Gropat në rrugën e transitit për autostradë që maltretuan prizrenasit për disa muaj
Shkruan: Qazim Morina
Komuna e Prizrenit ka arritur të finalizojë punimet për ndërtimin e rrugës transitore – kryqëzimi me autostradë, projekt që i ka kushtuar rreth 800 mijë euro.
Megjithatë, vonesat disa-mujore nga shtrimi i shtresës së parë të asfaltit e deri në shtrimin e shtresës së dytë kanë bërë që në trasenë e kësaj rruge të ketë hapje të gropave. Komuna e Prizrenit ka thënë se sanimi i tyre është bërë në kuadër të kontratës bazë, por kompania ia vë fajin Komunës që sipas tyre nuk kishte mjete financiare për të vazhduar menjëherë me shtresën e dytë të asfaltit.
Më 17.10.2022 ishte hapur tenderi me vlerë të parashikuar prej 1.2 milion eurove për asfaltimin e kësaj rruge që e shkurton për 4 kilometra distancën e lidhjes së qytetit të Prizrenit, me hyrje-daljen “Veri” të autostradës “Ibrahim Rugova. Më 22.12.2022, Komuna e Prizrenit e kishte nënshkruar kontratën në vlerë prej 778 mijë euro me kompaninë “Seferi-Co”, ofertë që ishte për 422 mijë euro më e lirë se vlera e parashikuar e kontratës në fillim të aktivitetit.
Në këtë kontratë është paraparë edhe hapja e kanalizimit të ujërave atmosferike dhe fekale si dhe ndriçimi publik. Sipas zyrtarëve komunalë, në bazë të kontratës, plani dinamik i realizimit ishte dyvjeçar.
Në fillim të vitit 2023, nisën punimet për ndërtimin e rrugës transitore – kryqëzimi me autostradë, që për 4 kilometra e shkurton distancën e lidhjes së qytetit të Prizrenit, me hyrje-daljen “Veri” të autostradës “Ibrahim Rugova.
Foto – 02.03.2023 fillimi i punimeve ( foto Komuna e Prizrenit )
Në një postim në Facebook, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, kishte thënë se kjo rrugë do të ndihmojë në shkarkimin e trafikut.
“Qasja e shpejtë në qytet dhe lëvizja pa ndalesa po mundësohet nga rrugët e reja. Intensitet i lartë i punimeve në projektin “Ndërtimi i rrugës transitore – kryqëzimi me autostradë (rruga T&A – Arbëria)”- kishte shkruar Totaj në profilin e tij në Facebook.
Në shtator 2023 është vënë shtresa e parë e asfaltit, por pak kohë më pas, janë shfaqur dëmtime të shumta në trase.
Pas shtresës së parë të asfaltit, në trasenë e rrugës transitore, që nis nga “Transitit i Ri” e deri tek kryqëzimi për autostradë, u shfaqën gropa, të cilat qëndruan kështu, së paku deri në muajin maj 2024.
Foto – 30. 08. 2023 “Tv Prizreni”
Foto – 21. 12. 2023 ( Ilir Baldedaj )
Foto – 21. 05. 2024
Referuar përgjigjes së drejtorit për Shërbime Publike në Komunën e Prizrenit, Çelë Lamajt, si pasojë e dëmtimit të trasesë, të datës 22.05.2024, kompania përfituese “SEFERI-CO” nga Suhareka është urdhëruar dhe obliguar ta bëjë largimin e komplet shtresës së asfaltuar. Pas intervenimeve të nevojshme në rehabilitimin e tamponit do të bëhet sërish vendosja e shtresës së re dhe përfundimi i projektit.
I pyetur nëse ka ndonjë fond shtesë, më 23.05.2024, Lamaj sqaroi se punimet zhvillohen në kuadër të kontratës e cila nuk është përmbyllur, ndërsa parashihet edhe vendosja e shtresës së dytë të asfaltit!
Në anën tjetër nga kompania “SeferiCo”, thonë se për vendosjen e shtresës së dytë nuk ka pasur mjete financiare nga Komuna e Prizrenit, ndërsa dëmtimet janë shfaqur pasi shtresa e parë e asfaltit BZH22 nuk mund të qëndrojë gjatë, meqenëse është e përshkueshme nga uji, meqenëse rruga ka një qarkullim të madh.
“Projekti është duke vazhduar dhe do të përfundojë sipas kontratës. Do të hiqet komplet shtresa e asfaltit në vendet e dëmtuara. Në qershor do t’i kryejmë shtresat e asfaltit dhe rruga do të lëshohet e lirë për qarkullim. Për kryerjen komplet të projektit kemi premtime nga komuna se do t’i zotoj të gjitha mjetet financiare dhe në qoftë se kjo ndodh edhe ne do ta përfundojmë projektin” – thuhet në përgjigjen e tyre.
Qytetarët janë shprehur të zhgënjyer për gjendjen, e cila për disa muaj e karakterizoi rrugën, në të cilën rritej qarkullimi shkaku i distancës dhe lidhjes direkte me brendinë e qytetit.
Gjon Tushaj tha se është dashur të jetë shumë i kujdesshëm gjatë vozitjes apo ta shmangë lëvizjen nëpër gropat e hapura.
Ilir Baldedaj, shprehet se deformimet në rrugë janë reflektuar në amortizimin e automjeteve, si dhe ka mundur të shkaktohen dëmtime, sidomos në veturat e vozitësve, që për herë të parë kanë qarkulluar këndej. Ai tha se nuk kanë pas informata nga komuna se kur do të mbyllen ato gropa, apo nëse sanimi i tyre do të ketë kosto shtesë.
Besni Morina, thotë se dëmtimet në rrugën e sapohapur bënë që ta shmangë lëvizjen andej, duke shfrytëzuar rrugë alternative.
Për mënyrën e kryerjes së punimeve në këtë dhe disa projekte të tjera në infrastrukturën e komunës, kanë reaguar edhe përfaqësues të opozitës në Prizren, përshirë edhe ata në Kuvendin Komunal, duke i vlerësuar format e tilla si një abuzim të parasë publike.
Foto – 21. 05. 2024
Foto – 21. 05. 2024
Punimet në shtrimin e shtesës së dytë të asfaltit kanë filluar në mes të muajit maj të vitit 2024.
Foto – 23. 05. 2024
Foto – 23.05.2024
Nga ajo që shihet edhe në foto shtresa e parë e asfaltit, derisa tash është hequr vetëm në një pjesë të trasesë, në atë ku dëmtimet ishin më të mëdha. Për shkak të punimeve, rruga u mbyll për disa ditë gjatë muajit maj 2024.
Foto – 21. 05. 2024
Foto 23.05.24
Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, pasditen e 23.05.2024, njoftoi për vendosjen e shtresës së re të asfaltit.
”Pas analizave laboratorike dhe pas forcimit të bazamentit të rrugës, sot ka filluar të shtrohet shtresa e re me asfalt e rrugës transitore deri në kryqëzimin për autostradë (rruga nga TA deri te pompa e derivateve Arberia), i cili aks do ta lehtësoj qarkullimin e automjeteve” – shkroi ai në profilin e tij zyrtar në “Facebook”.
Ndaj këtij deklarimi të kryetarit Totaj, një ditë më pas reagoi kreu i degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Krasniqi, duke thënë se analiza e fizibilitetit, bëhet para nisjes së punimeve e jo pas përfundimit të tyre.
“Nuk ka sukses e as punë të mirë për qytetin, kur ka neglizhencë, keqpërdorim e favorizim. Përfundimin e dimë se çfarë pune është kryer në këtë rrugë, të cilën pushtetarët e përuruan si projekt të përfunduar. Sytë e qytetarit tashmë janë rezistent në hirin, që mundohen t’ia hedhin” – shprehet ai.
Në këtë rrugë, deri më 30.05.2024, është vënë vetëm njëra shtresë ndërsa më 15.06.2024, sipas njoftimit të të parit të Komunës së Prizrenit është vendosur edhe shtresa e dytë.
Ky artikull është përgatitur përmes mbështetjes nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara apo BIRN.