Gjyqtarët e basketbollit në bojkot, nuk paguhen nga fillimi i sezonit
Shoqata e gjyqtarëve të basketbollit në vendin tonë ka lëshuar komunikatë për media rreth bojkotit që gjyqtarët i kanë bërë garave të organizuara nga Federata e Basketbollit të Kosovës.
Shkak për këtë bojkot është bërë borxhi që ka Federata karshi gjyqtarëve të basketbollit, që nga fillimi i këtij edicioni.
“Vendimin të cilin e kemi marrë për të mos gjykuar deri sa të paguhen borxhet tona, vjen si pasojë e një periudhe tri vjeçare, ku për tërë këtë kohë i kemi mirëkuptuar, por duke qene te mirëkuptues jemi neglizhuar dhe kemi mbet në harresë, sa që në mbledhjen që kemi mbajtur me drejtuesit e FBK-së, na u është thënë që borxhet tjera të FBK-së janë më prioritare dhe me shifra të larta sa që ju gjyqtarët nuk jeni për momentin prioriteti ynë”, shkruhet në njoftimin e Shoqatës së Gjyqtarëve.
Po ashtu në këtë njoftim thuhet se takimi i krerëve të shoqatës me drejtuesit e federatës me datën 16 dhjetor nuk ka rezultuar i suksesshëm pasi deri tani gjyqtarëve nuk u janë përmbushur kërkesat.
Shoqata e Gjyqtarëve ka reaguar ashpër edhe me zgjidhjen që ka bërë federata duke ftuar gjyqtarë të huaj për të drejtuar kampionatin gjersa gjyqtarët vendor janë në bojkot.
“FBK ka bërë një zgjidhje duke ftuar gjyqtarë nga rajoni duke i paguar me shuma deri 3 herë më shumë se neve. Taksa për ndeshje e gjyqtarëve që do gjykojnë ndeshjet në Kosovë është 200-250€ ku ekstra këtyre kanë të paguar udhëtimin (cent për kilometër) fjetjen dhe ushqimin nëpër hotele luksoze. Çuditërisht nuk mund të na paguajnë neve 80€, ku në këtë shumë janë të përfshira udhëtimi, ushqimi dhe ndalesat (trust-tatim)”, shkruhet në njoftim.
Sezoni pranveror në basketboll ka filluar këtë fundjavë, me gjyqtarë të huaj mirëpo me probleme “vendore”./k.net