15-11-2024

Granit Xhaka e frymëzon Arsenalin ta nisë me fitore vitin 2019

Mesfushori shqiptar Granit Xhaka e ka frymëzuar Arsenalin ta fillojë mbarë me fitore vitin e ri 2019, duke e shënuar golin e parë në triumfin 4-1 të “Topçinjve” ndaj Fulhamit në Premierligë, sot në Londër.

Arsenali u rikthye fuqishëm duke e nisur vitin e ri me fitore 4-1 ndaj Fulhamit, pasi humbjes turpëruese 5-1 nga lideri i Premierligës, Liverpool i Xherdan Shaqirit, në ndeshjen e fundit të vitit që lamë pas.

Ky ishte triumfi i parë i skuadrës së Unai Emeryt pas dy ndeshjeve dhe erdhi siç pritej nga skuadra e parafundit në ligën elitare angleze.

Ylli shqiptar i Zvcirës, Granit Xhaka e hapi serinë e golave për londinezët – duke e shënuar golin e parë për ta në vitin e ri po ashtu – kur e pranoi një top në zonë nga Iëobi dhe e mposhti portierin e vizitorëve në këndin e poshtëm të portës së tij në minutën e 25-të.

Mysafirët nuk i shfrytëzuan mundësitë e krijuara në pjesën e parë, që u mbyll me epërsi minimale për vendasit.

Djelmoshat e Emery ishin të pakapshëm në pjesën e dytë për skuadrën e Claudio Ranierit tashmë në telashe.

Alexandre Lacazette e dyfishoi epërsinë në minutën e 55-të, duke shënuar nga afërsia pas një asisti nga Sead Kolasinac, para se Aboubakar Kamara t’i jepte një fije shpresë vizitorëve kur realizoi për 1-2, pasi u harrua i vetëm nga mbrojtja e Arsenalit.

Dhjetë minuta para fundit, i porsaardhur nga stoli, Aaron Ramsey ua preu të bardhëve duke shënuar për 3-1.

Vetëm katër minuta më vonë, Pierre-Emerick Aubameyang e fundosi Fulhamin duke shënuar golin e katërt për Asenalin falë një devijimi të mbrojtjes.

Arsenali tani grumbullon 41 pikë në vendin e pestë, vetëm dy më pak se vendi i katërt, Chelsea, që megjithatë ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Fulham, ndërkohë, mbetet në vendin e parafundit me 14 pikë, një më pak se vendi i 17-të, Southamptoni/360grade.al


 

Asnjë koment

Comments are closed.