24-11-2024

Grante në vlerë prej 1.500 euro për familje të kthyera në Komunën e Prizrenit

Së paku 10 familje të Komunës së Prizrenit do të përfitojnë përkrahje në vlerë prej 1.500 euro nga një projekt që synon të ndihmojë të kthyerit në këtë pjesë të vendit, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Byroja e Popullsisë, Refugjatëve, dhe Migracionit e Departamentit Amerikan të Shtetit, përmes partnerit të saj implementues Këshillit Danez për Refugjatë, ka shpallur  thirrjen për aplikim për grante për skemën e Grantit Rural të Përbashkët, në komunën e Prizrenit.

Nga përshkrimi, del se  projekti synon të mbështes propozimet bujqësore që ndihmojnë grupet e të kthyerve dhe kjo për të përmirësuar ri-integrimin social dhe ekonomik të të kthyerve.

Grantet janë në dispozicion për të mbështetur propozimet të cilat mbulojnë aktivitetet bujqësore. Përfitues do të jenë minimum 10 familje apo amvisëri, ndërsa shuma maksimale në dispozicion për grant është 1.500 euro, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Aplikacionet mund të dorëzohen në formë individuale apo të përbashkët (si grup). Skema e granteve do të përkrahë së paku 70 % të kthyerve, të cilët janë kthyer nga viti 2010 ose më vonë.

Me këto mjetet parashihet blerja e fidaneve (farave) për pemë apo perime, blerja e lëndës së parë, pastaj makinerisë dhe të pajisjeve në bazë të kritereve për përzgjedhje.

Personat e pambrojtur duke përfshirë gra, persona me nevoja të veçanta dhe të rinjtë llogariten ndër kriteret prioritare të ndarjes së grantit. Afati i dorëzimit të aplikacioneve është deri më 26 Shkurt 2019. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.