Grabitje nën kërcënimin e armëve në Malishevë: Dy persona të maskuar marrin para dhe pajisjen e kamerave të sigurisë
Një grabitje e armatosur ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në Malishevë, mëson ekskluzivisht Sinjali.
Sipas informacioneve nga burimet, më 03 dhjetor 2025, rreth orës 02:40, punëtori i pompës së derivateve “Delta Grup” në fshatin Llashkadrenoc është sulmuar nga dy persona të panjohur, të maskuar dhe të armatosur.

Të dyshuarit, duke e kërcënuar me armë – njëri me kallashnikov dhe tjetri me pistoletë – i kanë marrë viktimës rreth 800 euro para të gatshme si dhe pajisjen e DVR-it të kamerave të sigurisë. Pas grabitjes, ata janë larguar në këmbë në drejtim të panjohur.
Patrulla policore, njësia e hetimeve dhe krim-teknika kanë dalë në vendngjarje për ekzaminim dhe mbledhje të provave.

Me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda, rasti është iniciuar si “Grabitje”, ndërsa hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve po vazhdojnë.
