Grabitje me ar*më në Prizren, këta janë personat e arrestuar – njëri në arrati
Një grabitje e armatosur ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 3 shkurtit 2026 në rrugën “Durak Rada” në Prizren, ku tre persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve, kanë grabitur 40 euro nga njëri prej të dëmtuarve.
Rasti është raportuar rreth orës 01:00. Fillimisht, viktimat H. S. dhe L. R. janë intervistuar nga Policia, por për shkak se ndodheshin nën ndikim të alkoolit dhe në mungesë të dëshmive konkrete, me udhëzim të Prokurorit kujdestar për krime të rënda është përpiluar vetëm raport informues.
Megjithatë, zhvillimet e mëvonshme kanë ndryshuar rrjedhën e hetimit.
Pas sigurimit të video-incizimeve nga terreni, hetuesit kanë konstatuar qartë se grabitja kishte ndodhur. Në pamje shihen tre persona të maskuar, ku njëri mban mjet të mprehtë (thikë), ndërsa dy të tjerë dyshohet se posedonin armë zjarri. Pas këtyre provave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprat penale Grabitje dhe Mbajtje në pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, pas një pune intensive operative, ka arritur t’i identifikojë të dyshuarit: K. Krasniqi, Sh. Gashi, L. Gashi, V. Saramati.

I dyshuari i parë është arrestuar pranë një lokali në Prizren. Gjatë bastisjes në trup, Policia i ka gjetur një pistoletë Zoraki. Në vazhdim, në automjetin Golf VII të tij janë zbuluar edhe një pistoletë tjetër (EKOL), dy maska, doreza dhe rroba që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes.
Me mbështetje të NJRSH-së dhe patrullave të Stacionit Policor në Prizren, janë arrestuar edhe dy të dyshuarit e tjerë në kafiterinë “Te Mila”.Me urdhër të Prokurores së rastit, e cila ka qenë prezent në terren gjatë arrestimit të të dyshuarit të parë, janë realizuar bastisje edhe në shtëpitë e të dyshuarve si dhe në një lokal, ku janë gjetur rroba dhe atlete që dyshohet se lidhen me veprën penaleGjatë intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës sipas detyrës zyrtare, dy nga të dyshuarit kanë pranuar kryerjen e veprës.

Me vendim të Prokurorit kujdestar, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari i katërt, Valdrin Saramati, nuk është hasur në shtëpi dhe aktualisht gjendet në arrati.
Rasti vazhdon të hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, ndërsa Policia është në kërkim të të dyshuarit të katërt.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /G. S/
