23-11-2025

Hagë: Trupi gjykues lëshon urdhra për hapat e ardhshëm proceduralë

Trupi Gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve ka lëshuar një sërë afatesh dhe udhëzimesh të reja procedurale, në kuadër të përmbylljes së paraqitjes së argumenteve nga ekipet mbrojtëse dhe fazave të mbetura të procesit gjyqësor. Urdhri është publikuar më 21 nëntor 2025.

Sipas vendimit, ekipet e Mbrojtjes së Thaçit dhe Krasniqit janë udhëzuar të finalizojnë paraqitjen e argumenteve të tyre deri më 2 dhjetor 2025, ose në ditën e punës që pason publikimin e vendimit mbi kërkesat e mbetura për pranimin e provave – cilado nga këto data të jetë më e hershme, shkruan IndeksOnline.

Në lidhje me dosjet gjyqësore përfundimtare dhe deklaratat mbi pasojat e krimeve të pretenduara në viktimat pjesëmarrëse, Trupi Gjykues ka miratuar pjesërisht kërkesën e palëve për zgjatje afati. Këto parashtresa duhet të dorëzohen deri më 19 janar 2026, ndërsa deklaratat përfundimtare janë planifikuar të paraqiten nga 9 deri më 13 shkurt 2026.

Po ashtu, Trupi Gjykues ka shtyrë për një fazë më të vonshme marrjen e vendimit mbi modalitetet e mundshme të shpërblimit të dëmit. Në të njëjtën kohë, pala e Mbrojtjes është urdhëruar të paraqesë qëndrimet e saj lidhur me kërkesën e Aktgjykimit mbi konfiskimin dhe caktimin e dënimit, nëse një vendim i tillë do të zbatohet.

Udhëzimet e reja procedurale pritet të përshpejtojnë ecurinë e procesit dhe të qartësojnë afatet për fazat përmbyllëse të këtij gjykimi të profilit të lartë.

Asnjë koment

Comments are closed.