, sipas ekpsertizës që i kishin dorëzuar Gjykatës dhe Prokurorisë, propozuan që të dëgjohet eksperti italian Giuseppe De Falco.

Prokurori special Armend Zenelaj e kundërshtoi propozimim e mbrojtjes, duke theksuar se Prokuroria nuk ia kishte falë besimin kësaj ekspertize, mirëpo e la në diskrecionin e Gjykatës nëse do të aprovohet ky propozim.

Për shkak të proceduarve që duhet ndjekur për dëgjimin e këtij dëshmitari, avokati Milkoviq deklaroi se tërhiqen nga ky propozim.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Sërgjan Lazoviq akuzohet se në periudhën kohore 1998 – 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, duke vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe ka kryer arrestime dhe privim të kundërligjshëm nga liria, keqtrajtime fizike dhe psikike.

Në këtë aktakuzë janë përshkruar mënyrat dhe rrethanat e keqtrajtimeve dhe arrestimeve të popullsisë civile shqiptare, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Në aktakuzë thuhet se nga data 3 shtator 1998 deri më 5 shtator 1998, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, me dashje, i armatosur, i uniformuar, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me qëllim të frikësimit, dëbimit masiv dhe spastrimit etnik të popullatës shqiptare, Lazoviq ka arrestuar, ndaluar, torturuar, maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, rreth 500 qytetarë civilë, të cilët nuk ishin të përfshirë në konflikt.

Aty thuhet se banorët e fshatrave të Malishevës dhe Klinës së bashku me familjet e tyre, ishin detyruar që të largoheshin nga fshatrat dhe shtëpitë e tyre, duke shkuar në drejtim të bjeshkëve të fshatit Panorc dhe më të arritur në fshat popullata civile has në një postbllok të forcave policore serbe, të cilët e kishin rrethuar zonën ku ndodhej popullata civile, ku thuhet se forcat serbe fillimisht i ndajnë burrat nga gratë dhe fëmijët, këtyre të fundit u japin urdhër të largohen kurse rreth 500 meshkuj civilë shqiptarë i arrestojnë dhe i dërgojnë në drejtim të shkollës së fshatit, ku gjatë rrugës i maltretojnë dhe i rrahin, në mesin e tyre edhe të dëmtuarin Ahmet Zenuni.

“…me të arritur te shkolla që të gjithë i vendosin nëpër klasa të shkollës dhe i mbajnë të bllokuar për rreth 30 orë kundërligjshëm, në kushte të rënda jetese, duke ua mohuar të drejtat themelore të tyre për ushqim, ujë, nevoja fiziologjike dhe kësisoj forcat serbe, brenda shkollës kishin ndarë një klasë të veçuar nga klasët e tjera ku i mbanin të ndaluarit, në të cilën kishin qenë disa policë bashkë më të pandehurin Sërgjan Lazoviq, të cilët fillimisht i selektonin disa nga të ndaluarit, më pas i merrnin një nga një dhe i dërgonin në atë klasë për t’i marrë në pyetje dhe për t’i rrahur, në mesin e tyre edhe të dëmtuarit Z.B., R.G., dhe R.B., të cilët i torturonin fizikisht me armë, mjete të forta si shkopinj prej druri, mjete të punës dhe kabllo, duke u shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, me ç’rast 13 prej tyre i arrestojnë dhe i dërgojnë në Burgun e Dubravës, kurse të tjerët i lirojnë”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, thuhet se gjatë periudhës kohore të cekur në dispozitivin I, të kësaj aktakuze, forcat policore dhe ushtarake serbe ku bënte pjesë edhe i pandehuri Lazoviq morën pjesë në dëbimin e popullsisë civile nga shtëpitë e tyre, ashtu që duke përdorur një dhunë sistematike dhe gjerësisht të përhapur fillimisht kishin rrethuar fshatin Panorc dhe fshatrat përreth dhe pastaj i kishin bombarduar me artileri të rëndë, kurse në fund kishin hyrë me këmbësori dhe kishin shkuar shtëpi për shtëpi dhe nën kërcënimin e armëve i kishin detyruar banorët që të largohen nga shtëpitë e tyre, duke i obliguar që në kolonë të largohen në drejtim të Shqipërisë.

Më tej, thuhet se ata plaçkitën të gjitha shtëpitë dhe mjetet transportuese të civilëve, kurse në fund i dogjën të gjitha duke u shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Me këto, Sërgjan Lazoviq  akuzohet se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Detajet nga deklarimi i Lazoviq në Prokurori, mund t’i gjeni duke klikuar: KËTU. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.